E Shtunë, 31 Tetor 2026

Syla: Ndeshjet në Pukë do ti kthejmë në festë

Presidenti, ftesë dhe premtim tifozëve për një ekip kompetitiv

 

Nga Erjon Saliu

Duket se me ardhjen në krye të ekipit të biznesmenit pukjan Petrit Syla, tifozët janë optimistë dhe besojnë se ai është njeriu i duhur që do ta rikthejë Tërbunin në të parën. Ishte Petrit Syla ai që tri sezone më parë arriti ta mbushte plot stadiumin Ismail Xhemali, madje u thye një tabu dhe në Pukë. Në çdo ndeshje që luante Tërbuni në stadium kishte edhe 30-40 femra, fanse të skuadrës së tyre të zemrës.

Në një prononcim për Sportin Shqiptar, Syla pohoi: Sa i përket blerjeve i garantoj tifozët pukjanë se në radhët e Tërbunit do të ketë edhe lojtarë nga kategoria e parë dhe pjesa më e madhe nga superliga. Nuk do ta diskutojmë ngjitjen në të parën, por do të synojmë superligën pas dy sezonesh. Qëllimi im, në bashkëpunim edhe me 17 donatorët që kanë shprehur gatishmërinë për mbështetje financiare për Tërbunin, është ta mbushim stadiumin Ismail Xhemali plot me tifozë. Nuk kam asnjë interes që jam në krye të Pukës, thjesht dua që kur të luhen ndeshjet ta kthejmë në festë. U bëj thirrje tifozëve pukjanë që të na mbështesin ashtu siç kanë bërë tri sezone më parë, pse jo të jenë edhe më të shumtë në numër dhe të ketë edhe tifoze femra, çka nuk ndodh në stadiume të superligës. Madje i pres që të jenë edhe në stërvitje kur skuadra pas disa ditësh do të jetë në Pukë për të zhvilluar fazën përgatitore, – tha presidenti i Tërbunit, Petrit Syla.

Ndërkohë, trajneri i pukjanëve, Dali Farruku, ka bërë një ndeshje kontrolli ditën e premte brenda grupit, ku pas saj ka larguar edhe disa lojtarë që sipas tij nuk e kanë kaluar klasën.

Bëhet fjalë për futbollistë të rinj, një pjesë e madhe nga ekipet e kryeqytetit, ndërsa disa të tjerë të ardhur nga skuadra, si: Olimpiku, Iliria apo Erzeni. Gjithsesi, nga sa ka pohuar presidenti Petrit Syla, seleksionimet do të vazhdojnë edhe për dy javë.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›