Syla: Tërbunit i bëj dhuratë dy lojtarë Superlige
Riza Tafilaku
Pukjanët do të zbresin nesër në fushën e stërvitjes dhe do të fillojnë përgatitjet për sezonin e ardhshëm, që i gjen ata në Kategorinë e Parë. Nga ana tjetër, presidenti Petrit Syla vazhdon merkaton, pasi synon të ndërtojë një ekip, që të renditet në fund mes 5 më të mirëve. “Pas Arifajt, i cili është zyrtarisht lojtar i Tërbunit, do të ketë të tjera blerje, madje dhurata ime për Tërbunin janë dy lojtarë nga Superliga. Njëri prej tyre ka qenë pjesë e Dinamos në Superligë dhe më të jemi shumë pranë marrëveshjes. Në stërvitjen e ditës së hënë do të jenë edhe pjesa më e madhe e lojtarëve të sezonit të kaluar, sepse janë cilësorë dhe kanë dhënë një kontribut të çmuar në ngjitjen e ekipit në të parën, madje si kampion i së dytës dhe pa asnjë humbje. Jemi në bisedime edhe me futbollistë të tjerë. Synojmë të afrojmë më shumë elementë të rinj dhe me perspektivë. Kam premtuar para tifozëve pukjanë se do të ndërtojmë një Tërbun cilësor, që nuk do të ketë lojtarë me moshë më të madhe se 22 vjeç. Shpresoj që ky të jetë një vit sa më i mbarë për ekipin, që para së gjithash dua që të luajë futboll të bukur për të kënaqur sportdashësit dhe të jetë “fair-play”, në mënyrë që Puka të jetë shembull. I garantoj të gjithë se kundërshtarët do të respektohen në fushën tonë njësoj sikur të jenë në shtëpinë e tyre, – tha dje presidenti i pukjanëve, Petrit Syla. Nërdo të bëhet edhe prezantimi i ekipit në fushat e kompleksit Partizani. Në kryeqytet do të bëhen disa testime dhe më pas Tërbuni do të stërvitet në Pukë, ku mund të qëndrojë për 10 ditë pranë tifozëve.