Presidenti i të kuqve, deklaron se Partizani është klubi më i pasur, sepse e mbështesin 1 milionë shqiptarë, njëkohësisht konfirmon në krye stafin e sezonit të fundit
Nga ILIR CARA
Pas një mungese të gjatë, në skenë ka ridalë sërish një personazh mediatik, presidenti i Partizanit, Albert Xhani. Pas vendimit të Gjykatës së Apelit, ku me 27 qershor u vendos që të drejtën e logos e ka shoqëria tregtare Partizani sh.a, Albert Xhani, në cilësinë e administratorit të kësaj shoqërie, i cili ka edhe një proces të hapur me ortakun Paro Laçi, ka nisur të bëhet i dukshëm me deklaratat e tij mediatike. Me të drejtë apo pa të drejtë (kjo është kompetencë e institucioneve përkatëse), Albert Xhani fitoi një betejë me një kundërshtar të fortë në letër, siç është Ministria e Mbrojtjes, që pas një përpjekjeje 19-mujore, distancohet për momentin nga Partizani. Presidenti Albert Xhani, në një bisedë për Sportin shqiptar pohon se puna për ngritjen e Partizanit ka nisur nga data 27 qershor, si dhe konfirmon stafin që ishte në krye të kuqve sezonin e fundit. Ai e bën edhe më gjithëpërfshirës drejtimin, duke përmendur edhe shumë ishë të tjerë. Sipas Xhanit, Partizanin do ta ngrejnë ata që kanë derdhur çdo gjë për këtë klub legjendar, por gjithçka nga ajo që thuhet mbetet në kuadrin e premtimeve, pa ndonjë projekt të detajuar. Xhani pohon se Partizani ka qenë një që nga data e themelimit e deri më sot, kështu që te të kuqtë nuk ka vend për dualizma. Ai e quan fat të mirë, që klubi i ka shpëtuar sindromës së ndërrimit të emrave, ndonëse kanë ndërruar sistemet. Partizanin do ta ngrejnë ata që u dhemb dhe kanë derdhur punë e para, djersë dhe gjak. Jemi klubi më i pasur me mbështetjen e 1 milion shqiptarëve, kudo që punojnë dhe jetojnë. Në historinë tonë 66-vjeçare, që nga themelimi dhe deri më sot, nuk ka pasur kurrë dy Partizanë, dy emblema, apo ndryshim emrash sipas sistemeve (për fatin tonë të mirë dhe fatin e keq të atyre, që sistemet u ndërrojnë emër e mbiemër), ne mbetemi i njëjti emër, e njëjta logo, të njëjtët njerëz në drejtim, nga Thaka, Musta, Tomori, Mici, Bajko, Starova, Lika, Pano i ri, Duro etj. Pra, i gjithë gjaku jonë, të gjithë pa përjashtim. Puna ka nisur më 27 qershor. Lojtarë ka plot, venë e vijnë, trajnerët do të marrin më të mirët, u shpreh njëshi aktual i Partizanit, Albert Xhani.