Mesfushori durrsak, Eduard Curri, pranon se mund të riveshë fanellën e skuadrës cërrikase për sezonin e ardhshëm
Nga Artan Paja
Mesfushori durrsak, Eduard Curri, me shumë gjasa do ti bashkohet skuadrës cërrikase sezonin e ardhshëm. Në kontaktin me të shihet qartazi dëshira për të ardhur te Turbina, ndërkohë që divorci i tij me Sukthin ende nuk është konfirmuar. Sipas Currit, te Sukthi është trajtuar shumë mirë dhe i janë plotësuar të gjitha kërkesat, ndërsa kthimi te Turbina ka të bëjë me një ”peng” të vjetër të tij, që është ngjitja e kësaj skuadre një kategori më lart. ”Natyrisht që e nuk bëj dot diferencën midis Cërrikut dhe Sukthit, pasi, të them të drejtën, jam ndjerë i vlerësuar në çdo drejtim edhe me skuadrën e dytë. Besoj se do të arrijmë një marrëveshje të kënaqshme me të dyja skuadrat, për të vendosur më pas për ngjyrat e njërës prej tyre. Rasti i Turbinës nuk është për tu nënvlerësuar, pasi kam lënë diçka për gjysmë te kjo skuadër, që është ambicja e ngjitjes në Kategorinë e Parë. Në Cërrik jam ndjerë si në shtëpinë time, ndërsa një vëmendje speciale i takon tifozërisë cërrikase për mbështetjen maksimale që u jep futbollistëve. Shpresoj që të gjejmë gjuhën e përbashkët, me qëllim që edhe drejtuesit e Sukthit të marrin mirënjohjen që u takon në raport me shërbimet e mia gjatë sezonit të shkuar”, – u shpreh mesfushori durrsak, Eduard Curri. Përpjekjet për rrikthimin e tij po i bën vetë kryebashkiaku i Cërrikut, Servet Duzha, i cili, me sa duket, i ka bërë një ofertë dhe pret që së shpejti të bëhet edhe takimi midis tyre. Curri e mbylli kampionatin e fundit me Sukthin, duke e çuar këtë skuadër në zonën e play-off-it, ku u mund nga Himara.