E Diel, 1 Nëntor 2026

Synimet e politikës së jashtme të kandidatëve për president në SHBA

Politika e brendshme është në fokusin e kandidatëve për president në SHBA duke e bërë të dukshme kërcënimin e rënies ekonomike dhe papunësinë. Vëmendja e tyre megjithatë është përqendruar edhe në politikën e jashtme që synohet të ndiqet. Me fitoren e kandidatit Xhon Mekein në kampin republikan, Iraku del sërish në axhendë. Ndërsa kandidatët demokratë, Obama dhe Klinton, kërkojnë tërheqje të menjëhershme të trupave amerikane nga Iraku dhe mosngritjen e asnjë baze të përhershme. Sipas planeve aktuale të qeverisë amerikane në kohën e dorëzimit të mandatit, në Irak do të jenë të dislokuar rreth 130.000 ushtarë amerikanë. Tërheqja e një ose dy brigadave në muaj, siç planifikojnë Obama dhe Klinton, do t’i sillte trupat në shtëpi brenda 16 muajsh, një hark kohor për të cilin është angazhuar Barak Obama. Hilari Klinton është më e kujdesshme në këtë aspekt. Brenda 60 ditësh nga marrja e detyrës së presidentit, do të fillohet me tërheqjen e trupave nga Iraku, - përsërit vazhdimisht Klinton. Sipas saj, brenda 16 muajsh tërheqja do të ketë përfunduar plotësisht, por ajo nuk do të paracaktojë afate. “Duhet të mendojmë se çfarë do të bëjmë me rreth 100.000 ushtarët dhe civilët që punojnë për ambasadën, firmat dhe shoqatat e ndryshme humanitare. Unë mendoj gjithashtu se duhet të mendojmë se çfarë do të bëjmë me irakianët, të cilët punojnë me ne”, - është shprehur senatorja Hilari Klinton në një nga debatet e fundit në kanalin CNN. Ndërsa Obama ngul këmbë në caktimin e një date për t’i dhënë qeverisë irakiane një sinjal të qartë. Kjo është pikërisht karta e tij e fortë në garën me rivalen Klinton. Ndryshe nga dy kandidatët demokratë, republikani Mekein premton vazhdim të politikës të presidentit Bush për Irakun. Ai synon t’i lërë amerikanët aq gjatë në Irak, sa e kërkon, sipas tij, siguria dhe bën krahasime me Kuvajtin, Bosnjën dhe Korenë e Jugut. Kështu Mekein dëshiron zgjerimin e ushtrisë dhe lë të hapur edhe opsionin ushtarak në konfliktin për programin bërthamor me Iranin. Për të, lufta kundër terrorizmit ka prioritet. Megjithatë, si ish-rob lufte, Mekein refuzon çdo lloj torture dhe është shprehur kundër Burgut të Guantanamos. Për mbylljen e Guantanamos është edhe Barak Obama si dhe për rehabilitimin e emrit të mirë të SHBA-ve në botë. Ai premton më shumë kujdes për Amerikën Latine dhe marrjen seriozisht të konkurrencës ekonomike nga Kina. Ndryshe nga Klinton, ai kërkon të ulet pa kushte në një tryezë bisedimesh me Iranin dhe t'i ofrojë atij favore ekonomike në këmbim të një qëndrimi më konstruktiv në konfliktin bërthamor. Për marrëdhëniet me Europën, kandidatët janë prononcuar pak deri tani, por ekspertët presin që të dy kandidatët demokratë ta shohin atë si partnere dhe jo si kundërshtare.

13 Shkurt 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›