Falsifikim i qëllimshëm

Kryetarja e deputetëve socialistë, Valentina Leskaj, e vlerësoi si falsifikim të qëllimshëm ndryshimin e procesverbalit për dekretet presidencialë. “Keni falsifikuar me qëllim procesverbalin e seancës për dekretet e presidentit. Sekretariati s’ka të drejtë të marrë vendime jashtë seancës. Vendimi u ndryshua me telefon pas mbylljes së seancës”, - tha ajo në seancën e djeshme plenare. Leskaj nënvizoi faktin, se seanca e së hënës u mbyll me vendimin, se Kuvendi dha pëlqimin për kandidaturën e Zamir Podës. Pas seancës, Arian Madhi, kryetar i komisionit të numërimit të votave, ka dalë jashtë Kuvendit e është shprehur se ka bërë gabim. Liderja e socialistëve në Kuvend e cilësoi si të falsifikuar procesverbalin, pasi asnjë vendim që merret jashtë seancës plenare nuk ka vlerë. “Madhi si kryetar i sekretariatit ka thënë se pas numërimit të votave Kuvendi jep pëlqimin për z. Zamir Poda për anëtar të Gjykatës së Lartë. Në procesverbal është shkruar ndryshe, duke falsifikuar të vërtetën. Ky falsifikimin është bërë në mënyrë të qëllimshme. Në procesverbal thuhet se, “pas votimit është mbledhur sekretariati dhe ka vendosur”. Por sekretariati nuk ka të drejtë të vendosë”, - sqaroi Valentina Leskaj. Ajo e cilësoi këtë fakt si një shkelje shumë të rëndë, pasi kryetarja e Kuvendit duhet të shpallte rezultatet. “Ajo duhet të shpallte rezultatet dhe jo sekretariati, që thotë një herë “Kuvendi ka dhënë pëlqimin” dhe pasi ka mbaruar seanca, pasi kanë dalë deputetët jashtë dhe pasi ka marrë telefonatën nga ju, kryetari i sekretariatit thotë që nuk e jep seanca pëlqimin”, - deklaroi liderja e socialistëve në Kuvend. Sipas,Valentina Leskajt, në procesverbal është hedhur ajo që nuk ka ndodhur realisht. Në emër të PS-së, ajo e cilësoi procesverbalin si të falsifikuar, pasi sekretariati ka thënë fjalë për fjalë se: “Kuvendi jep pëlqimin për z. Zamir Poda”. Në fakt, në seancën plenare të së hënës u dëgjua qartë ky qëndrim, që është fshirë fare nga procesverbali. “Pasqyrimi në procesverbal i aktiviteteve të tjera që kanë ndodhur jashtë seancës, nuk kanë vend në këtë procesverbal dhe kjo është parimore”, - shtoi Leskaj. Socialistët e cilësojnë si të papranueshëm këtë akt, që e cilësojnë si një tjetër shkelje të rregullores së Kuvendit. Akuzat e socialistëve janë dëgjuar sa herë që ka pasur shkelje të rregullores, qëkurse të djathtët kanë ardhur në pushtet, dhe seanca drejtohet nga kryeparlamentarja Jozefina Topalli, por gjithsesi, herë pas here, shkelje të tilla, sipas partisë më të madhe të opozitës, vazhdojnë. Pikërisht për këtë arsye, ende socialistët janë duke vlerësuar mundësinë për ndërmarrjen e një mocioni kundër kryetares së Kuvendit, Jozefina Topalli. Kjo e fundit, vetëm për çështjen e dekreteve, është akuzuar disa herë nga partia më e madhe opozitare për shkelje të rregullores, Kushtetutës dhe tejkalim kompetencash. saqellari@korrieri.com