Al Kaeda, mesazh Allahut: Bush duhet të poshtërohet
Al Kaeda ka publikuar një lutje, ku kërkon që presidenti amerikan Xhorxh Bush të poshtërohet në zgjedhjet e ardhshme presidenciale, bashkë me partinë e tij, atë republikane. Shërbimet sekrete amerikane janë në gatishmëri në prag të zgjedhjeve presidenciale, njëlloj si ato të vitit 2004, pas një mesazhi të dërguar për popullin amerikan. Lajmin e ka publikuar rrjeti i fuqishëm televiziv ABC, pas njoftimit nga një prej liderëve të Al Kaedës, Abu Yahya al-Libi, i cili ka përhapur një video në internet, ku i kërkon “të mbifuqishmit” (Allahut) që në zgjedhjet e ardhshme amerikane presidenti, Xhorxh Bush dhe Partia Republikane të poshtërohen. Ndjekësi i Bin Laden në video nuk tregon mbështetje për Barak Obamën, por insiston mbi Bushin, duke iu përgjëruar Zotit të zbrazë zemërimin e tij mbi të. Katër vjet më parë pak para zgjedhjeve presidenciale, Bin Laden ka kërcënuar me një video Amerikën, ku thuhej se nëse do të konfirmohej fitorja e Bushit, vendi do të pësonte një 11 shtator të dytë.
Më parë, shërbimet sekrete amerikane kanë zbuluar gjatë monitorimit të një adrese militantësh, se Al Kaeda kishte në plan të mbështeste kandidatin republikan Xhon Mekein, duke organizuar një sulm terrorist në Shtetet e Bashkuara dhe duke nxitur kështu urrejtjen e amerikanëve dhe dëshirën për hakmarrje, gjë që do t’i çonte votat pro Mekeinit, i cili është kandidati pro luftës. Sipas planit, zgjedhja e një kandidati të tillë të papërmbajtur dhe të etur për luftëra do të sillte shkatërrimin e plotë të Shteteve të Bashkuara. Ndërkohë, Obama nuk është përmendur aspak në mesazhet e tyre. Kandidati demokrat për Shtëpinë e Bardhë ka premtuar se nëse do të zgjidhet president, qeveria që do të kërkojë ai në krah do të jetë e përbërë nga zyrtarë të së dyja forcave të mëdha politike. “Nëse do të zgjidhem president, qeveria ime do të jetë dypalëshe”, ka deklaruar ai në një intervistë për rrjetin ABC. Kështu, duke ndjekur programin e presidentit francez, Nikola Sarkozi, edhe kandidati demokrat kërkon të fusë në ekzekutiv persona të kualifikuar nga Partia Republikane. “Nuk po e bëj për të dhënë një përshtypje të mirë, por sepse republikanët kanë ide të mira mbi disa argumente”, tha Senatori Obama. Tani për tani ai nuk ka folur për emra konkretë, ministra aktualë apo anëtarë kabineti me origjinë konservatore. Por sipas zërave, ai i referohet Mbrojtjes kombëtare dhe sekretari aktual i Mbrojtjes, Robert Gejts, mund të qëndrojë në krye të Pentagonit edhe pas një fitoreje të mundshme të tij. Ndërkohë, të dy kandidatët e kanë dyndur fushatën elektorale në ditët e fundit me vizita në shtete të ndryshme dhe shumë aktivitete. Obama ka deklaruar për mbështetësit e vet se republikanët do të përpiqen ‘të hedhin baltë’ mbi demokratët deri në sekondën e fundit të votimit dhe ata duhet të jenë shumë të kujdesshëm.