Alimuça gjykatës: Më lironi, vuaj nga sëmundje që më rrezikojnë jetën
TIRANE - Gjykata e Tiranë ka caktuar datën 17 nëntor për të zhvilluar seancën e parë për shqyrtimin e kërkesës së ish-bosit të VEFA, Vehbi Alimuçaj, për lirim nga qelia për shkaqe shëndetësore. Gjyqtarja e çështjes, pasi ka studiuar kërkesën e Alimuçajt, i cili në bazë të dokumentacionit të dorëzuar në gjykatë pretendon se vuan nga sëmundje të rënda që i rrezikojnë jetën. Prej disa muajsh Alimuçaj është transferuar nga burgu i Peqinit në Spitalin e Burgjeve në kryeqytet, pas rëndimit të shëndetit të tij si pasojë e komplikimit të sëmundjeve. Në dokumentacionin që shoqëron kërkesën e tij për lirim të parakohshëm, Alimuçaj pohon se vuan nga një kompleks sëmundjesh, baza e të cilave është sëmundja diabetit, e cila e stimuluar nga kushtet e qelisë ka bërë që shëndeti i tij të përkeqësohet jashtë mase. Ndërkohë, duke llogaritur dënimin e kryer, Alimuçaj ka vuajtur më tepër se 15 vjet, kjo në sajë të lehtësimeve që ai ka përfituar si pasojë e uljeve të dënimit, për sjellje të mirë dhe punës në bibliotekën e burgut. Një tjetër argument i paraqitur nga Alimuçaj, për lirimin e parakohshëm, është edhe fakti se ai ka kryer më tepër se tre të katërtat e dënimit dhe duhet të përfitojë në bazë të ligjeve në fuqi. Për shkak të ngarkesës, gjyqtarja e çështjes e ka caktuar seancën më datë 17 nëntor, një muaj pas dorëzimit të kërkesës së Alimuçajt. Ish-bosi i piramidës VEFA është dënuar me 20 vjet burg, pasi është gjetur fajtor për vjedhje me anë të mashtrimit në përpjesëtime të mëdha. Ai u arrestua më 28 prill të viti 1998 në Tiranë, ndërsa u lirua me “arrest shtëpie” për shkak të gjendjes shëndetësore. Pasi mori dënimin nga Gjykata e Faktit me 14 vite burg, ai u rikthye në qeli, kurse Gjykata e Apelit Tiranë në vitin 2001, e ndryshoi vendimin duke e rritur në 20 vite burg, të cilin e la në fuqi Gjykata e Lartë në vitin 2002, kohë pas të cilës ish-bosi i VEFA u transferua në burgun e Peqinit. fa.ma.