Malajzia njeh Republikën e Kosovës
Malajzia ka njohur zyrtarisht Republikën e Kosovës. Njoftimin e ka marrë ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Skënder Hyseni, nga shefi i Zyrës së Malajzisë në Kosovë, Mustafa Hj. Mansor. Ky i fundit ia dorëzoi ministrit Hyseni letrën e ministrit të Jashtëm të Malajzisë, Dr Rais Yatim. Kështu numri i vendeve që kanë njohur Kosovën shkon në 52, ndërkohë që Haga po përgatitet për procesin e kërkuar nga Serbia mbi vlerësimin e ligjshmërisë së pavarësisë së Kosovës. Që kur Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara miratoi kërkesën e Serbisë, pavarësia është njohur nga katër vende: Maqedonia, Mali i Zi, Arabia Saudite dhe tashmë Malajzia. “Dëshiroj t’i referohem bisedës sonë të përbashkët gjatë takimit të mbajtur në margjinat e Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, më 27 shtator 2008, në Nju Jork. E çmoj mundësinë, që patëm për të shkëmbyer pikëpamjet, lidhur me çështjet e interesit të përbashkët duke përfshirë edhe zhvillimet në Kosovë. Kam nderin që Shkëlqesisë Suaj dhe përmes Jush edhe Qeverisë së Kosovës njoftimin se Qeveria e Malajzisë ka njohur pavarësinë e Republikës së Kosovës. Më lejoni, Shkëlqesi, t’jua përcjell Ju dhe Qeverisë së Kosovës dëshirat më të sinqerta në përpjekjet tuaja të ardhme. Pranoni Shkëlqesi konsideratat e mia më të larta”, thuhet në letrën e ministrit të Jashtëm të Malajzisë, Dr. Rais Yatim, dërguar ministrit të Punëve të Jashtme të Kosovës, Hyseni. Shefi i zyrës së këtij vendi në Kosovë, Mustafa Hj. Mansor, tha se vendi i tij është i interesuar të vendosë marrëdhënie diplomatike me Kosovën, në një të ardhme të afërt.