E Shtunë, 31 Tetor 2026

Emigrantët e paligjshëm, firmoset marrëveshja e riparimit me Italinë

 

TIRANE - Ministri i Brendshëm Bujar Nishani priti dje në një takim nënsekretarin e Ministrisë së Brendshme të Italisë, Alfredo Mantovano, i cili më pas nënshkroi me Zëvendësministrin e Brendshëm, Gent Strazimiri, Protokollin e Zbatimit të Marrëveshjes së Ripranimit të Personave me Qëndrim të Paautorizuar. Ministri Nishani gjatë takimit i paraqiti Nënsekretarit Mantovano disa nga arritjet kryesore të qeverisë shqiptare dhe posaçërisht të strukturave të zbatimit të ligjit, në luftën kundër kriminalitetit, në veçanti atij të organizuar, trafiqeve të paligjshme dhe korrupsionit. Nishani vlerësoi se një rol të rëndësishëm për këto arritje ka edhe niveli i lartë i bashkëpunimit dhe shkëmbimit të informacionit me strukturat e zbatimit të ligjit dhe policinë italiane. Gjithashtu ministri e informoi nënsekretarin italian për ecurinë e projektit madhor të qeverisë shqiptare për pajisjen e qytetarëve me letërnjoftime elektronike dhe pasaporta biometrike, si dhe në përpjekjet që po bën qeveria dhe strukturat policore për forcimin e mëtejshëm të sigurisë së kufijve dhe realizimin e të gjithë aspekteve të plan veprimit për menaxhimin e integruar të kufijve. Kurse Mantovano, duke vlerësuar hapat e rëndësishëm të Shqipërisë ,si në drejtim të zhvillimit social-ekonomik, edhe në luftën kundër krimit të organizuar, trafiqeve e korrupsionit tha se “Italia kohë më parë përballej me fluksin e madh të klandestinëve në kanalin e Otrantos ndërsa sot është dëshmitare e përpjekjeve të qeverisë shqiptare që e kanë bllokuar këtë trafik”. Pas takimit vijoi ceremonia e nënshkrimit të Protokollit të Zbatimit të Marrëveshjes së Ripranimit të Personave me qëndrim të Paautorizuar mes Shqipërisë dhe Italisë nga zëvendësministrit Strazimiri dhe Nënsekretarit Mantovano. Edhe gjatë kësaj ceremonie ishte i pranishëm Ministri i Brendshëm, Nishani si dhe ambasadori italian në Tiranë. Ky protokoll mbështetet në marrëveshjen mes Shqipërisë dhe Komunitetit Evropian, nënshkruar në Luksemburg më 14 prill 2005.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›