E Shtunë, 31 Tetor 2026

TANI, njeriu që bashkoi virtualisht shqiptarët

Ai që bëri shumë për Kosovën

Familje, vëllezër, bashkëpunëtorë, miq e dashamirës të Tanit,

Zoti Ju lashtë shëndoshë!

Pranoni ngushëllimet tona më të thella me rastin e humbjes së Tanit, Tanit që aq shumë bëri me "Top"-in për gjithë shqiptarët dhe Kosovën në veçanti.

Tani bëri njëjtësimin tonë shpirtëror kombëtar më shpejt për këto disa vite se të tjerë para tij. Tani na lidhi mes vete më shpejt se sa imagjinohet.

Bëhuni të fortë e mos u ligështoni, Zoti ju forcoftë!

Lavdi jetës e veprës së Tanit t‘Topit!

Baton Dushi, Prishtinë

Skënder Berisha, Fushë-Kosovë

Visar Fejzullahu, Prishtinë

Një humbje e pakompensueshme

Vdekja e themeluesit të "Top Media"-s dhe të gazetës "Shqip", Dritan Hoxha, në moshën më krijuese, është një humbje e madhe dhe e pakompensueshme për mediat shqiptare. Stafi i shtypshkronjës "Tirana Print" i shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes së Tanit, gazetës "Shqip" dhe "Top Media"-s, të afërmve dhe miqve të tij. Jemi mirënjohës për bashkëpunimin që patëm, duke botuar gazetën "Shqip" që nga numri i parë.

Shtypshkronja "Tirana Print"

Vizionar, dinamik dhe i suksesshëm

Njeri me vizione, këmbëngulës në realizimin e projekteve, shumë dinamik, cilësor dhe shumë i suksesshëm. Të tillë e njoha Tanin në ato pak takime pune që kam pasur me të, para se të fillonte botimi i gazetës "Shqip". Dhe ne duhet të mësohemi t‘u gëzohemi sukseseve të tjetrit, t‘i jemi mirënjohës dhe ta përkrahim. E kundërta, nuk na falet. Tani ka bërë aq shumë për median elektronike dhe të shkruar mbarëshqiptare.

Mehmet Emërllahu

Dritani ishte një vlerë madhore

Bashkohemi me Ju në dhimbjen për humbjen e njeriut tuaj të dashur, duke Ju shprehur dhe ngushëllimet tona më të sinqerta. Me humbjen e Dritanit ka humbur një njeri që, si rrallëkush, jo vetëm në historinë e viteve të fundit, por edhe në gjithë historinë e popullit shqiptar, arriti të krijojë një vlerë, që me dimensionet e saj ia doli të ishte e prekshme për tërë popullin shqiptar.

Dritani vetë ishte një vlerë madhore, sepse misionin që i vuri vetes, kërkoi ta realizojë dhe e realizoi, duke bashkuar shumë vlera, por edhe duke mbrojtur mjaft vlera të tjera, që në një mënyrë a një tjetër, janë të rrezikuara në epokën e sotme të globalizmit.

Aleanca Qytetare për Mbrojtjen e Gjirit të Vlorës, që aspiron për një kauzë dhe vlerë fisnike, ka ndjerë nga afër mbrojtjen dhe përkrahjen e "Top Media"-s, ku fryma e misionit të Dritanit ka qenë e padiskutueshme. Pikërisht, edhe për këtë ne përkulemi me nderim përpara kujtimit të tij.

Paqe për shpirtin e tij!

Forcë dhe kurajo për familjarët!

Forcë, kurajo dhe frymëzim për punonjësit e "Top Media"-s në përmbushjen e misionit të Dritanit.

Aleanca Qytetare për Mbrojtjen e Gjirit të Vlorës

Dritan Hoxha, një shembull shumë i mirë

Shprehim ngushëllimet e sinqerta për humbjen e Presidentit të "Top Media"-s, z. Dritan Hoxha. Në këtë ditë dhimbjeje ngushëllimet tona u drejtohen familjarëve, miqve të tij dhe gjithashtu kolegëve e bashkëpunëtorëve të tij.

Dritan Hoxha ishte ndër ata njerëz, që falë pasionit dhe përkushtimit arriti të krijonte një kanal radioteleviziv shqiptar me përmasa të mëdha, duke i dhënë opinionit publik shqiptar brenda dhe jashtë vendit transmetime dinjitoze e profesionale. Ai ishte një shembull shumë i mirë se si energjia dhe pasioni individual mund të vihen në shërbim të njerëzve.

Grupi Shqiptar i të Drejtave të Njeriut

Një humbje që i preku të gjithë

E nderuara redaksi!

Ju lutem pranoni ngushëllimet e mia më të sinqerta për humbjen e Presidentit të "Top Media"-s, z. Dritan Hoxha. Ishte një humbje që ka prekur çdo shqiptar, që është në dijeni për veprën e tij të madhe. Unë jam një student nga Kosova, që studioj në Angli dhe jam lexues i rregullt i gazetës "Shqip" që nga fillimi dhe e kam ndjerë si obligim, si një i ri nga Kosova, të shkruaj disa fjalë për të ndjerin Dritan Hoxha, si shenjë respekti për punën që ka bërë.

Me respekt!

Ai i bashkoi virtualisht shqiptarët

Dritan Hoxha ishte dhe do të mbetet babai medial i nismës së vënies në praktikë të realizimit të synimit tonë kombëtar të Shqipërisë etnike.

Përmes kompanisë së tij prestigjioze, "Top Media", Ai arriti që së paku virtualisht t‘i bashkojë të gjithë shpirtrat tanë të ndarë në 6 copëza dhe kudo në diasporë.

Kufiri është vepër njerëzish, ndërsa eteri i paskajshëm, pjellë e Zotit. Dritani depërtoi mu aty, në të pafundmen hyjnore, duke na inkurajuar të mbetemi ashtu si gjithnjë krenarë - O sa mirë me qenë shqiptar!

Çdo fjalë tjetër do të ishte e tepërt për Dritanin...

I lehtë i qoftë dheu i Shqipërisë!

Në emër të të gjithë shqiptarëve që mendojnë kështu si unë,

Adnan Abrashi

Një humbje e pakthyeshme për mediat

E nderuara familje Hoxha!

Të nderuar punonjës të kompanisë "Top Media"!

Humbja e Tanit t‘Topit mund të cilësohet një tragjedi për kombin shqiptar.

Largimi i tij fizik nga kjo botë është një humbje e pakthyeshme për mediat shqiptare, të cilat me punën e tyre profesionale po i tregojnë botës vlerat e tyre dhe dëshirën për të ndërruar paragjykimet për shqiptarët, të cilët me punën e tyre po tregojnë se janë faktorë të rëndësishëm në betejën e madhe për paqe e stabilitet.

Me largimin fizik të Tanit nga kjo botë, u mbyll një pjesë e dritares informative, e cila i dha këtij populli një pasqyrë tjetër për njerëzit dhe vendin ku ata jetojnë.

Të gjithë ne jemi të pikëlluar, por edhe krenarë që patëm një njeri, i cili na tregoi se nga ne varet si na vlerësojnë të tjerët.

Të gjithë ne që punojmë në media duhet të vazhdojmë aty ku e la Tani, për një ardhmëri më të ndritshme në trojet tona shqiptare.

Lavdi!

Punonjësit e televizionit kosovar "ON TV"

Njerëz si TANI vijnë për të mos ikur

Nuk e njoha kurrë Tanin, por e kisha gjithnjë pranë. Vetëm TOP ka te ne, vetëm TOP shihet. Edhe lajmet te TOP-i, edhe PORTOKALLIA TOP është, edhe SHQIP-i po TOP është. Po transmetimet në DIGITALB? Të gjitha TOP. TOP, sepse ishin të gjitha mbi të tjerat, TOP se kishin gjëmimin e një topi të rëndë artilerie, që na bënte të ndienim se kishim një njeri, i cili vinte në lëvizje topin. Dhe ky ishte Tani. Po i them edhe unë Tani, për ta afruar më shumë, si ta kisha një mik. Kurrë nuk e njoha atë djalë. Do të isha shumë krenar ta kisha takuar, qoftë edhe një herë. Ai sigurisht nuk kishte nevojë për mua, ne patëm nevojë për të.

Pse duhet të presim të vdesë që të njohim madhështinë e tjetrit? Shikoja në transmetim pamje me Tanin. Atij vetëm sytë t‘i shihje... një shkreptimë e vërtetë! Gjithçka e përfshinte ai, me sytë e tij, gjithçka!

Thonë sot: Tani ishte një gjeni! Po dje, vallë nuk e dinin? Po, Tani ishte një gjeni, që nuk ditëm ta ruanim! Ai ishte ndryshe nga ne të tjerët. Sepse u ngrit me mendjen e tij mbi ne, çau me forcat e veta përpara, hapi rrugë të reja.

Tani hapte rrugën, i kishte hipur një buldozeri gjigant që dinte të çante vetëm thellë, hiqte baltën që të zinte sytë. Tani ishte një gjigant që nuk mund të imitohet, duhet të kesh mendjen e tij që të bësh gjëra të tilla. Sa keq që nuk i shtrëngova dorën, qoftë dhe një herë të vetme. Do ta ndjeja akoma edhe sot!

Me shume respekt dhe dashuri

Muhamed Laknori

Prato, 25 maj 2008

"Pedagogu" që na mësoi gjuhën shqipe

Na preku pa masë lajmi i hidhur për humbjen e Tanit, kur e morëm vesh, të rrethuar në sofrën tradicionale shqiptare, mëngjesin e së premtes në shtëpinë tonë, që me shumë dashuri e ngroh gjithmonë "Top"-i. Mbetëm të rrethuar, unë me gruan dhe të katër djemtë. Me "Top"-in për mua, me "Bang Bang" për djemtë dhe "Big Brother" për gruan, Tani u mishërua në familjen tonë. Këto rreshta le t‘i zbusin dhimbjen Nënës së Madhe të Tanit, sepse Tani këndej nga Kosova ishte dhe do të jetë gjithmonë në kujtim të një "pedagogu" që u mësoi shqipen djemve të mi.

Bashkëpunëtorëve të tij u mbetet një detyrë e madhe: jo vetëm ta mbajnë gjallë, por ta çojnë më tej "perandorinë" mediatike të Tanit.

Enver Zeneli, Pejë Kosovë

TANI u riktheu buzëqeshjen shqiptarëve

Humbja e Dritan Hoxhës është padyshim e madhe dhe e rëndë për familjen. Por puna dhe vepra që Tani ndërtoi bëjnë që ajo të jetë një humbje për të gjithë shqiptarët, pasi ai ndërtoi dritaren më të madhe të komunikimit dhe informimit, ndërtoi ekranin më të dashur për të gjithë. Prej 17 vjetësh, kur të gjithë u përfshinë nga ethet e fitimit dhe politikës, ishte ai që mendoi se shqiptarët kanë nevojë edhe të qeshin, pa marrë parasysh koston financiare. Ai riktheu në jetën e shqiptarëve humorin, duke themeluar spektaklin e madh "Portokalli". Ishte ky spektakël që ftoi sërish në skenë artistët dhe aktorët e humorit, të cilët kishin munguar për vite e vite me radhë. Ky spektakël është bërë miku më i madh i shqiptarëve kudo ku jetojnë, ndaj të gjithë i janë mirënjohës Dritan Hoxhës. Ndaj të gjithë ne kemi një arsye të madhe për t‘u ndjerë të pikëlluar sot, kur njeriu që bëri revolucionin e madh mediatik në Shqipëri nuk është më mes nesh.

Parodistët e Vlorës

Revolucionari i mediave në Evropë

Asgjë nuk e zëvendëson humbjen e më të dashurit, por të bën krenar kur ai lë gjurmë të pashlyera në historinë e njerëzimit.

Tani i "Top"-it bëri të pamundurën të mundur, duke u bërë shembull edhe për mediumet evropiane.

Zoti ju dhashtë kurajo për të vazhduar përpara!

I bashkohemi dhembjes së familjes Hoxha!

Redaksia e gazetës së përditshme

EPOKA E RE, Prishtinë

Fjalët më të bukura nuk do ndalen

Mendoj se 48 orët e fundit kam dëgjuar fjalët më të bukura, të vëna bashkë për një person, gjë që të bën të mendosh se nuk mund të gjesh më fjalë të tjera për të ngushëlluar familjen, miqtë, punonjësit e "Top Media"-s, si dhe të gjithë shqiptarët... Por nuk ndodh e njëjta gjë për Dritan Hoxhën. Fjalët për të kurrë nuk do e ndalin rrjedhën e tyre, sikurse idetë e tij kurrë nuk kishin të reshtur.

Shpreh keqardhjen time më të madhe për këtë ngjarje që preku zemrat e të gjithëve, pasi, sadopak, ai kishte ndikuar jo vetëm te të gjithë shqiptarët, por madje edhe në arenën ndërkombëtare, duke lartësuar emrin e Shqipërisë me teknologjinë më të fundit, tashmë të prekur nga ne.

Rrugëtim të mbarë drejt botës së përtejme!

Bora Hysi

Njeriu DIELL rron në "Top Channel"

Dhimbja ka kapërcyer kufijtë dhe lajmi për humbjen e krijuesit të grupit më të njohur mediatik, "Top Channel" ka shkuar deri në kontinentin e largët amerikan. Bashkatdhetarët tanë, emigrantë në SHBA dhe Kanada, përmes letrave online, kanë ngushëlluar familjen Hoxha, nënën, bashkëshorten, fëmijët, miqtë dhe të afërmit e bashkëpunëtorit të këtij gjeniu mediatik, i cili përmes paltformës ‘DigitAlb‘ dhe programeve televizive, u fali me aq bujari copëza Shqipërie atje larg, në dheun e huaj, duke ua bërë atë më të lehtë.

Njeriu "DIELL" Dritani, rron në "Top Channel" përjetësisht! Tani ishte mbi të gjitha një njeri i jashtëzakonshëm që jetoi, punoi me mendimin që t‘i jepte shoqërisë atë që ndoshta të tjerët nuk e bëjnë, edhe nëse e kanë mundësinë. Ishte lindur për shoqërinë njerëzore dhe i dha asaj gjithçka kishte në mendje dhe zemër.

Dhimitër Xhoga, Toronto, Kanada

Deklaratë e Qëndrës Rajonale të Studimit dhe Trainimit të Mediave

Qendra Rajonale e Studimit dhe Trainimit të Mediave në Gjirokastër i shpreh ngushëllimet më të thella familjes dhe bashkëpunëtorëve më të ngushtë të Presidentit të "Top Media"-s Dritan Hoxha. Vdekja aksidentale e themeluesit, sponsorizuesit dhe drejtuesit të përkushtuar të grupit më të madh mediatik bashkëkohor shqiptar, konsiderohet një humbje me përmasa kombëtare, pasi vetë Dritan Hoxha dhe kompania "Top Media" që ai krijoi, përbëjnë pa asnjë dyshim një pasuri me vlera të jashtëzakonshme kulturore kombëtare. Ndajmë dhimbjen tonë të thellë me familjarët, miqtë dhe kolegët për këtë humbje që shkon përtej rrethit të familjarëve dhe kolegëve që e njohën dhe që kishin fatin e madh të punonin nga afër me Dritan Hoxhën, me njeriun që udhëhoqi një revolucion të vërtetë kulturor në drejtim të cilësisë dhe standardeve më të larta të transmetimeve televizive.

Me pasionin e tij të pashembullt për të prekur nivelet më të larta të teknikës dhe teknologjisë dhe duke respektuar në transmetimet e "Top Media"-s standardet me të larta të etikës e parimeve që u përkasin mediave dhe shtypit të lirë e të pavarur, Tan Hoxha ka përciellë në Evropën e sotme dhe në botën e transmetimeve televizive tokësore dhe satelitore profilin dhe imazhin e një Shqipërie ndryshe.

Ndihemi tërësisht të pikëlluar dhe të tronditur përballë kësaj vdekjeje aksidentale e të parakohshme të Dritan Hoxhës, të këtij shqiptari të përkushtuar ndaj kulturës kombëtare dhe elitës së saj krijuese, ndaj progresit teknologjik në fushën mediatike, por edhe ndaj krijimit të hapësirave transparente informative për ndriçimin e skutave më të errëta dhe parodizimin e dukurive primitive të shoqërisë së periudhës tranzicionale në Shqipëri

Ky shembull i përkryer i biznesmenit të suksesshëm do të kujtohet gjatë nga të gjithë si ideatori dhe realizuesi i grupit më të madh mediatik shqiptar, ku përfshihen ‘Top Albania Radio‘, televizionet ‘Top Channel" e ‘Top News‘, ‘DigitAlb‘, gazeta ‘Shqip‘ etj, media që janë sot pika të rëndësishme referimi dhe modele të përkryera të standardeve perëndimore, mendimit të guximshëm intelektual, ideve krijuese, inkurajimit të krijimtarisë artistike, nxitjes së mendimit të pavarur dhe fjalës së lirë.

Dritan Hoxhës do t‘i jemi përherë mirënjohës, pasi grupi mediatik që ai krijoi është transformuar brenda një kohe të shkurtër në zërin më autoritar në mbrojtje të shtresave të paprivilegjuara të shoqërisë, por edhe të interesave kombëtare brenda dhe përtej kufijve të Shqipërisë.

Qendra Rajonale e Studimit dhe Trajnimit të Mediave

Gjirokastër


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›