Identifikohen dy të dyshuar për vrasjen e rojës
Dy persona janë identifikuar nga policia si të dyshuar për vrasjen e rojës së pikës së karburantit në Kashar, ngjarje e ndodhur pak javë më parë. Grupi hetimor ka ngritur dyshimet mbi dy persona, emrat e të cilëve nuk janë publikuar, pasi hetimi ende vazhdon deri në dokumentimin e plotë të dosjes penale. Sipas policisë, gjatë ditëve të fundit janë marrë në pyetje një sërë personash në lidhje me vrasjen e Altin Hoxhës, ndërkohë që ende nuk ka asnjë të arrestuar. Forca të policisë së kryeqytetit kanë shoqëruar të dyshuarit nga Kashari në lidhje me vrasjen e Altin Hoxhës, ngjarje e ndodhur disa ditë më parë, në një pikë shitjeje gazi, në mbikalimin e Kasharit, në krah të autostradës. 35-vjeçari u gjet i vrarë më shumë se 10 ditë më parë, pasi ishte goditur me sëpatë në kokë. Gjatë hetimeve për këtë ngjarje, policia ka zbuluar se në vrasjen e këtij personi kanë marrë pjesë dy persona. Duke ndjekur këtë pistë hetimi, uniformat blu kanë identifikuar dy të dyshuar, por për mungesë provash ata nuk mund të arrestohen. Njëkohësisht, policia deklaroi se veç pistës për këta dy persona nuk janë lënë mënjanë as pista të tjera hetimi, pasi kemi të bëjmë me një krim pa autor, ndërkohë që nga marrja në pyetje të familjarëve të tij nuk ka rezultuar ndonjë e dhënë për identifikimin e autorëve të mundshëm të ngjarjes. Policia e kryeqytetit tha se sektori i hetimit të vrasjeve është duke u hetuar për këtë ngjarje në tri pista, që janë për motive të dobëta, ose ndonjë zënkë momentale që mund të ketë sjellë vrasjen e 35-vjeçarit, që punonte si roje në një pikë gazi të braktisur në fshatin Kashar, pak kilometra larg Tiranës. Ekspertët e mjekësisë ligjore pohuan paraprakisht se ai është vrarë me sende të forta prerës, sëpatë. Burimet zyrtare të policisë së kryeqytetit thanë se nga këqyrja e trupit të viktimës rezulton se ai ka marrë plagë të rënda në pjesë të ndryshme të trupit, të cilat i kanë shkaktuar vdekjen.