E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pakti PD-PR: Kompensim tokave para legalizimit

Dilema e ndarjes së pronave dhe ligjit të legalizimeve do të diskutohet sot në Komisionin e Veprimtarisë Prodhuese në Kuvend. Negociatat mes Partisë Demokratike dhe Partisë Republikane kanë mbaruar në kohë rekord dhe projektligji ndodhet në Kuvend për shqyrtim. Ideja e republikanëve është që të bëhet njëherë procesi i ndarjes së pronës dhe legalizimet e ndërtimeve pa leje të bëhen më vonë. Kjo është pika që sjell edhe përplasjen kryesore mes PD-së dhe aleatëve të saj më të ngushtë. Komisioni për Veprimtarinë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin do të shqyrtojë sot dekretin nr. 5687, datë 29.4.2008 "Për kthimin për rishqyrtim të ligjit nr. 9895, datë 10.04.2008, "Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 9482, datë 3.04.2006 "Për legalizimin, urbanizimin dhe integrimin e ndërtimeve pa leje", të ndryshuar. Ligji i legalizimeve u refuzua nga Presidenti i Republikës në pesë pika kryesore të tij. Pas dorëzimit të projektligjit në Kuvend nga Partia Demokratike, mbledhja e komisionit për ligjin e legalizimeve u shty për të vazhduar me negociatat PD-PR lidhur me pikën e nxehtë që prek ndarjen e pronave për ish-pronarët dhe për legalizimin e banesave pa leje për qytetarët.

Projektligji i ri

Negociatat kishin në thelb jo ndryshimin në tërësi të ligjit të legalizimeve, por vetëm që të përcaktonin afatet. Rezultat i negociatave ishte dhënia e titujve ekzekutivë nga ALUIZNI, kështu që ligji është kërkuar që të mos preket në tërësi, por të përcaktohet vetëm afati. Dy partitë e djathta kanë rënë dakord parimisht për ndryshimet përkatëse dhe gjithçka mbetet për t‘u shqyrtuar në Komisionin e Veprimtarisë Prodhuese. Arjan Madhi nga republikanët, Sokol Olldashi nga demokratët dhe Shaban Memia, drejtor i ALUIZNI-t kanë vendosur pikat mbi "i" lidhur me ligjin e ri të legalizimeve. Republikanët propozojnë që në momentin kur të jepen lejet e legalizimit për një subjekt, kjo procedurë të mos zgjasë më shumë se tre muaj dhe të jepet edhe dëmshpërblimi përkatës për subjektin e shpronësuar që ka tokën në ndërtimin informal. Madhi e ka konsideruar përcaktimin e afatit si të nevojshëm për t‘u respektuar dhe për t‘u parë në ligjin që u kthye nga Presidenti Topi. Numri dy i republikanëve e ka cilësuar si të paqartë ligjin e mëparshëm. "Kemi kërkuar që, krahas legalizimit të ndërtimeve informale, të respektohen edhe ish-pronarët si pjesë e ligjit në këtë proces", është shprehur pala republikane në negociata. PR-ja kundërshtoi hapur miratimin e ndryshimeve në ligjin e legalizimeve, të cilat u miratuan në Kuvend me një minimum votash, vetëm 52 vota pro. Reagimi i republikanëve u mor në konsideratë nga Presidenti i Republikës, Bamir Topi, i cili riktheu ligjin në Kuvend. Tashmë pritet që ligji të diskutohet në komisionet e posaçme parlamentare, ku pritet të bëhen publike ndryshimet që kanë vendosur palët me njëra-tjetrën. Gjithsesi, thelbi i problemit mbetet i pazgjidhur për çështjen e pronësisë.

AKKP

4 miliardë dollarë për ish-pronarët

Agjencia Kombëtare e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave ka rikonfirmuar shumën që do t‘i japë zgjidhje dilemës për të kompensuar ish-pronarët. AKKP-ja ka përllogaritur faturën e cila është 4 miliardë dollarë. Nëse do të ecej me shifrën e përllogaritur më parë, e cila ishte 5 milionë dollarë çdo vit, atëherë shtetit do t‘i duhej që të mbyllte procesin e kompensimit të ish-pronarëve për afro 200 vjet.

Shifra 4 miliardë dollarë, ndonëse pesë herë më e ulët se ajo që kishin përllogaritur ish-pronarët, është një faturë e papërballueshme për buxhetin e vogël të shtetit shqiptar, ndërkohë që nuk kanë munguar as zëra se nuk kanë përse të ngarkohen taksapaguesit me një faturë që nuk është e tyre. Por pavarësisht debateve bazuar edhe në statistikat e publikuara nga AKKP-ja, problemi i pronës bëhet shumë kompleks dhe me shtrirje gjeografike në të gjithë vendin, ndonëse me përmasa të ndryshme. Këshilli i Ministrave është duke punuar për rishikimin e tarifave të përcaktuara deri tani për vlerën e tokës.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›