E Diel, 1 Nëntor 2026

TAP, drejt mbylljes marrëveshja politike me Shqipërinë, Greqinë dhe Italinë

21-07-2012 / Gazeta 55

Konsorciumi i gazsjellësit: Projekti ka avancuar
 
Konsorciumi i projektit për ndërtimin e gazsjellësit TAP po punon për arritjen e një marrëveshje politike të një niveli të lartë mes Shqipërisë, Greqisë dhe Italisë. Kështu ka komentuar në Bruksel drejtori i marrëdhënieve me jashtë të projektit TAP, Michael Hoffmann. “Jemi duke punuar edhe me qeverinë italiane, ka thënë Hoffmann dhe duhet të reagojmë si një skuadër. Projekti ka avancuar dhe tashmë duhet të vijojmë me një marrëveshje të një niveli të lartë, më parë ajo ndërministrore e më pas ajo ndërqeveritare mes vendeve të interesuara të projektit”, ka shtuar ai.
Drejtori për marrëdhëniet me jashtë i TAP, ka deklaruar se gjithsesi, prioritet mbetet, furnizimi me gaz nga Kaspiku, pavarësisht gazsjellësit të zgjedhur. Nga ana e tij, TAP planifikon ndërtimin e një gazsjellësi nën detin Adriatik dhe që do të kalojë nëpër Greqi, Shqipëri dhe Itali për të sjellë gazin natyror nga Azerbajxhani në Europë.
Sa u përket afateve konkrete, gara mes dy projekteve në garë për të sjellë gazin nga fusha Shah Deniz e Azerbajxhanit, do të mbyllet në gjysmën e dytë të vitit të ardhshëm, 2013. Ndërsa dhe nënshkrimi i një marrëveshjeje mes Greqisë, Shqipërisë dhe Italisë në nivel ministror, pritet që të ndodhë në muajin shtator të këtij viti. Nga ana tjetër, mediat e huaja kanë informuar së fundmi, se e interesuar të blejë një pjesë të aksioneve të projektit Trans-Adriatik, është shfaqur kompania e njohur italiane “Enel”. Bëhet fjalë për blerjen e një kuote prej 10 deri në 20 për qind të aksioneve të tij. 
Përmes projektit të gazsjellësit TAP, Shqipëria përfiton mundësinë të zhvillojë një treg shqiptar të gazit, të rrisë investimet e huaja, si dhe lehtëson procesin e integrimit në Bashkimin Evropian. Gazsjellësi TAP është pjesë e Korridorit Jugor dhe është skicuar që të transportojë gazin nga rajoni i Kaspikut dhe Lindjes së Mesme drejt Europës. Ky gazsjellës kalon në Greqi dhe më pas në territorin shqiptar për të përfunduar në Itali. Gjatësia e tij nënujore nga Shqipëria në Itali është 115 kilometra.
 
 

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›