Propozimet e PS – një tentativë për të marrë peng çfarëdo hetimi për korrupsion

Kërkesa për emërimin e gjyqtarëve dhe të kryeprokurorit me shumicë të cilësuar paralizon çfarëdolloj përpjekjeje për të hetuar korrupsionin në radhët e politikës dhe merr peng njëherë e mirë mundësinë për ndërtimin e institucioneve të pavarura
Topalli: Kushtetuta ndryshon vetëm për imunitetin, opozita të tregojë vullnet
Nisma për heqjen e imunitetit të deputetëve dhe zyrtarëve të lartë të vendit hyn në
procedurën normale të shqyrtimit. Para fillimit të mbledhjes së këshillit të legjislacionit dhe komisionit të ligjeve, PS dorëzoi amendamentet për kufizimin e imunitetit, si dhe ato për ndryshimin e disa kapitujve të tjerë në ligjin themelor të shtetit. Kryetarja e Kuvendit, Topalli dhe kreu i komisionit të ligjeve, Rusmali e cilësuan propozimin e socialistëve si një përpjekje për të shkelur rregulloren e Kuvendit, dhe për të kushtëzuar nismën e mazhorancës
Këshilli i Legjislacionit dhe Komisioni i Ligjeve nisi dje zyrtarisht procedurat për diskutimet mbi heqjen e imunitetit të zyrtarëve dhe gjyqtarëve. Në fjalën e saj, në çelje të mbledhjes, kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli ftoi opozitën të tregojë vullnetin politik dhe të miratojë heqjen e imunitetit sipas kalendarit të miratuar nga konferenca e kryetarëve. Topalli tha se nisma në fjalë ka një histori gati 10-vjeçare, që fillon që në vitin 2003 dhe ka qenë nisma me ecurinë më të ngadaltë në historinë e Parlamentit shqiptar.
Jozefina Topalli nënvizoi se nëpërmjet kësaj nisme deputetët kanë mundësinë të shprehin vullnetin e tyre me votë dhe jo me fjalë për të qenë të barabartë para ligjit ashtu si të gjithë qytetarët shqiptarë.
“Një formalizim të ri i heqjes së imunitetit të zyrtarëve të lartë duke filluar nga deputetët e parlamentit të Shqipërisë dhe duke vazhduar në institucione të tjera të Këshillit të Evropës dhe Bashkimit Evropian që janë më të specializuara PACA dhe EURALIUS. Përpara shqiptarëve si deputetë ne kemi detyrë për tu thënë atyre që ne nuk kemi asnjë arsye më shumë se deputetët e çdo vendi tjetër , të çdo parlamenti tjetër që të mbajmë imunitetin. Për këtë kemi momentin jo ta themi me fjalë, por me votë”, tha Topalli.
Ajo theksoi se heqja e imunitetit është një çështje që i takon shtetit ligjor, luftës kundër korrupsionit dhe mbi të gjitha është një çështje që i takon standardeve dhe moralit.
“Sot është rasti jo thjesht për të folur në parim. Është rasti për të thënë ‘Po! Ne të gjithë bashkë të majtë dhe të djathë do të votojmë kufizimin e imunitetit’. Duke filluar nga vetja jonë dhe pastaj duke shtuar të gjithë institucionet që mbajnë imunitet”, theksoi Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli.
Në vijim deputeti i Partisë Demokratike, Edi Paloka paraqiti nismën për ndryshimin e Kushtetutës për heqjen e imunitetit për zyrtarët e lartë, një projekt i hartuar me ekspertizën më të mirë të misioneve të Bashkimit Europian në fushën e luftës kundër korrupsionit dhe konsolidimit të sistemit gjyqësor, PACA dhe EURALIUS.
Pas prezantimit të nismave mbi këtë çështje, ku veç drafteve të PS dhe PD, edhe LSI ka depozituar një nismë, por që për shkak të rregullores nuk mund të futet si një draft më vetë, pasi duhet të gëzojë firmën e një numri të caktuar të firmash, Topalli i mëshoi faktit se propozimet e demokratëve vijnë në mbështetje të rekomandimeve të institucioneve ndërkombëtare të specializuara në këtë fushë. Në prezantimin e draftit të PD, deputeti Edi Paloka tha se mazhoranca ka marrë këtë vendim, me qëllimin e vetëm për të arritur atë që është e domosdoshme, konsensusin.
“Ne si mazhorancë, për të mos i lënë kohë dhe rrugë përplasjeve, vendosëm të paraqesim para parlamentit projektin tonë, që është një projekt i bazuar në ekspertizën e Këshillit të Europës, PACA-s, dhe i BE-së, EURALIUS”, tha ai.
Ndërsa, deputeti socialist, Fatmir Xhafa bëri me dije qëndrimin e partisë që ai përfaqëson se PS në parim është “pro” draftit të demokratëve, pasi ai është një ri-paraqitje e propozimeve të PACA dhe EURALIUS. Por, në propozimet e tyre socialistët përfshijnë dhe reformën në drejtësi, duke u orientuar kështu drejt ndryshimeve kushtetuese lidhur me zgjedhjen e anëtarëve të Gjykatës së Lartë, asaj Kushtetuese dhe Këshillit të Lartë të Drejtësisë.
“Është hera e parë që ka një nismë kushtetuese për heqjen e imunitetit. Në realitetin shqiptar ka pasur një qëndrim të përbashkët për kufizimin e imunitetit. Shumica reflektori dhe pas 8 vjetësh erdhi tek varianti ynë. Ne kemi shprehur qëndrimin tonë për domosdoshmërinë për heqjen e imunitetit dhe situata aktuale e korrupsionit në radhët e zyrtarëve të lartë e imponon një hap të tillë”, theksoi socialisti Xhafaj.
Sipas tij, ndryshimet duhet të shërbejnë edhe për ruajtjen e garancive për rolin e çdo opozite, për të mos goditur kundërshtarët politikë apo gjyqtarët për qëllime të caktuara. Ai ka theksuar më tej se PS-ja nuk do të ndërhyjë më në Kushtetutë me nxitimin e 4 viteve më parë, duke shtuar se duhet të vendoset një standard i ri në funksionimin e demokracisë parlamentare dhe vendosjes së shtetit ligjor.
Përballë një serie të gjatë propozimesh që shkojnë përtej heqjes së imunitetit, erdhi dhe qëndrimi i kryetares së Kuvendit. Topalli insistoi në respektimin e rendit të ditës, duke diskutuar dhe miratuar vetëm nenin që ka të bëjë me ndërhyrjen në Kushtetutë, gjithnjë për heqjen e imunitetit.
“Përpara shqiptarëve si deputetë ne kemi detyrën të tregojmë se ne nuk jemi ndryshe nga deputetët e tjerë dhe të mbrohemi me imunitet. Ne nuk kemi frikë për të hequr imunitetin dhe bashkë me kolegët e tjerë djathtas dhe majtas të votojmë për heqjen e imunitetit. Mua më duket bllokim, është justifikim sot për mos-heqjen e imunitetit. Unë nuk kam frikë të më hetosh për çështje të korrupsionit. Është koha që sot të majtë dhe të djathtë të votojmë për heqjen e imunitetit. Ta fillojmë nga vetja jonë. Hajde të shohim nenin për imunitetit, dhe është i rëndësishëm dhe na bën që kuvendi i Shqipërisë të shihet ndryshe në sytë e shqiptarëve dhe është një nga kriteret për integrimin. Në draftin tuaj trajtohet një gamë e gjerë çështjesh. Kërkoj që të respektojmë rendin e ditës. Janë shumë pika për të cilat duhet të ndryshojë Kushtetuta, për të mos thënë që po bëjmë një Kushtetutë re. Ndaj insistoj që të votohet pika që ka të bëjë me imunitetin. Nuk po votojmë as variantin e PD e as të PS, por atë të ndërkombëtarëve”, u shpreh kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli.
Nga ana e tij kryetari Komisionit të Ligjeve, Ilir Rusmali i cilësoi në kundërshtim me rregulloren përfshirjen në diskutime të propozimeve të PS-së të cilat nuk kanë të bëjnë me heqjen e imunitetit.
Sipas tij, PS paraqitet tashmë me kushte të reja për të mos hequr imunitetin.
Ndërsa përkundrejt fjalimit “çudibërës” të Fatmir Xhafës deputeti tjetër, Pandeli Majko ishte më konstruktiv, duke pranuar faktin e heqjes së imunitetit sipas axhendës së Kuvendit, pra në 6 gusht. Majko tha se opozita është e gatshme të votojë “pro” ndryshimit të kushtetutës për imunitetin.
“Opozita është e gatshme për të votuar “pro” heqjes së imunitetit, por bashkë me disa detaje të vogla, siç janë disa funksionalitete të disa neneve të sistemit të drejtësisë. Unë e heq imunitetin, por dal përballë një gjykatësi dhe prokurori që e kam emëruar unë. E gjithë kjo histori duhet trajtuar ballë publikut. Në Shqipëri ka të paprekshëm, shkojnë përballë gjykatë dhe nuk dënohen. Nga 92 deri sot të gjithë presidentit janë prodhuara nga ju, prokurorët janë zgjedhur nga ju. Sistemi i funksionimit të drejtësisë, presidenti, është i juaji, maxhoranca që miraton gjykatësit, është i juaji, ju keni dhënë prova që prokurorët dhe gjyqtarët i keni bllokuar”, tha Majko.