E Diel, 1 Nëntor 2026

Banka Botërore: “Reformat ekonomike të qeverisë “Berisha”, një histori suksesi”

21-07-2012 / Gazeta 55

Drejtoresha e Bankës Botërore për Evropën Jug-Lindore, Jane Armitage i ka deklaruar dje ministrit të Ekonomisë Haxhinasto se Banka Botërore do të jetë një mbështetëse për reformat që do të ndërmerren në ekonomi dhe fushën energjetike, pasi qeveria shqiptare është konfirmuar si një histori suksesi gjatë këtyre viteve të fundit
 
Reformat ekonomike të ndërmarra nga shteti në ndihmë të biznesit shqiptar, janë një histori suksesi. Kështu është shprehur drejtoresha e Bankës Botërore për Evropën Jug-Lindore, Jane Armitage në takimin e zhvilluar me ministrin e Ekonomisë Edmond Haxhinasto.
Në këtë takim përfaqësuesja e lartë e Bankës Botërore i ka dhënë mbështetjen e institucionit më të lartë financiar botërore zhvillimeve ekonomike në Shqipëri.
Armitage ka theksuar se Banka Botërore do të jetë një mbështetëse për ministrinë e Ekonomisë Tregtisë dhe Energjetikës në reformat që ajo do të ndërrmarrë në ekonomi dhe fushën energjetike.
Ndërsa ministri i METE Haxhinasto e ka vënë theksin në këtë takim tek rëndësia e vazhdimit të projekteve në fushën energjetike, si në investimet për Sigurinë e Digave, apo në Investimin e kryer në Termocentralin e Vlorës, që ka një rëndësi të veçantë për gjenerimin e energjisë elektrike në vend. Për kreun e ministrisë së ekonomisë thithja e investimeve të huaja direkte në Shqipëri dhe përmirësimi i klimës së biznesit janë nga prioritetet kryesore të ministrisë që ai drejton.
Ecuri pozitive e procesit të privatizimeve/Të dhënat zyrtare tregojnë për një bum privatizimesh gjatë pesë muajve të parë të vitit 2012 . Nëse për të gjithë vitin 2011 u shitën prona publike me vlerë rreth 438 milionë lekë, vetëm në periudhën janar-maj të këtij viti, të ardhurat nga procesi i privatizimeve janë realizuar në shumën e 607 milionë lekëve ose 658 për qind më shumë se plani dhe 274 për qind më shumë se viti i kaluar, për të njëjtën periudhë, kur nga privatizimet u siguruan 162 milionë lekë. Ndërkohë, procesi po ecën me ritme të larta dhe shumë dosje janë drejt ekzekutimit. Ky nivel arkëtimesh ka tejkaluar edhe parashikimet e Ministrisë së Financave e cila kishte vlerësuar që në pjesën e parë të vitit të realizonte të ardhura jo më shumë se 80 milionë lekë. Në fillim të këtij viti  ministria e Ekonomisë ka deklaruar se qeveria synon përfundimin e privatizimit të 500 aseteve publike. Plani është që 95 për qind e pronave shtetërore do të privatizohen. Sipas zyrtarëve të qeverisë, realizimi i këtij procesi do t’i shërbejë më shumë ekonomisë drejt liberalizimit të saj, duke i dhënë frymëmarrje të nevojshme sipërmarrjes private për të investuar. Sipas planit të qeverisë në rastet kur këto asete publike kanë pronarë, pronarit do t’i respektohet e drejta e parablerjes, ndërsa të tjerat të privatizohen në përputhje me rregullat e transparencën e plotë. Për Kryeministrin Berisha Shqipëria do ketë si pronë publike, digat e mëdha, shkollat, spitalet, parqet kombëtare e tokat pa pronarë, të tjerat do të jenë tërësisht në zotërimin, administrimin dhe menaxhimin e sektorit privat pasi kjo do ta bëjë ekonominë shqiptare shumë konkurruese.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›