Letër Berishës: “Presidenti, tërësisht jashtë ndikimeve politike”
Presidenti i zgjedhur Bujar Nishani largohet nga anëtarësia e PD
Presidenti i zgjedhur i Republikës z. Bujar Nishani përmes një letre dërguar dje Kryetarit të Partisë Demokratike, Prof. Dr. Sali Berisha, e njofton për largimin nga anëtarësia në Partinë Demokratike dhe dorëheqjen nga të gjitha funksionet e zgjedhura në këtë parti.
Ky largim vjen pas zgjedhjes së tij në postin e Presidentit të Republikës dhe në zbatim të përcaktimit kushtetues, ku Presidenti i Republikës nuk mund të jetë anëtar i asnjë partie politike. Presidenti i zgjedhur, Nishani, i ka adresuar kryetarit të Partisë Demokratike falënderimet për të gjithë vlerësimet që ka pasur nga strukturat e kësaj partie gjatë viteve të angazhimit dhe veprimtarisë së tij politike.
Presidenti Nishani, ka shprehur të gjithë vlerësimin e tij për hapësirën dhe ambientin bashkëpunues që ka pasur në strukturat e Partisë Demokratike, në promovimin e të gjitha vlerave demokratike dhe parimeve në të cilat ka besuar gjatë të gjithë kësaj periudhe.
Presidenti Nishani, me këtë rast, ka nënvizuar të gjithë përgjegjshmërinë e tij për të qenë një President tërësisht jashtë ndikimeve politike të çdo pale dhe një përfaqësues i interesave të qytetarëve, vendit dhe kombit.
Bujar Nishani u zgjodh në postin e kreut të shtetit më 11 qershor, në raundin e katërt, pasi ishin ezauruar 3 të parat pa kandidatë zyrtarë. Nishani mori mbështetjen e deputetëve të Partisë Demokratike dhe aleatëve të koalicionit PR-PDIU-LSI.
Republika e Shqipërisë
Telegrami/Me anë të një telegrami, Shoqata Antikomuniste “14 Dhjetori 1990”, në Elbasan, ka uruar presidentin e ri, me rastin e marrjes së detyrës – “Drejtuar Presidentit të Shqipërisë, Shkelqësisë së tij :Z.Bujar Nishani. Me shumë respekt me rastin e zgjedhjes tuaj në postin e kryetarit të shtetit shqiptar. Ju urojmë punë të mbarë në kryerjen e detyrës tuaj. Shoqata Antikomuniste “14 Dhjetori 1990” Elbasan, ju garanton mbështetje dhe mirëkuptim në vazhdimësi, duke pare tek personi juaj një njeri idealist të ëndrrës së rinisë dhe popullit shqiptar të Dhjetorit 1990 dhe për realizimin e Shqipërisë Europiane nën udhëheqjen tuaj”.