Vrasja së dyfishtë nga xhelozia, letra zbulon paramendimin
Tiranë - Vdekja e dyfishtë në Burgun e Peqinit ishte e paramenduar. Të paktën ky është konkluzioni paraprak që kanë nxjerrë hetuesit që po merren me zbardhjen e ngjarjes së ndodhur dy ditë më parë. I dënuari Mynir Muça pretendohet se i kishte mirëmenduar të gjitha veprimet që do të kryente në momentin që do të ishte me bashkëshorten e tij, Thëllëzën në dhomën speciale. Edhe pse letra e gjetur në dhomë ka kaluar për ekspertizë, mendohet se ishte shkruar para se të ndodhte ngjarja. Një ditë pas ngjarjes në burgun e Peqinit, ku u gjet i vdekur çifti Mynir dhe Thëllëza Muço, kanë mbërritur një sërë ekspertësh jo vetëm të grupit hetimor që po heton mbi ngjarjen. Për të mësuar diçka më shumë rreth të vërtetës së ngjarjes së rëndë që ndodhi brenda ambienteve të një burgu të sigurisë së lartë kanë qenë të interesuar edhe komisionerët e Avokatit të Popullit. Ndërkohë, drejtori i Burgut, Shkëlqim Kalemi sqaroi dje se në dhomën speciale nuk ndodhej asnjë mjet i paligjshëm që parashikon rregullorja e burgjeve. Po kështu Kalemi ka ritreguar edhe një herë orarin e lëvizjes së të dënuarit pak para se të ndodhte ngjarja e rëndë. Ndërkohë hetimet për ngjarjen i kanë kaluar qytetin e Peqinit duke nisur në Pogradec.
Letra
Letra e lënë nga i dënuari që solli vdekjen e dyfishtë nuk iu ka shërbyer ekspertëve vetëm për të mësuar arsyet që e detyruan të ndërmerrte një veprim të tillë. Ekspertiza e letrës pritet që t’iu vërtetojë hetuesve se ngjarja është e paramenduar. I dënuari mendohet se pak ditë më parë jo vetëm ka marrë parasysh se çfarë kishte dhoma speciale por edhe si do të mbyste gruan më pas veten. Fillimisht mendohet se arsyet për ngjarjen e rëndë kanë ardhur si pasojë për të shpëtuar fëmijët. Kjo ka mjaftuar për të vënë në lëvizje policinë e Pogradecit për të zbardhur më tej ngjarjen se cilët kanë realizuar pengmarrjen e saj dhe më pas e kanë përdhunuar. Trupat e pajetë të çiftit Mynir dhe Thëllëza Muço pas këqyrjes së vendit të ngjarjes u transportuan në Morgun e Tiranës për ekspertiza të mëtejshme. Ekspertiza u realizua nga mjekët ligjorë të kryeqytetit që vendosën përfundimisht arsyet e vdekjes së çiftit. Teza paraprake që kanë hedhur specialistët është se fillimisht i dënuari ka mbytur të shoqen dhe më pas ka gjetur një mënyrë për ta zënë korrenti. Ndërsa dje, pas mesditës trupat pa jetë kanë lënë morgun për t’u dërguar drejt vendlindjes së tyre në Pogradec për t’iu dhënë lamtumira e fundit nga të afërmit.
Ngjarja
Thëllëza kishte ardhur nga Pogradeci për të takuar bashkëshortin e saj në qeli bashkë me vjehrrin dhe vajzën e saj 6-vjeçare.
Mynir Muço kishte rreth një vit që nuk e kishte takuar bashkëshorten, pasi ajo nuk kishte pranuar. Sipas dëshmive vetëm pak ditë më parë babai i Mynirit ka arritur të bindë 26 -vjeçaren që jetonte në shtëpinë e prindërve të saj ta takojë burrin në burg. Në këtë takim Mynyri kishte kërkuar edhe dy fëmijët por gruaja kishte marrë vetëm vajzën e vogël gjashtë vjeçare. Pasi është çmallur me prindërit dhe me vajzën ai i ka treguar gruas se kishte kërkuar leje edhe për takim special që tani ishte katër orë. Gruaja megjithëse fillimisht ka ngurruar më pas ka pranuar duke e marrë këtë si shenjë pajtimi pas gjithë atyre që kishin ndodhur. Ende nuk dihet nëse ka pasur një debat mes tyre por mësohet se ata thuajse nuk komunikonin fare as me telefon.
Pasi ka mbaruar takimi me të gjithë pjesëtarët e familjes, vajza ka dalë jashtë qelisë, duke lënë babanë dhe nënën e saj në dhomën speciale. Asgjë nuk është dëgjuar në mjediset e brendshme vetëm kur gardianët kanë hyrë brenda në dhomë, ata janë shtangur kur kanë parë dy trupat e tyre pa jetë të 33-vjeçarit të dënuar dhe bashkëshortes së tij 27-vjeçare. Fillimisht u mendua për një vdekje aksidentale të dy bashkëshortëve. Më pas, kjo hipotezë ra. Sipas ekzaminimeve, rezultonte se rreth qafës se Mynir Muços gjendej një tel korrenti. Kjo i ka bërë autoritet e burgut të Peqinit të dyshojnë për një vetëvarje me korrent të dy bashkëshortëve. Gardianët pohojnë se nuk kanë dëgjuar të bërtitura nga dhoma ku gjendeshin bashkëshortët. Kjo i ka shtyrë hetuesit të mendojnë se mund të bëhet fjalë për një vrasje dhe më pas një vetëvrasje. Sipas të dhënave në grupin hetimor, dyshohet se Mynir Muço e ka mbytur më parë bashkëshorten e tij dhe më pas i ka dhënë fund edhe jetës së tij duke përdorur kabullin e ventilatori që gjendej në tavanin e dhomës. Në trupin e Thëllëza Muços janë gjetur edhe shenja dhune, të cilat i kanë çuar ekspertët të hedhin hipotezën se ky rast ishte një krim i pastër familjar. Miniri bashkë me dy vëllezërit Muço vuajnë dënimin në të njëjtin burg pasi janë dënuar për tentativë vrasje dhe armëmbajtje pa leje.
Gruaja tentoi ta linte
Mynir ishte baba i dy fëmijëve, një djali dhe një vajze. Ai ishte martuar me dashuri me një vajzë nga fshati Slabinjë i Mokrës së Poshtme, Thëllëzën. Banorët e zonës thanë se Myniri e ka rrëmbyer vajzën nga Slabinja pasi prindërit nuk ishin dakord që t’ia jepnin për nuse. Në vitin 1997 Mynyri kishte humbur aksidentalisht njërën këmbë. Ai ishte plagosur aksidentalisht me një kallashnikov dhe në njërën këmbë kishte vendosur protezë prej druri. Persona nga fshati Trebinjë thanë se motivet e kësaj tragjedie janë të shumta dhe ato filluan pas martesës së saj të dytë dhe largimit nga shtëpia e Muçove. Pas dënimit të bashkëshortit Mynyrit, Thëllëza largohet nga shtëpia e burrit në Trebinjë dhe martohet në një fshat tjetër të Mokrës. Por martesa e saj e re ka zgjatur vetëm pak muaj. Vëllezërit e Mynir Muços kanë shkuar tek shtëpia e burrit tjetër dhe e kanë rikthyer gruan në shtëpinë e tyre pasi i kanë thënë se “ke detyrime duhet të rrisësh fëmijët e vëllait tonë”.
Kreu i Burgjeve në Peqin për hetimin e ngjarjes
Menjëherë pas ngjarjes për në Burgun e Peqinit është nisur edhe Drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve, Gazmend Dibra. Kreu i Burgjeve ka kërkuar të sqarohet menjëherë ngjarja dhe të verifikohen të gjitha rrethanat në të cilat është regjistruar vrasja. Dibra nuk ka dashur të bëjë asnjë koment për mediat edhe pse ka qëndruar përreth tre orë brenda Burgut. Interesi i drejtorit Dibra ka qenë i madh, në krah të tij është parë edhe juristi i Drejtorisë së Burgjeve i cili ka marrë pjesë në verifikimin e procedurave të zhvillimit të takimit special që përfundoi me vdekjen e dy personave. Drejtori i Përgjithshëm ka kërkuar bërjen e ekspertizës së trupave në Tiranë dhe vetëm rreth orës 21:00 dy trupat e pajetë të çiftit janë nisur me një autoambulance drejt Tiranës, e dje pasdite për në Trebisht.
31 Korrik 2008