E Shtunë, 31 Tetor 2026

TEC-i në Durrës, kompania ENEL drejt diskutimit me bashkinë dhe komunitetin

>Javën e ardhshme, kompania energjetike italiane do të paraqesë për diskutim projektin e TEC-it  
Bashkia e Durrësit dhe përfaqësues të kompanisë energjetike italiane ENEL pritet të fillojnë një fushatë diskutimesh publike rreth projektit të TEC-it dhe pasojave pozitive që ky i fundit ka për vendin tonë. Bashkia e Durrësit është njoftuar se në fillim të javës së ardhshme përfaqësues të ENEL-it do të jenë të gatshëm që të shpjegojnë në mënyrë të detajuar projektin e TEC-it para zyrtarëve të bashkisë së Durrësit dhe në fund të janarit do të bëhet diskutimi me komunitetin. Kryetari bashkisë, Vangjush Dako ka deklaruar se bashkia do të kërkojë të dijë se çfarë ndikimesh negative ka për mjedisin dhe turizmin ky projekt dhe nga fitojmë ne më shumë si qytet: Nga TEC-i, apo nga turizmi. Dako ka shtuar se mund të kërkohet edhe mendimi i një kompanie ndërkombëtare të specializuar të mjedisit për të shpjeguar se çfarë do të ndodhë në qytetin e  Durrësit në rast se projekti në fjalë i kompanisë italiane do të miratohet.
Takimet e ENEL me vendorët
Takimi i përfaqësuesve të ENEL-it me zyrtarë të bashkisë së Durrësit nuk do të jetë i vetmi. Një ditë pas këtij takimi, ENEL-i ka rënë dakord që t'u përgjigjet edhe pyetjeve të anëtarëve të këshillit bashkiak, ndërsa pas një jave do të ketë një takim më të zgjeruar me pjesëmarrjen e specialistëve shqiptarë të fushave të ndryshme. Të njëjtat burime kanë bërë të ditur se janë bërë gati rreth 350 ftesa për këtë debat, i cili do të jetë pak a shumë i ngjashëm me të njëjtin debat që u zhvillua në fund të muajit shtator të vitit të kaluar në komunën e Katundit të Ri në Durrës. Takimi mendohet që të zhvillohet në pallatin e kulturës në Durrës dhe aty do të jenë të pranishëm specialistë të mjedisit, energjetikës, ambientalistë etj. Nisja e një turi të dytë diskutimesh para ndërtimit ose jo të TEC-it, duket se është vendosur pas reagimeve të shumta që ka ngjallur në publik ideja e kësaj vepre. Që në fillim ka pasur zëra kundërshtues në opinionin publik për dëmin që pritet të shkaktojë për turizmin ndërtimi i TEC-it me qymyr. Pikërisht për këtë arsye përfaqësuesit italianë mendojnë që të sqarojnë opinionin dhe specialistët se TEC-i nuk do të ndotë ambientin, ndërkohë që vendi ynë do të ketë përfitime të dukshme nga punësimi i rreth 1500 vetëve dhe sasisë së energjisë që do të ketë për nevojat e veta. Ndonëse përfitimet konkrete të vendit tonë nuk janë bërë ende të qarta, tashmë qeveria shqiptare ka nënshkruar një marrëveshje paraprake për këtë investim. Edhe në rast se nuk do të ketë pengesa për këtë projekt, mendohet se vetëm në vitin 2014 Shqipëria të përfitojë nga energjia që do të prodhohet nga TEC-i në fjalë. Kapaciteti prodhues i TEC-it do të jetë 1600 megavat, por ambientalistët janë shprehur se niveli i çlirimit të dioksidit të karbonit në atmosferë do të jetë shumë herë më i lartë se ai që parashikohet në studimin që është bërë për ndikimin që ky projekt ka në mjedis. Takime si këto që priten të zhvillohen në Durrës, ENEL-i do ti zhvillojë edhe me banorë të bashkive Sukth, Manzë  dhe komunës së Ishmit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›