Fier, vrau për parkim makine, dënohet me 11 vjet burg kasapi
>Gjykata e shkallës së parë të Rrethit Gjyqësor Fier ka dënuar me 16 vjet burg 53- vjeçarin Flamur Brakaj, i cili u gjykua për vrasje me dashje, por që do të vuajë vetëm 10 vite e 8 muaj në qeli për shkak se ka kërkuar gjykim të shkurtuar. Në mars të vitit 2007, shtetasi Flamur Brakaj kishte marrë me qira një dyqan mishi në lagjen "5 Shkurti" në qytetin e Ballshit.
Ka qenë data 8 janar i vitit 2008 kur rreth orës 10:00 para dyqanit të të pandehurit, shtetasi D. H. ndalon automjetin e tij tip Furgon. I pandehuri Brakaj që njihej edhe me emrin Flori afrohet pranë furgonit dhe i kërkon drejtuesit të mjetit që të largojë automjetin. Debatin mes dy shtetasve e ka parë edhe Sadush Hyskaj, kushëri me D. H-në. Pas disa minutash, debati ka përfunduar në grindje me grushte e një gjaknxehtësi e sipër Flamur Brakaj ka marrë nga tavolina e punës një thikë dhe me të ka qëlluar njëherë të vetme në pjesën e barkut shtetasin S. Hyskaj. Ky i fundit menjëherë sa ka ndjerë goditjen me thikë është larguar nga dyqani i të pandehurit, duke u mbështetur në një makinë të parkuar pranë tij. Gjendja shëndetësore e Hyskajt nuk i ka lejuar atij të shkojë deri në spital, pasi ka ndërruar jetë gjatë rrugës. Duke vlerësuar gjithë materialet, trupi gjykues arriti në konkluzionin se i pandehuri ka konsumuar gjithë elementët e veprën penale "vrasje me dashje". Prokuroi Genci Mane në përfundim të gjykimit kërkoi deklarimin fajtor të shtetasit Braka dhe dënimin e tij me 20 vjet burg e ndërsa avokati mbrojtës Ylli Asimeja kërkoi deklarimi fajtor për veprën penale të "vrasjes së kryer ne gjendje të tronditjes së fortë psikike". Por vetë i pandehuri Flamur Brakaj i ka kërkuar trupit gjykues mëshirë, duke parë edhe gjendjen familjare me 4 fëmijë, vështirësitë ekonomike e pastërtinë e çështjes gjyqësore, e ndërsa nuk ka harruar të shtojë se ndjehet i penduar për kryerjen e kësaj vepre. Duke parë gjithë ecurinë e procesit gjykata shpalli fajtor shtetasin Flamur Braka për veprën "vrasje me dashje" dhe e dënoi atë me 16 vjet burg. Por në bazë të nenit 406/1 të Kodit Penal, Brakajt iu zbrit 1/3 e dënimit duke e çuar këtë të fundit në 10 vjet e 8 muaj heqje lirie.