Gjirokastër, vodhën 700 litra naftë, prangosen 3 adoleshentë

>Ka përfunduar me arrestimin e tyre aventura e tre adoleshentëve nga fshati Mashkullorë, pas grabitjes së një sasie të konsiderueshme karburanti. Nerid Ahmetaj, 21 vjeç, Venito Ahmetaj, 18 vjeç dhe Ilirijan Puci, 18 vjeç, janë arrestuar në flagrancë nga ana e Policisë së Gjirokastrës në orët e mesnatës së martë në Urën e Leklit, rreth 22 km në veri të Gjirokastrës. Sipas burimeve zyrtare të policisë, tre të rinjtë kanë grabitur 700 litra naftë dhe një bateri, e cila shërbente për funksionimin e antenës së sinjalit shpërndarës së kompanisë celulare Vodafone në zonën verilindore të rrethit të Përmetit.
Tre adoleshentët ishin nisur nga fshati Mashkullorë ku është vendbanimi i tyre, me një automjet tip furgon me targa GJ 5677 A pronë e të atit të njërit prej të arrestuarve, drejt Qafës së Kicokut në Komunën e Ballabanit në rrethin e Përmetit. Në këtë vend, funksionon antena shpërndarëse e sinjalit të telefonisë së lëvizshme së bashku me një depozitë nafte dhe materiale të tjera funksionuese për këtë qëllim. Sapo kanë mbërritur, adoleshentët kanë vjedhur me nxitim sasinë e naftës dhe së bashku me të edhe një bateri, e cila ashtu si dhe karburanti, shërbenin për gjeneratorin që mban në punë antenën. Roja i antenës, kur i ka parë nuk ka reaguar, por ka njoftuar policinë duke i informuar edhe për numrin e targës. Në këto kushte, uniformat blu të komisariateve të të tri rretheve janë vënë në ndjekje të grabitësve, të cilët janë kapur në Urën e Leklit afër kufirit administrativ mes rrethit të Përmetit dhe Tepelenës. Pas arrestimit, ata janë përcjellë në Komisariatin e Policisë së Gjirokastrës, ku do të ndiqen penalisht për akuzën e vjedhjes së kryer në bashkëpunim. Burime zyrtare policore kanë konfirmuar për gazetën SOT se tre adoleshentët, dyshohet se janë autorë edhe të grabitjes së një sasie karburanti në antenën e kompanisë celulare AMC në fshatin Picar të Gjirokastrës. Nga kontrollet që u kryen në banesat e këtyre shtetaseve, në banesën e shtetasit Venito Ahmeti u gjetën 200 litra naftë. Policia e Gjirokastrës nga ana e vet ka kryer veprimet e duhura procedurale dhe sekuestroi në cilësinë e provës materiale automjetin tip furgon Benz Mercedes, së bashku me një cisternë plastike, e cila shërbente për depozitimin e karburantit të grabitur, pesë bidonë plastikë të mbushur me naftë, si dhe baterinë e antenës. Materialet në ngarkim të tyre, i kaluan Prokurorisë së Gjirokastrës për veprime të mëtejshme.