E Diel, 1 Nëntor 2026

TEHERAN – Irani dërgon zyrtarët më të lartë në Katar për negociatat me SHBA-në

TEHERAN, 25 maj /ATSH-DPA/- Një delegacion iranian po udhëton drejt kryeqytetit të Katarit, Doha, në kuadër të negociatave mes Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Iranit për t’i dhënë fund konfliktit.

Negociatori kryesor i Iranit dhe kryetari i Parlamentit, Mohammad Bagher Ghalibaf, së bashku me ministrin e Jashtëm Abbas Araghchi, do të informojnë udhëheqjen e Katarit mbi detajet e bisedimeve me Uashingtonin, raportoi sot media shtetërore iraniane IRIB.

Në Doha ndodhet gjithashtu edhe kreu i Bankës Qendrore iraniane, Abdolnaser Hemmati. Më herët ishte raportuar se ai kishte udhëtuar drejt Katarit për të diskutuar mundësinë e zhbllokimit të aseteve iraniane të ngrira atje.

Asetet e lidhura me tregtinë iraniane të naftës janë mbajtur të ngrira prej vitesh në institucionet financiare të Katarit.

Çlirimi i mundshëm i këtyre fondeve mund të konsiderohet si një hap fillestar drejt lehtësimit të sanksioneve amerikane ndaj Iranit.

Deri më tani, Katari ka luajtur kryesisht një rol ndërmjetësues në prapaskenë në bisedimet mes Iranit dhe SHBA-së. Një delegacion nga Katari vizitoi së fundmi Teheranin, ndërsa Pakistani konsiderohet ndërmjetësi zyrtar në negociata.

Si Uashingtoni ashtu edhe Teherani kanë folur publikisht ditët e fundit për mundësinë e arritjes së një marrëveshjeje kornizë për ndalimin e armiqësive.

Sipas palëve, marrëveshja e propozuar përfshin një zgjatje 60-ditore të armëpushimit për të lejuar negociata të mëtejshme, si dhe dispozita që lidhen me rihapjen e Ngushticës së Hormuzit.

Megjithatë, versionet mbi elementët e tjerë të marrëveshjes kanë qenë ndjeshëm të ndryshme.

Presidenti amerikan, Donald Trump rriti shpresat të shtunën kur deklaroi se marrëveshja ishte “negociuar në masë të madhe”.

Por vetëm disa orë më vonë, ai uli pritshmëritë për një përparim të shpejtë, duke thënë se u kishte kërkuar negociatorëve amerikanë të mos nxitonin drejt një marrëveshjeje me Iranin dhe se bllokada amerikane ndaj porteve iraniane do të mbetej në fuqi. //a.i/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›