TEL AVIV – Forcat izraelite dislokohen në spitalin e Gazës, i dyshuar si strehë e Hamasit

TEL AVIV, 27 dhjetor /ATSH-DPA/- Trupat izraelite kanë kryer operacione ushtarake rreth një spitali në Rripin e Gazës që nga mëngjesi, thane sot burimet izraelite dhe palestineze.
“Spitali Kamal Adwan shërben si një bastion për terroristët e Hamasit në Gazën veriore”, thanë Forcat e Mbrojtjes të Izraelit (IDF) në një deklaratë.
“Njësitë izraelite ndërmorën veprime kundër milicisë islamike palestineze, pasi ajo përdori spitalin për aktivitete ushtarake dhe si strehë”, tha IDF në X.
Ndërkohë, një punonjës i rangut të lartë i autoritetit shëndetësor të kontrolluar nga Hamasi në Gazë tha se trupat kishin detyruar stafin mjekësor dhe pacientët të largoheshin nga spitali në qytetin verior, Beit Lahia.
“Ata mblodhën rreth 170 persona në oborrin e spitalit dhe arrestuan dhjetëra prej tyre”, tha punonjësi i spitalit.
Raportet palestineze cituan 350 persona, përfshirë 170 punonjës të spitalit, të cilët ishin detyruar të mblidheshin në oborr.
IDF theksoi se njerëzit ishin evakuuar para operacionit në bashkëpunim me stafin e autoriteteve shëndetësore lokale dhe organizatat ndërkombëtare.
“Pacientët u transportuan me ambulancë në spitale të tjera dhe autoritetet izraelite ishin në kontakt të vazhdueshëm me personat përgjegjës për spitalin”, tha IDF.
“Ushtria veproi në përputhje me ligjin ndërkombëta”, thuhet në deklaratë.
Sipas burimeve mjekësore në Gazë, gjatë operacionit izraelit ka pasur disa viktima.
Punonjësi i autoritetit shëndetësor pretendon se ushtarët izraelitë gjithashtu i kishin vënë flakën një pjese të spitalit.
“Kjo çoi në shkatërrimin e sallave të operacionit, një laboratori dhe dhomës së urgjencës”, njoftoi agjencia palestineze e lajmeve WAFA.
IDF tha se po hetonte raportet.
Informacioni i dhënë nga të dyja palët nuk mund të verifikohet në mënyrë të pavarur.
Ushtria izraelite tashmë ka dislokuar trupa në spitalet në Gazë – në disa raste me arsyetimin se Hamasi po i keqpërdor ato për qëllimet e veta. //a.i/