Miratohet rregullorja e administrimit të bashkëpronësisë së ndërtesave të banimit
Qeveria miratoi gjatë mbledhjes së djeshme rregulloren tip të administrimit të bashkëpronësisë së ndërtesave të banimit. Duke u bazuar në Kodin Civil të Republikës së Shqipërisë si dhe në ligjin për “Për administrimin e bashkëpronësisë në ndërtesat e banimit”, me propozimin e ministrit të Punëve Publike dhe Transportit, Këshilli i Ministrave miratoi rregulloren tip. “Miratimin e rregullores tip të administrimit të bashkëpronësisë në ndërtesat e banimit, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij. Ngarkohen asambletë e bashkëpronarëve në ndërtesat e banimit, organet e qeverisjes vendore, Inspektorati Shëndetësor, Policia e Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimit (PMNZSH), në nivel vendor dhe administratorët/shoqëritë e administrimit të bashkëpronësive në ndërtesat e banimit për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në Fletoren Zyrtare”, - shkruhet në vendimin e qeverisë.
Berisha përshëndet raportin e BE-së për ekonominë
Në mbledhjen e djeshme të qeverisë, kryeministri Sali Berisha ka përshëndetur raportin e Bashkimit Europian për vendet e Ballkanit. Sipas kreut të qeverisë, BE-ja ka vlerësuar maksimalisht ekonominë shqiptare. “Raporti i BE-së për vendet e rajonit, ajo që merr vlerësimet maksimale është ekonomia shqiptare. Sipas BE-së, llogaritë financiare u dyfishuan, të ardhurat buxhetore u rritën. Me arritjet ekonomike Shqipëria mund të renditet afër performancës së dhjetëshes më të mirë të BE-së”, - është shprehur Berisha. Kryeministri theksoi se në raportin e BE-së dallohen vlerësimet pozitive për ekonominë e Shqipërisë krahasuar me vendet e tjera të rajonit. “Shqipëria ia doli të tërheqë investime. Raporti përshëndet politikat monetare që u përdorën nga vende si Turqia, Shqipëria e Serbia”, - është shprehur kreu i qeverisë. Berisha theksoi se sipas raportit të BE-së, Shqipëria dhe Mali i Zi janë vendet më tërheqëse për investime. “Shqipëria dhe Mali i Zi mbeten vende tërheqëse për investimet e huaja. Të gjitha vendet, me përjashtim të Shqipërisë, humbën nga rezervat e tyre valutore dhe vetëm vendi ynë kishte politika monetare fleksibël. Ne kontrolluam rritjen e kredisë me rregullime të politikave të interesit dhe kërkesave për depozita, çka përbën një meritë të padiskutueshme të Bankës Qendrore të vendit”, - citoi kryeministri Berisha raportin e BE-së. “Në raportin e BE-së dallohen vlerësimet pozitive për ekonominë e Shqipërisë krahasuar me vendet e tjera të rajonit. Me përjashtim të ndonjë rasti të veçantë ky raport është azhornuar me të dhëna të viteve të fundit, por ka të dhëna edhe të vitit 2007. Raporti thotë se në Shqipëri, kontributi i industrisë dhe i ndërtimit ishte 40 për qind, kundrejt vetëm 20 për qind që ishte në vendin tjetër”, - tha Berisha.
17 Qershor 2010