T.I.A: Ku po shkon shoqëria shqiptare
Ideja e këtij shkrimi lindi gjatë udhëtimit për në Tiranë me rastin e Takimit të Tretë Ndërkombëtar të Institutit Alb-Shkenca më 1-3 shtator 2008. Kushdo që ka udhëtuar, pritur apo përcjellur nëpërmjet aeroportit “Nënë Tereza” të Tiranës besoj e di se kodi ndërkombëtar i këtij aeroporti është TIA. Megjithë ngjashmërinë (që si do të dalë edhe nga ky shkrim nuk është fare pa kuptim) të kodit të aeroportit me titullin e këtij shkrimi, qëllimi i këtij shkrimi nuk është të shkruajë mbi aeroportin “Nënë Tereza” dhe titulli i këtij shkrimi nuk bazohet mbi kodin e aeroportit të Tiranës.
Titulli i këtij shkrimi e ka burimin nga një shprehje e përdorur në filmin e njërës prej studiove Hollivudiane, Warner Brothers Studio, me titull “Blood Diamond” (Diamant Gjaku) me aktor kryesor Leonardo Di Caprio dhe drejtor Edward Zwick. Ngjarjet e filmit janë vendosur në Sierra Leone gjatë vitit 1999 kur ky vend ishte përfshirë në një luftë civile dhe një nga synimet kryesore të palëve luftuese ishte edhe kontrolli i minierave të diamanteve. Rezultati i kësaj lufte është mijëra të vdekur e miliona refugjatë ndërkohë që ansjëri nga këta të vdekur apo refugjatë as nuk ka parë diamante.
Shprehja e përdorur disa herë në film në skena kyçe, nga e cila e ka marrë edhe titullin ky shkrim, është “T.I.A.”, një shkurtim i “This Is Africa” që e shqipëruar do të thotë “Kjo Është Afrika.” T.I.A. është një frazë e shkurtër por që thotë shumë. Kjo shprehje përcjell një mesazh mjaft domethënës dhe është pasqyrimi i realitetit të atëhershëm në Sierra Leone.Ky realitet nënkupton një vend në kaos të plotë, vend të cilin respekti për të drejtat e njeriut, duke filluar me të drejtën e pronësisë, të drejtën për të jetuar i lirë dhe madje edhe për vetë jetën e njeriut, duket sikur e ka braktisur. T.I.A. gjithashtu nënkupton një realitet ku ligjet dhe normat e tjera shoqërore janë “harruar” dhe në vend të tyre marrëdhëniet rregullohen, ku është e mundur, vetëm nëpërmjet parasë dhe ku nuk është e mundur, nëpërmjet armëve.Pra, T.I.A. nënkupton një realitet ku dallimi mbi “çfarë është e drejtë” dhe “çfarë është e gabuar” ka humbur për shumë dhe është zëvendësuar me “çdo gjë shkon” pavarësisht mjetit apo mënyrës se si ajo gjë arrihet.
Gjatë qëndrimit jo shumë të gjatë, rreth një javë, në Tiranë me rastin e takimit të tretë ndërkombëtar të Institutit Alb-Shkenca i dëgjova disa herë në biseda me të afërm e miq, të njohur e të panjohur, madje edhe me pjesëmarrës të takimit të IASh-së, shprehjet si “Epo në Shqipëri jemi këtu”, “Shqipëri i thonë” apo “Kështu i bëjmë gjërat ne këtu në Shqipëri”, etj.Këto shprehje nuk janë gjë tjetër, por variante të ndryshme të T.I.A.Për ata që mendojnë se ky krahasim është i ekzagjeruar po jap më poshtë disa shembuj. Ashtu si në Sierra Leone, edhe në Shqipëri mungon respekti për të drejtën e pronësisë dhe vetë pronën. Ndërsa pronarët e ligjshëm shqiptarë nuk munden të marrin të drejtën e pronësisë mbi pronat e tyre, tipa mafiozë si i shumëpërmenduri kohët e fundit, Fazlliç (të cilin kryeministri aktual e trumbeton si mik/partner të tijin) i kthejnë “brenda natës” firmat e tyre me kapital fillestar disa mijëra Euro në firma pronare të pronave të paluajtshme në vlera disa miliona Euro (të dhënat nga intervista e vetë Z. Fazlliç)! Ashtu si në Sierra Leone, edhe në Shqipëri ka humbur dallimi midis të drejtës dhe të gabuarës. Në Shqipërinë e sotme korrupsioni është mënyra e vetme e pasurimit për politikanët (qeveritarë e opozitarë), gjyqtarët apo prokurorët, shumë punonjës të administratës shtetërore që nga zyrtarët e deri tek mjekët e mësuesit, etj., etj. Korrupsioni është gjithashtu mënyra e vetme për shumë studentë për t’u “diplomuar” apo për shumë titullarë akademikë apo shkencorë për të “fituar” titujt që gëzojnë. Shembuj të tillë ka shumë, por ajo që është e përbashkët është se këto konsiderohen si “zotësi” apo “shkathtësi”, etj., pra e gabuara konsiderohet e drejtë.Së fundi, lidhur me respektin për jetën vetë, në Shqipëri përveç numrit të madh të viktimave nga aksidentet e vrasjet, shërbimit shëndetsor në një nivel që lë për të dëshiruar apo joekzistent, shembulli më domethënës dhe shumë i ngjashëm me realitetin e 1999-s në Sierra Leone është viti 1997. Në ngjarjet e 1997-s shumë qytetarë të pafajshëm humbën jetën, disa prej tyre thjesht si objekte të lojërave “tabelë qitje” të fëmijëve të armatosur (për ata që e kanë parë filmin Blood Diamond ngjashmëria është domethënëse dhe frikësuese).Më e keqja është se e gjitha kjo duhej të ndodhte sepse grupimet politike shqiptare dhe interesat që ato përfaqësojnë nuk binin dakort se si t’i ndanin “thelat” e Shqipërisë midis tyre – ashtu si në Sierra Leone ku palët luftuese synonin midis të tjerash kontrollin e minierave të diamanteve.Dhe ashtu si në Sierra Leone ku viktimat as nuk kishin parë ndonjëherë diamante, edhe gjatë 1997-s ata të pafajshëm që humbën jetën dhe shumë të tjerë jo vetëm që ishin (dhe akoma janë) privuar nga ndarja e “thelave” të Shqipërisë por edhe humbën (më saktë ju vodhën) edhe ato pak “thela” të tyre që kishin.
Ngjarjet e 1997-s janë padyshim pika më e ulët e kohërave të fundit për shoqërinë shqiptare.Tani, 11 vjet më vonë, mund të mbizotërojë mendimi që këto ngjarje tashmë i përkasin të kaluarës dhe nuk do të përsëriten më. Megjithë dëshirën për të qenë i të njëjtit mendim, nuk mendoj se rreziku i përsëritjes së 1997-s është eleminuar. Me fjalë të statisticienëve, nuk mendoj se probabiliteti i përsëritjes së 1997-s është zero ose të paktën shumë i vogël.Në të kundërt, mendoj se ky probabilitet është mjaftueshëm i lartë sa për t’u shqetësuar seriozisht.Për më tepër, tendenca e këtij probabiliteti është në rritje dhe jo në rënie.Arsyeja për këtë mendim është se kushtet dhe faktorët që çuan në 1997-ën akoma ekizstojnë dhe nuk janë eleminuar.Kështu, së pari, aktorët politikë, në pozitë dhe opozitë, që organizuan 1997-ën janë akoma aktivë në vendimmarrjen dhe ligjbërjen shqiptare. Po këta aktorë janë gjithmonë të gatshëm ta shpien vendin drejt një 1997-te të dytë kurdoherë që ndjehen të pakënaqur nga ndarja e “thelave” – pikërisht sikurse edhe “vëllezërit siamezë” të tyre, tashmë afrikanë, të gatshëm gjithmonë për konflikt, si rasti aktual i Kongos.Së dyti, tendenca në rënie nuk ka marrë fund për shoqërinë shqiptare.Me gjuhën e financierëve, ndërsa 1997-ta shënoi një “fund” (bottom) të përkohshëm dhe periudha pas 1997-ës një tendencë rritjeje natyrale pas një fundi të tillë, shoqëria shqiptare i është rikthyer sërish tendencës dominuese në rënie. Për të shpjeguar arsyet për një konkluzion të tillë duhet të kthehemi rreth 18 vjet më parë në ditët e përmbysjes së regjimit diktatorial komunist.
Në ato ditë shoqëria shqiptare po përpiqej të ndahej përgjithmonë nga 46 vjet diktaturë dhe ekonomi e centralizuar.Shqiptarët tashmë ishin të lodhur nga mungesa e lirisë për të folur, për të lëvizur, për të zgjedhur e për t’u zgjedhur, për të patur e për t’u pasuruar, etj. …Shqiptarët ishin gjithashtu të lodhur nga fakti që jeta e tyre në çdo aspekt të saj kontrollohej e përcaktohej nga dikush tjetër, ata donin të ishin përsëri zotër të vetes dhe fatit të tyre.Dhe nuk është për t’u çuditur që shqiptarët si shembull për aspiratat e tyre zgjodhën pikërisht Evropën perëndimore, e shprehur kjo shumë qartë në parrullat e kohës “E duam Shqipërinë si Evropa”. Shqiptarët e thjeshtë e kishin kuptuar se Shqipëria në ato ditë ndryshimesh ndodhej përpara një udhëkryqi – të nisej drejt Evropës apo “drejt Afrikës”.
Për të kuptuar dallimin midis dy drejtimeve të ndryshme përpara shoqërisë shqiptare në fillimet e viteve 1990-të një shembull mjaft të mirë përbën krahasimi i dy llojeve të kolonive të krijuara nga Evropianët në vendet e kolonizuara prej tyre. Në grupin e parë hyjnë kolonitë e krijuara në vendet e Amerikës Jugore, Afrikës apo Indisë në Azi. Këto vende ishin të pasura me burime të ndryshme natyrore dhe Evropianët krijuan në këto vende të ashtuquajturat “koloni shfrytëzuese” për të mundësuar shfrytëzimin e këtyre burimeve.Për këtë qëllim elitat të sjella në pushtet dhe të mbështetura nga Evropianët kishin pushtet politik dhe vendimarrës të plotë ndërsa kontrolli i shoqërisë mbi këto elita pothuaj nuk ekzistonte. Nga ana tjetër, këto elita kishin në pronësi pjesën dërrmuese të burimeve e të mirave të këtyre vendeve dhe gëzonin të gjitha liritë për të akumular dhe shtuar kapitalin e tyre financiar, në formë të pasurisë, por edhe kapitalin njerëzor. Ndërkaq, pjesa tjetër e shoqërisë zotëronte shumë pak ose aspak nga burimet dhe të mirat dhe ishte kryesisht e privuar nga liritë për të akumuluar e shtuar kapitalin e tyre financiar e njerëzor.
Në grupin e dytë të kolonive futen kolonitë e krijuara në vende si SHBA, Kanada, Australi e Zelandë e Re.Në këto vende mungonin burimet e bollshme natyrore për të shfrytëzuar dhe mbijetesa e kolonive ishte një prioritet. Si rezultat, në kolonitë që Evropianët krijuan në këto vende, pushteti i elitave ishte mjaft i kufizuar dhe kontrolli i shoqërive mbi elitat mjaft i fortë. Gjithashtu, çdo anëtar i kolonisë kishte të drejta të barabarta pronësie mbi burimet dhe të mirat ekzistuese si dhe mundësi të barabartë për të akumuluar dhe shtuar kapitalin e tyre financiar e njerëzor.
Pra, në grupin e dytë janë koloni me një demokraci të fortë, të drejtën e pronësisë private dhe lirive ekonomike të garantuar për të gjithë, ndërsa në grupin e parë janë koloni me demokraci të dobët dhe të drejtën e pronësisë dhe lirive ekonomike vetëm për një pakicë. Janë pikërisht këto dallime midis dy grupeve të kolonive që shpjegojnë përse vendet e grupit të dytë, nga vende me zhvillim të kufizuar e standart të ulët jetese në fillimet e tyre, janë aktualisht ndër vendet më të zhvilluara e me standart më të lartë jetese, disa herë më të lartë se vendet e grupit të parë.
Siç u përmend më lart, shqiptarët e thjeshtë e zgjodhën drejtimin që donin t’i jepnin vendit të tyre në fillimet e viteve 1990, atë drejt Evropës për një shoqëri shqiptare me demokraci të shëndoshë e mundësi të barabarta për secil(ë)in. Por megjithë këtë zgjedhje të shqiptarëve të thjeshtë, aktualisht shoqëria e sotme shqiptare nuk është më afër standarteve të Evropës se shoqëria shqiptare e viteve 1990-të.Partizanëve të “Kaut PS” apo “Kaut PD” që mund të “thërrasin” për të na kujtuar nënshkrimin e marrëveshjes së asocim-stabilizimit me BE-në apo ftesën për antarësim në NATO do t’u kërkoja të faktonin efektin e këtyre ngjarjeve në rritjen e standartit të jetesës në Shqipëri, uljen e papunësisë dhe varfërisë, rritjen ekonomike apo uljen e korrupsionit, etj...Këto ngjarje nuk janë më shumë se “karrotat” e rastit të ofruara nga BE apo SHBA politikanëve shqiptarë duke shpresuar se këta të fundit do të kryejnë diçka nga ajo që kërkohet prej tyre.Për fat të keq, këto “karrota” vetëm keqpërdoren për konsum politik të brendshëm nga politikanët shqiptarë – siç kam shkruajtur edhe më parë, taktika “karrotë dhe hosten” (carrot and stick) nuk punon për “Kaun PS” apo “Kaun PD”, që të dy sa të papërgjegjshëm aq edhe “lëkurëtrashë”.
Normalisht lind pyetja: A kishte(ka) shoqëria shqiptare udhëheqës që ta drejtonin(drejtojnë) drejt Evropës në vend të realtitetit aktual - një vend të cilit shprehja “T.I.A.” i shkon për shtat?Gjithashtu, ndërsa shoqëria shqiptare sot nuk është një demokraci e tipit perëndimor, a është ajo një koloni e dikujt? Për përgjigjen e këtyre pyetjeve duhet t’i hedhim një sy historisë së pas luftës së dytë botërore. Është vërtetuar tashmë se monstrat komuniste që udhëhoqën vendin për rreth 46 vjet ishin çirakë të përgatitur dhe kontrolluar nga mjeshtërit fqinjë që asnjëherë nuk i kanë dashur të mirën kombit tonë.Është po ashtu tashmë e vërtetë e njohur se në fillimet e viteve 90-të drejtuesit e atëhershëm nxituan të krijonin “sistemin shumëpartiak” në Shqipëri.Kështu “lindën” PD=PPSH2, PPSH2 pasi “nderi” i PPSH1 i takon PS, drejtuesit e kohës të së cilës vendosën se vetëm ndryshimi i maskës (ah, emrit) ishte i mjaftueshëm për të justifikuar “ndryshimin” edhe në mendim e veprim. Po kështu lindën edhe PPSH-të e tjera, PR= PPSH3, ..., LSI= PPSHn, duke krijuarndoshta shoqërinë me “ylberin politik” më shumëngjyrësh – që në fakt nuk është gjë tjetër veçse tallja e rradhës e kësaj kaste të papërgjeshme politike me shoqërinë shqiptare.Ashtu si edhe “nëna” e tyre PPSH, edhe PPSH-të e reja “shumëngjyrëshe” nuk i kanë patur asnjëherë si prioritet të tyre interesat e shoqërisë dhe kombit shqiptar. Përkundrazi, në plan të parë për ta janë interesat e tyre personale dhe më pas, çuditërisht, interesat e fqinjëve tanë, të atyre fqinjëve që përpiqen me çdo mënyrë për të penguar forcimin dhe përparimin e kombit shqiptar. Mjafton të përmendim se kasta politike shqiptare ka shitur çfarëdo që ka mundur nga pasuria kombëtare dhe kryesisht tek fqinjët tanë dhe më e keqja këto shitje janë bërë “për një kafshatë bukë”.Për faktet më të mira në këtë rast do të këshilloja të dëgjonit politikanët tanë kur akuzojnë njëri-tjetrin për aferat e tyre korruptive – është rasti i vetëm ndoshta kur dëgjojmë politikanët tanë të thonë të vërtetën.Po ashtu, mund të përmendim shkatërrimin e sektorëve të tërë të ekonomisë shqiptare, si p.sh. bujqësia, për t’i hapur rrugën mallrave të vendeve fqinjë apo shkatërrimin e mjedisit shqiptar në përgjithësi dhe bregdetit në veçanti për të lejuar fqinjët tanë të transferojnë plehrat dhe ndotjen e tyre në Shqipëri.Sigurisht, në të gjitha këto raste klasa jonë politike e ka siguruar një “thelë të majme” për veten e saj. Raste të tilla fatkeqësisht janë të panumurta dhe mbi bazën e tyre nuk do të ishte aspak ekzagjerim po t’i quash politikat e ndjekura nga klasa jonë politike si antikombëtare dhe antishqiptare.
Siç kam shkruar edhe më parë, që nga 1990-ta e deri më sot shoqëria shqiptare është në kërkim të gjigantëve të mendimit e veprimit që gjithashtu, në rradhë të parë, janëgjigantë të përkushtimit ndaj interesave të saj.Shoqëria shqiptare ka nevojë për një rilindje të dytë.Shoqëria shqiptare duhet sa më parë të flakë tutje këtë klasë politike, e cila në vend që ta konsiderojë rolin e saj si një shërbyese e denjë e interesave të shoqërisë shqiptare, sillet dhe vepron sipas rregullave të piraterisë “gjithmonë në kacafytje me njëri-tjetrin për ndarjen e thesarit” por të gatshëm për të bërë pakt e bashkëpunuar kur e ardhmja e tyre si piratë është e kërcënuar.Shoqëria shqiptare duhet sa më parë të flakë tutje këtë “kancer” që po i vret të ardhmen dalëngadalë. Për ata politikanë që nuk duan të kujtohen si bashkëfajtorë të kësaj tragjedie për shoqërinë shqiptare momenti për veprim ka kohë që ka trokitur. Për ata shqiptarë që janë të shqetësuar, sidomos inteligjenca dhe të rinjtë, ngriheni zërin dhe kërkoni ndryshimin e drejtimit, organizohuni dhe ushtroni presion mbi politikanët (për një pjesë që të largohet nga vendimarrja, për një tjetër që të zgjohet e të veprojë).Për të gjithë ata shqiptarë që votojnë, përdoreni votën tuaj por mos prisni ta përdorni atë vetëm një herë në katër vjet.Organizohuni dhe kërkojuni llogari politikanëve që keni zgjedhuar për problemet që ju keni çdo ditë.Kujtojuani premtimet që kanë bërë dhe kërkoni përgjegjësi në përmbushjen e tyre.
Ky presion ndaj politikanëve duhet të jetë i vazhdueshëm pasi është mënyra e vetme për të arritur rezultatet e duhuara:
•Politikanët të dëgjojnë dhe adresojnë problemet e shoqërisë dhe ata që keqpërdorin votën të penalizohen duke “u përjashtuar” përgjithmonë nga vendimarrja me forcën e votës apotë ligjit;
•Shoqëria shqiptare të kthehet nga një vend ku mbizotëron kaosi, dhe kushdo është i lirë të veprojë sipas shrehjes T.I.A., duke filluar nga partitë politike që veprojnë si banda piratësh, në një vend ku mbizotëron rregulli e ligji;
•Politikanët nuk festojnë me pompozitet arritjet e tyre boshe (si shembujt e përmendura më lart të “karrotave” të ofruara nga BE apoSHBA) por punojnë për uljen e varfërisë, zhvillimin e sektorit prodhues në ekonominë shqiptare, rritjen e konkurueshmërisë së ekonomisë shqiptare, etj.;
•Shqiptarët të mos jenë të detyruar të lenë vendin e tyre për të kërkuar një jetë më të mirë nëpër botë;
•Politikanët shqiptarë nuk flasin me prioritet për lehtësimin e vizave – një mënyrë tjetër për të degdisur nëpër botë shqiptarët, sidomos ata që mund t’u kërkojnë llogari, por flasin e punojnë për kthimin e trurit të ikur, për investime serioze të brendshme e të huaja në ekonominë shqiptare (nuk konsiderohen invesime të huaja të mirëfillta shitjet në afera korruptive të pasurisë kombëtare), për uljen e papunësisë në nivelin 5-6%, për rritjen e standartit të jetesës në vend, etj.;
•Partitë politike të demokratizohen dhe, për më tepër, të pasqyrojnë një spektër të vërtetë politik dhe jo një ylber shumëngjyrësh të rremë;
•Politikanët e 1990-s të dalin më në fund në “pension” për t’i lënë vendin atyre politikanëve që duan ta çojnë Shqipërinë drejt Evropës – politikanë të tillë sigurisht ekzistojnë në shoqërinë shqiptare por ata/o ose nuk janë të përfshirë në politikën e sotme ose janë të dominuar nga përfaqësuesit e vazhdimësisë komuniste;
•Problemi i pronësisë private në përgjithësi dhe asaj mbi tokën në veçanti të zgjidhet përfundimisht në një mënyrë të tillë ku pronarët e ligjshëm kanë përparësi ndaj mafiozëve vendas apo të huaj;
•Të jenë mbizotërues bizneset private të financuara nga burime të ndershme dhe të pakësohet numri i atyre të financuar nga burime jo të ndershme.Si shembull, të ketë më shumë restorante apo hotele në vend të financuar me para të fituara me punë e djersë, ku luksi ndoshta mungon por përpjekjet e sinqerta dhe të dukshme të pronarëve për të të kënaqur të bëjnë të ndjehesh si i shtëpisë.Nga ana tjetër, të ketë sa më pak restorante apo hotele (për të vazhduar shembullin) të financuar nga fitimet e çdo lloj trafiku (pluhur, para apo njerëz) ku luksi është i dukshëm por nuk ndihmon në largimin e ndjenjës se ishe vetëm numri i rradhës për t’u shërbyer;
•Në përgjithësi, në shoqërinë shqiptare të jetë dominuese puna e ndershme për sigurimin e të mirave materiale dhe jo aferat korruptive apo trafiqet e llojeve të ndryshme – kur shumë nga të rinjtë dhe madje edhe të moshuarit nuk duhet të ndjehen se nuk kanë alternativë tjetër por të shohin si mundësinë më të lehtë (për të rinjtë) apo të fundit (për të moshuarit) për të siguruar mjetet e jetesës pjesëmarrjen në trafiqe të ndryshme;
•Shtoni këtu kërksesën tuaj …
Vetëm kur të fillojmë të shohim rezultatet e mësipërme mund të themi me siguri se “kthesa e madhe” është bërë, se 1997-a nuk do të rikthehet më, se shprehja T.I.A. nuk ka më vend në shoqërinë shqiptare, pasi ajo është nisur vërtet drejt Evropës…
Botuar për herë të parë në portalin në Internet të Institutit Alb-Shkenca