E Diel, 1 Nëntor 2026

Vrasje në Fushë-Krujë Ekzekutohet 17-vjeçari, hyri për të vjedhur

Autori i Lajmit: Redaksia
Një 17-vjeçar ka humbur jetën dje pasi është qëlluar me breshëri arme nga roja e fabrikës së çimentos në Fushë-Krujë. Roja ka paralajmëruar disa herë adoleshentin të ndalonte pasi e ka para atë duke dalë nga zyrat e fabrikës, por i riu nuk i është përgjigjur thirrjes së tij. Pasi ka qëlluar disa herë në ajër roja, i cili më pas është vënë në pranga nën akuzën e vrasjes me dashje ka qëlluar mbi 17-vjeçarin Avdyl Zalla. Ky i fundit është transportuar në Spitalin Ushtarak por edhe pas ndihmës së mjekëve nuk ka mundur të mbijetojë për shkak të plagëve. Ngjarja e rëndë ka ndodhur mbrëmë rreth orës 19:00 pak orë pasi roja e fabrikës kishte marrë turnin.

Vrasja

Vrasje me armë në fabrikën e çimentos në Fushë-Krujë. Roja i fabrikës së vjetër të çimentos me iniciale M.R, ka vrarë me armë zjarri një person që dyshohet se kishte hyrë në brendësi të fabrikës për të vjedhur. Roja fillimisht ka qëlluar në ajër dhe pastaj në drejtim të viktimës, 17 vjeçari Avdyl Zalla. Policia, e cila ka shkuar menjëherë në vendin e ngjarjes dyshon se viktima kishte hyrë për të vjedhur në fabrikë, ndërsa mësohet se ai është dërguar i plagosur drejt Spitalit Ushtarak por nuk ka mundur ti shpëtojë plagëve. Ndërkaq policia bën të ditur se ka shoqëruar në komisariat rojën e fabrikës ndërsa kanë nisur hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes. Sipas policisë, roja ka pretenduar se i ka bërë thirrje 17 vjeçarit të largohej duke tentuar ta trembë përmes disa plumbave të shkrepur në ajër por sipas tij, i riu nuk është bindur.

Arrestimi

Menjëherë pas ngjarjes së rëndë policia ka vënë në pranga rojën e fabrikës. Ky i fundit ka pranuar në polici krimin por ka shtuar se nuk kishte për qëllim ta vriste 17-vjeçarin. Sipas dëshmisë së tij për grupin e hetimit mësohet se roja e ka paralajmëruar disa herë të riun të qëndrojë në vend por ai ka refuzuar. Më pas ka pohuar për policinë roja qëllova disa herë në ajër dhe plumbi ka zënë pa dashje adoleshentin. Me gjithë pretendimet e autori policia ka ngritur në adresë të tij akuzën për vrasje me dashje. Ndërkohë në vendin e ngjarjes janë grumbulluar të gjithë provat që vërtetojnë autorësinë e ngjarjes, ndërsa dosja do ti dorëzohet për hetime të mëtejshme prokurorisë.

Ky lajm është publikuar: 30/11/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›