E Shtunë, 31 Tetor 2026

TIK: Kosova më e korruptuar se në 2010-ën

PRISHTINE - Në një raport të Transparency International thuhet se perceptimi që Kosova është vend i korrupsionit është rritur edhe më shumë gjatë këtij viti.
Mes 183 vendeve, këtë vit Kosova është renditur në vendin e 112.

“Në indeksin e perceptimit të korrupsionit për vitin 2011, në nivel global, Kosova radhitet në vendin e 112, që do thotë se konsiderohet si një vend me nivel të lartë të korrupsionit , duke u vendosur kështu në një grup me shtetet si: Algjeria, Egjipti, Moldavia, Senegali dhe Vietnami. Ndërkohë që, mungesa e vullnetit politik dhe neglizhenca e vazhdueshme e institucioneve tona për ta luftuar këtë fenomen, ka bërë që Kosova të renditet si vendi me korruptuar edhe ne mesin e shteteve të rajonit , duke vështirësuar kështu mundësinë e krahasimit të saj madje edhe me shtetet më të afërta ,”- tha gjatë shpalosjes së këtij indeksi, Merita Mustafa, menaxhere e Programit Anti-korrupsion në KDI/TIK.

Mustafa theksoi më tej se ky nivel i lartë i korrupsionit është duke e ngadalësuar ekonominë e vendit dhe po rëndon xhepat e qytetarëve, të cilët po paguajnë më shumë për produktet bazë.

TIK i bëri thirrje Qeverisë, Parlamentit dhe të gjitha institucioneve të tjera përgjegjëse, që ky indeks dhe raportet e tjera që flasin mbi nivelin e korrupsionit në Kosovë, të ndikojë në ndryshimin e qasjes së tyre ndaj këtyre fenomeneve, duke treguar përkushtimin maksimal dhe duke bërë veprime konkrete në luftën kundër korrupsionit.
(er.nu/tg/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›