E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: Marrëdhëniet me Turqinë kanë njohur zhvillime të mëdha

TIRANË - Kryeministri Berisha priti ministren turke të Familjes dhe Politikave Sociale Fatma Sahin. Zyra për shtyp e Kryeministrisë bëri të ditur se shefi i qeverisë i shprehu zonjës Sahin kënaqësinë e kësaj vizite, si një kontribut të ri në marrëdhëniet e shkëlqyera që ekzistojnë midis dy vendeve e kombeve si edhe shprehu mirënjohjen e thellë për mbështetjen e gjithanshme që qeveria turke, Kryeministri Erdogan dhe Presidenti Gyl i kanë dhënë dhe i japin Shqipërisë.

Ministrja Sahin e uroi Kryeministrin për Ditën e Pavarësisë. dhe i shprehu falenderimet për ndihmën që qeveria shqiptare dha në mbështetje të familjeve të viktimave të tërmetit në Van, por edhe për rolin dhe ndihmën që ajo dha në operacionin e kërkim shpëtimit të marinarëve turq që humbën jetën si pasojë e përplasjes së dy anijeve.

Kryeministri shprehu kënaqësinë se gjatë viteve të fundit, me vullnetin e përbashkët, marrëdhëniet veçanërisht në fushën ekonomike kanë njohur zhvillime të mëdha. Në këtë kontekst, Kryeministri vlerësoi faktin se investimet turke në Shqipëri janë rritur disa herë dhe shtrihen në fusha të ndryshme si në telekomunikacion, në fushën arsimore, ushtarake etj.

Nga ana e saj, ministrja Sahin shprehu kënaqësinë që shumë biznesmenë turq kanë hedhur firmat e tyre në veprat e rëndësishme infrastrukturore në Shqipëri, duke ndikuar në këtë mënyrë edhe në forcimin e bashkëpunimit midis dy vendeve.

(er.nu/BalkanWeb) Lidhje te tjera Topalli pret Sahin, vlerësojnë bashkëpunimin mes dy vendeve

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›