TVSH gëlltiti 1 miliard lekë në vitin 2009
Televizioni publik shqiptar, edhe pse është eminenti audioviziv më pak i shikuar nga shqiptarët, gjatë vitit 2009 ka “gëlltitur” plot 1 miliard e 284 milionë lekë të reja, nga këto 519 milionë vetëm nga buxheti i shtetit dhe pjesa tjetër nga të ardhurat vetanake. Këto shifra janë pasqyruar në raportin vjetor të Këshillit Drejtues të Radio-Televizionit Shqiptar që është dorëzuar në Kuvend. Në këtë raport theksohet se paratë e thithura direkt nga taksa që paguan çdo shqiptar për TVSH-në arrijnë shifrën e 288 milionë lekëve të reja. Ndërkaq, vetëm paga dhe sigurime shoqërore për personelin e televizionit publik janë shpenzuar rreth 576 milionë lekë, ndërsa 41 milionë janë harxhuar për karburant dhe lëndë djegëse. Ndërsa shpenzimet për udhëtime e dieta arrijnë shumën e 32 milionë lekëve të reja dhe për shpenzime operative siç janë kancelari dhe pajisje zyrash janë harxhuar 31 milionë lekë. Në raportin e dorëzuar në Kuvend kërkohet nga Parlamenti që të rritet buxheti edhe më shumë në mënyrë që të shtohen pagat e punonjësve të RTSH-së me 10%. Në raport, ndër të tjera flitet me vlerësim të lartë për departamentin e lajmeve, edhe pse në raportin e fundit të Këshillit Kombëtar të Radio-televizioneve theksohej se TVSH-ja ka raportuar me njëanshmëri veprimtaritë e qeverisë dhe mazhorancës, duke lënë prapa profesionalizmit. Në raport theksohet se “Ajo që e bën drejtorin e Aktualitetit konkurrente të fortë dhe serioze në treg janë disa elementë të rëndësishëm siç është mbulimi në të gjithë vendin dhe mbulimin profesional të ngjarjeve të rëndësishme”. Në Komisionin Parlamentar për Edukimin dhe Mjetet e Informimin ka diskutuar mbi hartimin e draftit për mediat me zë dhe figurë në Republikën e Shqipërisë. Dje është zhvilluar takimi i grupit të punës, i cili më pas do të diskutohet edhe në komisione të tjera.
#