Vrau shokun në Paskuqan dhe shtiu mbi policinë, dosja te Krimet e Rënda
Vrasja e Ahmet Bardhoshit dhe përplasja e grabitësve me policinë është cilësuar nga Prokuroria e Tiranës si “vrasje nga pakujdesia” dhe “vrasje për shkak të cilësive të veçanta” e mbetur në tentativë. Ngjarja e 20 shkurtit të këtij viti tashmë do të hetohet nga Prokuroria e Krimeve të Rënda. Akuza e kryeqytetit ka konstatuar se viktima është vrarë nga shoku i tij, i cili është shpallur në kërkim, pasi në momentin e përplasjes me policinë është larguar në drejtim të paditur. Ndërkohë, nisur nga dëshmitë e punonjësve të policisë dhe të dëshmitarëve okularë, është konstatuar se grabitësit kanë qëlluar me uniformat blu, duke konsumuar elementët e veprës penale të “vrasjes për shkak të cilësive të veçanta”. Në vendngjarje janë gjetur disa gëzhoja dhe predha që nuk u përkasin armëve të punonjësve të policisë, çka i ka bindur drejtuesit e Prokurorisë së Tiranës se punonjësit e policisë kanë shkëmbyer zjarr me grabitësit.
Ndërkohë, disa javë më parë, Laboratori i Kriminalistikës ka nxjerrë analizat e plumbit që qëlloi për vdekje Ahmet Bardhoshin gjatë një përplasjeje me armë të shokut të tij dhe policisë. Patrulla e policisë po ndiqte dy persona që dyshoheshin për vjedhje dhe gjatë ndjekjes pati shkëmbim zjarri. Nga kjo mbeti i vrarë 32-vjeçari, ndërkohë që u “ngrinë” tre efektivët, të cilët po ndiqnin të dyshuarit. Ekspertiza ka nxjerrë konkluzionet për plumbin që i shkaktoi vdekjen atij dhe nga krahasimet rezulton se ai nuk është qëlluar nga asnjë prej tre armëve të punonjësve të policisë. Grupi hetimor ka rimarrë në pyetje tre policët që u përplasën me armë me dy personat e dyshuar, që më pas rezultuan se ishin hajdutë dhe po qarkullonin me një makinë të vjedhur, brenda së cilës gjendej edhe një gjenerator i vjedhur. Personi tjetër, që shoqëronte viktimën, i cili ka hapur zjarr i pari, ende nuk është kapur. Tre efektivët e policisë kanë rikonfirmuar dëshmitë e tyre, duke treguar rrethanat e ngjarjes.
Sipas të dhënave, pas thirrjes së policisë, dy personat nuk kanë ndaluar dhe kanë braktisur makinën, duke tentuar të largohen. Bashkëpunëtori i viktimës ka qenë i pajisur me pistoletë dhe ka qëlluar në drejtim të policisë. Në këtë kohë, policia është kundërpërgjigjur, që sipas të dhënave është procedurë standarde. Në makinën e policisë ndodheshin tre efektivë, shoferi, përgjegjësi i grupit dhe një tjetër oficer. Shoferi ka qëndruar në makinë dhe dy të tjerët i janë kundërpërgjigjur zjarrit. Një nga efektivët ka qëlluar katër plumba, ndërsa tjetri vetëm dy. Në vendin e ngjarjes janë gjetur edhe tre gëzhoja që i përkasin bashkëpunëtorit të viktimës. Nga këqyrja e vendit të ngjarjes rezulton se viktima ka rënë me kurriz pas marrjes së një plumbi të vetëm. Sipas ekspertizës, viktima plumbin e ka marrë në kurriz, nga poshtë lart. Ky plumb ka dalë në nofullën e poshtme të tij.
#