TVSH për ilaçet, rriten me 10% çmimet
Futja për herë të parë e TVSH-së edhe për ilaçet, megjithëse u deklarua nga dikasteret përgjegjëse se nuk do të ndikonte në rritjen e çmimit të tyre, nuk ka rezultuar kështu. Gjatë diskutimeve për këtë çështje, ministri i Financave, Ridvan Bode, dhe jo vetëm, por edhe deputetë të mazhorancës në Komisionin e Shëndetësisë, argumentuan se futja për herë të parë e TVSH-së për ilaçet nuk do të rriste çmimin e tyre. Por në fakt, ajo që po ndodh me çmimin e ilaçeve nëpër farmaci është e kundërta, pasi duke nisur nga dita e martë çmimi i ilaçeve do të pësojë një rritje në vlerën 10% më shumë nga çmimi aktual. “Ne e kemi lënë të fillojë më 1 shkurt, sepse informacioni është vetëm për depot që kanë filluar sot. Që nesër (sot) do të fillojë për medikamentet me TVSH 10%”, - shprehet një farmacist në kryeqytet, Florian Marku. Përveç rritjes së çmimit, vendosja e TVSH-së 10% ka sjellë edhe probleme me furnizimin e farmacive me ilaçe, pasi tregtarët e mëdhenj të medikamenteve ende nuk e kanë të qartë se si duhet faturuar kjo taksë shtesë, e cila më parë ka qenë zero.“Për momentin, nuk kemi bërë furnizim, sepse nuk është ende e qartë. Aktualisht ilaçet po i shesim siç i kemi shitur gjithmonë”, - thotë një tjetër farmacist, Edlir Baburi. Mësohet se për këtë çështje importuesit e medikamenteve janë takuar me drejtues të Tatimeve, ku janë sqaruar se medikamentet që tashmë janë gjendje do t’u shtohet në çmimin të cilin e mbajnë në pullë edhe TVSH-ja 10%, ndërsa furnizimet pas datës 30 janar do të kenë në pullë çmimin ku do të përfshihet TVSH-ja. Sipas teorisë dhe praktikës ekonomike, në kushte normale tregu, kërkesë dhe ofertë, çdo taksë apo tatim i ri mbi produkt do të pasqyrohet menjëherë te konsumatori. Në rastin e TVSH-së, aplikimi dhe pagesa e saj bëhet pikërisht nga hallka e fundit, që është konsumatori. Për këtë arsye, futja e ilaçeve në skemën e pagimit të TVSH-së e bën të pashmangshme rritjen e çmimit të tyre. Normalisht, pas fillimit të zbatimit të ligjit, të gjitha farmacitë do të shesin më shtrenjtë, të paktën 10 për qind, ilaçet. Dhe bëhet fjalë për të gjithë llojet e ilaçeve, të prodhuara apo të importuara, të rimbursueshme, për pensionistët dhe ata që paguajnë sigurime, apo jashtë skemës së rimbursimit.