E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sigurimet shëndetësore, si do të funksionojë skema e re

SHKRUAN: Jonida Tashi 01-02-2011 11:22

Miratohet në parim dhe pa praninë e deputetëve të opozitës drafti për sigurimin e detyrueshëm shëndetësor. Komisioni i Shëndetësisë miratoi dje në parim projektligjin “Për sigurimin e detyrueshëm shëndetësor”, i cili u konsiderua nga anëtarët një ligj mjaft i rëndësishëm. E pranishme në mbledhje ka qenë edhe drejtoresha e Institutit të Sigurimeve të Kujdesit Shëndetësor, Elvana Hana, sipas së cilës në këtë ligj kemi konsolidim të sigurimeve në sistemin Bismark. Ndonëse deri më tani për këtë draft ka pasur diskutime të shumta, Hana ka bërë të ditur se me këtë ligj është vendosur skema Bismark, sikurse në vendet gjermano-folëse, si Gjermani, Austri etj. Sipas Hanës, parimi i solidaritetit është një nga parimet bazë të ligjit, që është dhe në disa vende europiane. “Ligji, nga pikëpamja e shërbimeve shëndetësore, është shumë herë më i përcaktuar sesa ligjet që kanë qenë në fuqi deri më sot. Ligji garanton paketa shërbimi mjaft mirë të përcaktuara, të kontraktuara nga ana e fondit dhe shumë transparente ndaj popullatës, çka përbën dhe një element të rëndësishëm kundër korrupsionit. Transparenca do të jetë në të gjithë elementët, që nga futja e pacientit në sistem deri te kostot që paguan fondi për pacientët, në çdo hallkë të sistemit për çdo lloj shërbimi. Vetë qeveria, merr përsipër një barrë të konsiderueshme, pasi do të mbulojë popullatën në nevojë, si të papunët, pensionistët, fëmijët, invalidët etj.”, - është shprehur drejtoresha e ISKSh-së para deputetëve të mazhorancës. Ligji garanton shërbim cilësor optimal dhe rritje të skemës, nëpërmjet paketave të shërbimit. “Kështu, nëse ne nisim me një paketë modeste shërbimesh, pas llogaritjes së kostove, do të lejojë rritje të skemës në disa nivele, nëpërmjet shtimit të shërbimeve në parësor, spitale, duke rregulluar dhe sistemin sekondar dhe terciar në të gjithë vendin”, - sqaroi më tej Hana. Sipas saj, ligji lejon dhe krijimin e spitaleve të mira rajonale, duke zbatuar sistemin e referimit. Drejtoresha e ISKSh-së tha se ligji do të mundësojë ofrimin e më shumë shërbimeve që do të blihen nga ISKSh-ja, jo vetëm për qendrat shëndetësore, por edhe për spitalet. Kështu, pavarësisht se ligji vë theksin te sistemi publik shëndetësor, që është dhe pjesa më e rëndësishme e tij, në të lihet hapësirë dhe për privatin. Aktualisht, Instituti i Sigurimeve Shëndetësore financohet 25% nga pagesat e kontributeve të të punësuarve dhe 75% nga buxheti i shtetit. Edhe në projektligjin e sigurimeve shëndetësore, sipas të cilit ISKSh do të kthehet në Fond, peshën kryesore të financimit do ta ketë buxheti i shtetit, pasi do të ofrohet shërbim shëndetësor, si për të siguruarin ashtu dhe për atë që nuk është në skemë.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›