E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ose Fazlliç, ose hiç!

Nga Mero Baze

Ish-ministri i Jashtëm, Besnik Mustafaj, foli dje publikisht rreth një shqetësimi që sa vjen e shtohet, lidhur me përdorimin e gjithë pushtetit politik për të mbrojtur një të dyshuar për evazion fiskal dhe pastrim parash të quajtur Damir Fazlliç. U bë më shumë se një javë që kryeministri Berisha ka hedhur në betejë gjithkënd që del dhe nuk del vullnetar nga radhët e Kuvendit, qeverisë dhe partisë. Mustafaj u bë kështu i pari zë kundër, që bën thirrje të ndalet ky keqpërdorim dhe të mos hyjmë në konflikt me Perëndimin për një të dyshuar. Kjo natyrisht që do të ketë një çmim për të. Por problemi më i ri që po del brenda PD është se njësoj po marrin kosto dhe ata që po dalin vullnetarë për të mbrojtur Fazlliçin. Pas deklaratave të ambasadës së SHBA në Tiranë dhe gjithë ambasadorëve të BE, u pa një linjë tjetër zyrtare ndaj tyre. Njerëzit e Berishës që u ftuan t’i komentojnë këto deklarata, i pranuan ato si vërejtje të drejta dhe fajësuan për këtë Bujar Nishanin dhe Enkelejd Alibeajn. Pra, tendenca e qartë është të tregohet se vullnetarët që dalin në mbrojtje të Fazlliçit, e bëjnë këtë me kokë të tyre dhe se Berisha nuk është dakord me ta.

Megjithëse shumë perverse dhe e pabesë si taktikë politike, ajo është tipike e një kryeministri që ka hyrë në spiralen e mosmbrojtjes dot të sekserit të familjes së tij. Mjaftoi një deklaratë e SHBA dhe BE dhe ai hodhi poshtë dy ministra, sikur të mos i kishte urdhëruar ai në telefon të bënin atë marrëzi që bënë. Natyrisht, diplomatët perëndimorë në Tiranë e kanë të qartë se çfarë ka ndodhur dhe kush është duke e mbrojtur Fazlliçin. Ata janë të interesuar që prokuroria të hetojë e qetë dhe të arrijë në përfundime të drejta. Berisha ndërkohë është i interesuar të konsumojë çdokënd brenda PD në këtë çështje, me qëllim që askush të mos guxojë të thotë pastaj se ishte gabim mbrojtja e Fazlliçit. Bujar Nishani do ta ketë të vështirë ta thotë këtë më vonë, po ashtu dhe Alibeaj. Po ashtu dhe shumë drejtues të lartë të PD Berisha po i përfshin në luftë nën moton “Ose Fazlliç, ose hiç”. Secili prej tyre do të kthehet në një hiç, nëse nuk mbron tashmë të përfolurin Fazlliç. Dhe, derisa beteja të përfundojë, do të rrjedhin shumë ujëra dhe shumë prej atyre që po dalin vullnetarë, do të flaken si të keqpërdorur që i prishin imazhin kryeministrit në Perëndim.

Tendenca tjetër e kryeministrit Berisha është të krijojë alibi false për rrethin e tij familjar. Dje kishte nxjerrë vajzën dhe mbesën të bënin përgënjeshtrime për akuza që nuk ua ka ngritur njeri dhe të mos jepnin asnjë shpjegim për akuzat konkrete. Akuza konkrete zotit Fazlliç nga media i është ngritur, pasi është publikuar kontrata fiktive e shitjes. Ajo është ose pastrim parash, ose evazion fiskal. Këshilltarja e tij ligjore, Argita Berisha, nëse ka diçka për të folur, mund të thotë se çfarë është kjo, jo të bëjë sikur përgënjeshtron gjëra që s’ia ka thënë njeri. Po ashtu, mbesa e tij nuk ka asnjë akuzë se ka shkelur ligjin duke punuar si kontabiliste te firma “Alpha” e Fazlliçit apo te dy filialet e “Rompetrol”-it, që kanë kaluar në likuidim për shkak të borxheve, duke u zëvendësuar me dy të reja. Ajo thjesht është ilustrim se Fazlliç i kryen punët me njerëzit e besuar të familjes që i krijojnë lehtësi për shkak të pushtetit. Ne nuk e kemi akuzuar atë pse është kontabiliste, por kemi thënë se Fazlliç i ka kryer punët me njerëzit e besuar të kryeministrit. E njëjta kontabiliste është dhe te fabrika e armëve në Poliçan, por ne nuk kemi thënë se e ka çuar kryeministri të fshehë bilancin e armëve që kanë ardhur nga Poliçani në Gërdec.

Dhe spekulimi më i fundit i Berishës, por i pari për nga rëndësia, është mbrojtja e tij se nuk është shkelur asnjë ligj në favorizimet që i janë bërë Fazlliçit. Ky është tregues që ai është i kapur. As në Gërdec nuk është shkelur asnjë ligj. Përkundrazi, janë bërë ligje të tilla që favorizonin miqtë e familjes së tij të demontonin fishekë. Ligjet janë bërë nën mbikëqyrjen e djalit të tij, i cili bridhte zyrë më zyrë e zyrtar më zyrtar ta bënte ligjin ashtu si e donte. Dhe e bëri. Pas kësaj ai nuk e shkeli ligjin, por hodhi në erë një fshat të tërë, duke vrarë 27 vetë dhe duke shkatërruar gjithë fshatrat përreth. Asnjë ligj nuk është shkelur as duke falimentuar dy kompani dhe duke hapur dy të reja në të njëjtën zyrë, por është keqpërdorur ligji, duke përdorur klientelizmin me kryeministrin dhe duke mos parë që kompania, e cila ka patur borxhe, ka pasur dhe ka asete, të cilat i duheshin sekuestruar. Gjëma e madhe nuk është shkelja e një ligji, se ai verifikohet dhe fajtorët ndëshkohen. Kapja e shtetit nis atje kur ligjet bëhen për t’iu shërbyer trafikantëve. Zoti Berisha ka shkelur parimet e tij, ka dhunuar besimin e qytetarëve se ai do të luftojë korrupsionin dhe po bën ç’është e mundur që Fazlliç të mos shkojë para drejtësisë. Ai po kërcënon prokurorinë, po përpiqet të shkelë Kushtetutën dhe të shpikë hetime ndërkombëtare, po konsumon pushtetin e shumicës për hir të Fazlliçit dhe po përpiqet ta sabotojë hetimin e prokurorisë duke nisur hetime paralele nga Ministria e Brendshme. Duke bërë këtë, ai ka shkelur premtimin për moskapje të shtetit prej trafikut, ka shkelur të drejtën e qytetarëve shqiptarë që të jenë të barabartë para ligjit, ka shkelur rregullat e lirisë ekonomike dhe konkurrencës së lirë, duke bërë që një i përfolur si kryesekser i Ballkanit, të bëjë 50 milionë euro për tre vjet, dhe të paguajë 20 mijë lekë sigurime shoqërore në muaj dhe 100 mijë lekë tatime mbi fitime, dhe ato pa i likuiduar. I kapur ngushtë, ai tashmë po konsumon çdo figurë të PD, çdo ministër e deputet për luftën e shenjtë në mbrojtje të Fazlliçit. Lajmi i parë i mirë ishte dje deklarata e Mustafajt. Shpresoj që dikush hapur e dikush heshturazi ta ndalin këtë rrugë drejt greminës, në të cilën po shkohet për të vdekur me emrin e Damir Fazlliçit në gojë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›