E Shtunë, 31 Tetor 2026

Meta vjen në Tiranë, do jetë në krye të listës së kandidatëve të kryeqytetit

Nga L.Progni

I bindur se janë forcuar pozitat e LSI në kryeqytet, kryetari i kësaj partie, Ilir Meta, ka vendosur të jetë në krye të listës së kandidatëve për deputetë të LSI pikërisht në Tiranë, duke lënë kështu zonën e tij elektorale në Skrapar, ku u zgjodh si deputet për disa legjislatura. Kryetari i LSI shpalli dje kandidatin e parë për deputet të LSI, i cili i përket pikërisht Skraparit. Meta prezantoi dje të parin kandidat të LSI në Skrapar, pikërisht në zonën e tij elektorale, në Çorovodë. Gjatë një takimi para dy ditësh në anëtarë e simpatizantë të kësaj partie në Çorovodë, Meta zyrtarizoi largimin, duke prezantuar kandidatin që do e zëvendësojë, Sekretarin Politik të kësaj partie për qarkun e Beratit, Nasip Naço. “Populli i Skraparit, më ka pritur me shumë dashuri që në vitin ‘92, për t’u bërë deputet në një kohë shumë të vështirë dhe të acartë për të majtën, por edhe për demokracinë. Populli i Skraparit, ka treguar gjithnjë mençuri, duke mos e besuar Sali Berishën as atëherë dhe duke votuar për alternativën e majtë, që në atë kohë dhe në vazhdim”, - tha Meta. Në vazhdim ai shpjegoi arsyet që e çojnë në një vendim të tillë, zanafilla e të cilit duket se është sistemi i ri zgjedhor. Duke konfirmuar votën e votuesve të Skraparit për LSI, ai tha se fitorja e kësaj partie në Tiranë është me mjaft rëndësi. Ilir Meta është i vetmi kandidati i kësaj partie që në zgjedhjet e 2005 fitoi drejtpërdrejt në zonën e Skraparit. “Unë jam i bindur që Skrapari ka shumë arsye të votojë për LSI, ka shumë arsye të votojë edhe për Nasipin, pasi Skrapari do të votojë për një forcë politike që e do dhe që e ndjen popullin e Skraparit, si askush tjetër, për një forcë politike që pa dyshim po pushton të gjithë Shqipërinë, por në radhë të parë kryeqytetin tonë, Tiranën. Ju e dini sa herë e kam ngritur në këto dy vjet çështjen e rrugës për të përfunduar deri në Çorovodë, që ka ngelur për hiçgjë. Madje, herën e fundit u detyrova t'i them Saliut, që ta kërkojë rrugën edhe në emër të demokratëve të Skraparit, se për të gjithë të majtët e Skraparit nuk ka iluzione për Berishën. Ai u angazhua disa herë që do të “bënte namin” dhe ju e shikoni, dhe ne nuk presim që ai të bënte ndonjë çudi në këto muajt që kanë mbetur”, - tha Meta.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›