Ta marrësh seriozisht çarmatosjen

Melbourne, 3 gusht (Reuters) – Njerëzit nganjëherë harrojnë që djaloshi i cili gënjente duke thirrur “ujku”, në fund pësoi prej tij. është e vërtetë se nuk ka pasur asnjë viktimë të armëve bërthamore që nga sulmet mbi Hiroshimë dhe Nagasaki, 65 vjet më parë. Po ashtu, pasi që tensionet e Luftës së Ftohtë tashmë janë tejkaluar, është fare lehtë për politikanët dhe qytetarët të mos i përfillin parashikimet apokaliptike, të mos marrin parasysh kërcënimin që paraqesin këto armë dhe të konsiderojnë të kota përpjekjet për eliminimin, apo të paktën pengimin e përhapjes së tyre.
Mirëpo, e vërteta është se është thjesht fati – jo shtetësia, menaxhimi i mirë profesional, apo një sistem stabil i armatimit botëror bërthamor – ai që na ka mundësuar të mbijetojmë tashmë një kohë të gjatë, pa pësuar nga ndonjë katastrofë. Derisa vazhdojnë të ekzistojnë 23.000 armë bërthamore (të barasvlershme me më shumë se 150.000 Hiroshima), më shumë se 7.000 prej tyre të përgatitura për lansim dhe më shumë se 2.000 në gjendje alarmi, ne nuk mund të supozojmë se fati do të na shpëtojë gjithnjë.
Tani e dimë – me dëshmi të shpeshta për gabime njerëzore dhe rënie të sistemeve si në palën amerikane, ashtu edhe atë ruse gjatë Luftës së Ftohtë, e më pas – se madje edhe sistemet më të sofistikuara të komandimit dhe kontrollimit nuk janë të pagabueshme. Ne e dimë se disa prej shteteve që rishtazi janë bërë fuqi bërthamore, kanë sisteme më pak të sofistikuara. Po ashtu e dimë se, përgjatë spektrit të sofistikimit, rreziku i ndonjë sulmi kibernetik është madje edhe më i lartë.
Prandaj, shihet ashiqare se mbajtja e status quo-së është e patolerueshme. Për më tepër, ekziston rreziku i vërtetë i përhapjes së armatimit bërthamor, posaçërisht në Lindjen e Mesme, gjë që e shumëfishon rrezikun që armët bërthamore do të mund të përdoren rastësisht apo gabimisht.
Po ashtu ekziston rreziku ndonëse nganjëherë i ekzagjeruar, se terroristët mund të shtien në duar armë të pasiguruara në mënyrë adekuate, apo materialin e domosdoshëm, duke e aktivizuar bombën në ndonjë qendër botërore. Po ashtu, ekziston mundësia që fuqitë e reja energjetike do të insistojnë të ndërtojnë fabrikat e veta të pasurimit të uranit, apo përpunimit të plutonit, gjë që e paraqet bazën për prodhimin e një bombe bërthamore.
Presidenti Barack Obama e mori pushteti në SHBA, duke qenë i vetëdijshëm rreth të gjitha këtyre kërcënimeve dhe ia mësyu, ashtu si asnjë president tjetër amerikan – dhe pothuajse asnjë lider tjetër botëror – për t’i eliminuar ato.
Udhëheqja e tij na bëri që të shpresojmë se ky dhjetëvjeçar i anktheve do të lihej prapa, duke sjellë disa të arritura modeste gjatë 18 muajve të kaluar.
Në mesin e të arriturave të tij janë arritja e Traktatit të ri, START, SHBA-Rusi, që redukton armët strategjike; disa kufizime modeste të rolit të armëve bërthamore në doktrinën bërthamore amerikane; një samit në Washington, ku u arrit marrëveshja e dobishme për zbatimin e masave për sigurimin e armëve bërthamore; si dhe konsensusi në Konferencën e porsapërfunduar të Rishikimit të Traktatit të Mospërhapjes Bërthamore (NPT), përfshirë Konferencën e vitit 2012 për arritjen e një zone pa armë bërthamore në Lindjen e Mesme.
Mirëpo, ratifikimi i traktatit START ka ngecur në Senatin amerikan, derisa progresi në fushat e tjera ka qenë i ngadalshëm. Në mesin e këtyre fushave të tjera janë hyrja në fuqi e Traktatit Gjithëpërfshirës për Ndalimin e Testeve; nisja e negociatave për një traktat të ri të ndalimit të prodhimit të materialit të nevojshëm për armë bërthamore; përforcimi i regjimit të mospërhapjes me masa efektive për detektimin e shkeljeve; arritja e marrëveshjes për ndonjë formë te menaxhimit ndërkombëtar të aspekteve më serioze të përpunimit të lëndëve të para dhe, mbi të gjitha, fillimi i raundeve të reja të bisedimeve serioze për çarmatosje, ku do të përfshiheshin jo vetëm dy superfuqitë bërthamore, mirëpo të tetë shtetet që posedojnë arsenal bërthamor.
Kontrolli i armatimit dhe çarmatosjes është një punë e pashpërblyeshme. Derisa problemet e brendshme dhe ethet e rizgjedhjes tani dominojnë në shumicën e agjendave politike, është shumë e lehtë që përkushtimi në fushën e armatimit bërthamor tani të humbasë. Për të mos ndodhur një gjë e tillë duhet përkushtimi i vazhdueshëm nga lart, mbi të gjitha prej Obamas dhe presidentit rus, Dmitri Medvedev. Mirëpo ka edhe kontribute të tjera të mëdha që mund të bëjnë shtetet më pak të fuqishme dhe udhëheqësit e tyre.
Detyra më e rëndësishme është që palët me ndikim ta shfrytëzojnë secilin rast për t’i alarmuar të tjerët rreth rrezikut. Porositë duhet të jenë të qarta: armët bërthamore nuk janë vetëm armët më jonjerëzore të shpikura ndonjëherë, mirëpo edhe të vetmet që kanë kapacitetin për ta shkatërruar jetën në këtë planet. Edhe dyoksidi i karbonit mund të na vrasë, mirëpo jo aq shpejt sa bombat.
Detyra e dytë është që të përgatitet një agjendë e qartë e çarmatosjes bërthamore – me afate dhe hapa të realizueshëm. është mbase tejet e vështirë që të përcaktohet një afat i qartë për arritjen tek ”zero globale”, pasi që vazhdojnë të ekzistojnë probleme të mëdha teknike të verifikimit dhe zbatimit, ashtu si edhe probleme gjeopolitike apo psikologjike. Mirëpo, nuk është e paarritshme që viti 2025 të përcaktohet si afat për minimizimin e arsenalit bërthamor në më pak se 10 për qind të përmasave aktuale të tij. Po ashtu, ne mund ta nisim përgatitjen e një konvente të re për armë bërthamore, në të cilin do të përfshihej korniza funksionale për negociata shumëpalëshe dhe përgatitja e një mekanizmi të pavarur të monitorimit të nivelit të lartë që do të përcaktonte kushtet e qarta për progres, ta përcillte arritjen e tyre dhe të krijonte presion për ndryshime.
Që të gjitha këto janë rekomandime të Komisionit Ndërkombëtar për Mospërhapjen Bërthamore dhe çarmatosjen. Derisa bota këtë gusht shënon 65-vjetorin e bombardimit të Hiroshimës dhe Nagasakit, ne duhet ta pranojmë se fati nuk do të na përcjellë gjithnjë. Për këtë arsye çarmatosjen duhet ta marrim seriozisht.
(Autori, ish-ministër i Jashtëm i Australisë dhe president emeritus në Grupin Ndërkombëtar të Krizave, është bashkëkryesues i Komisionit Ndërkombëtar për Mospërhapjen Bërthamore dhe çarmatosjen, si dhe profesor bashkëpunëtor në Universitetin e Melbournit. Ky vështrim është shkruar ekskluzivisht për rrjetin e gazetarisë botërore, “Project Sindycate”, pjesë e të cilit është edhe “Koha Ditore”)