Funksionimi kontra i argumenteve

“A janë bërë mjaftë argumente për t’u rrëzuar kjo qeveri?”, shtron pyetjen një kontakt në “Facebook” nën identitetin “Anonymous”. Si të bëhet një bisedë rreth kësaj pyetjeje? Kush ta rrëzojë këtë qeveri? Apo tjetrën pas saj? Si ta rrëzojë? Dhe, pse ta rrëzojë? Kush e bën qeverinë në Kosovë? Kush menaxhon dhe kush numëron votat? Dhjetëra, ndoshta qindra pyetje rrjedhin nëse përpiqemi të gjejmë përgjigje në pyetjen fillestare, nëse dëshirojmë ta adresojmë sado pak pyetjen që bën një qytetar i zakonshëm. Natyrisht, pyetja që vetë politika duhet t’ia shtrojë vetvetes, është “pse lind një pyetje e tillë nga një qytetar?”. Një qytetar që, mbas informatave që kam marrë rreth tij, ka qenë ushtar i UçK-së.
Pse krijohet bindja se këtu po krijohen argumente për ta rrëzuar qeverinë, ndërkohë që ajo sa vjen e forcohet? Mos kemi huqur diçka bazike? Mos kemi harruar diçka prej së cilës është ndërtuar sistemi politik me të cilin po jetojmë? Unë kam një përgjigje të pjesshme për këto pyetje: argumentet që ne mendojmë se funksionojnë kundër politikës në Kosovë, në të vërtetë funksionojnë pro saj. “çka po do me thanë?”. Në përpjekje për të argumentuar çdo ditë, me fakte, atë që po ndodh, e kemi humbur idenë mbi bazën mbi të cilën qëndron politika kosovare, që esencialisht është jodemokratike dhe ku argumentet kanë kundërefektin e logjikës normale. “Prapë s’po të kuptoj!”. Më thjesht, nëse ne mendojmë që duke ekspozuar korrupsionin, mungesën e demokracisë, përkeqësimin e gjendjes së qytetarit, po i bëjmë presion politikës dhe po dobësojmë pozitat e korrupsionit, në të vërtetë po e bëjmë të kundërtën. “Pse?”. Sepse ideja e politikës kosovare nuk është demokracia, por është përfaqësimi i interesave jokosovare (ndërkombëtare), nuk është zhvillimi, por dhënia e pasurisë tek të huajt, dhe për efekt, nuk është përmirësimi i standardit të jetës, por e kundërta, varfërimi. Kjo shihet në shumicën e politikave e vendimeve, kjo shihet edhe në statistikat makroekonomike për këta dhjetë vjet. Prandaj, nëse determinanta normale e një relacioni është, ta zëmë, sa më shumë korrupsion, aq më shumë sanksion, në Kosovë është e kundërta. Sa më pak korrupsion, aq më shumë sanksion. Sepse korrupsioni është bërë “trade mark” i funksionimit të politikës, i arritjes së objektivave politike ndërkombëtare.
Fakti që sovran mbi këtë politikë janë institucionet jodemokratike (ICO, EULEX, KFOR, ambasadat), bën që përfaqësimi i vullnetit të qytetarëve të shkaktojë dëm për politikën, e puna për përfaqësimin e vullneteve tjera të jetë kusht për pushtet. Nëse një qeveri dhe politikë dobësohet për shkak të mospërfaqësimit të vullnetit të shumicës, këtu asaj i forcohet pozicioni pikërisht për shkak të kësaj. Sigurisht kjo nuk do të thotë se ai që e humb pushtetin ka filluar të përfaqësojë vullnetin e qytetarit, por ndërrimi i pushtetit është bërë thjesht një proces formal, për të kënaqur partitë që janë në parlament, e jo një proces që reflekton ndryshimin mes partive.
Funksionimi i argumenteve kundër logjikës së zakonshme, shihet në çdo fushë. Për shembull, një prokuror a gjyqtar është më lart në hierarkinë e drejtësisë, për aq sa mbrapa ka lënë histori përndjekëse, korrupsion e lidhje me krimin e organizuar. Kur korrupsioni është i madh, ama vërtet i madh, sistemi, bashkë me aktorët e rëndësishëm vendës e ndërkombëtar, veprojnë për ta mbrojtur e forcuar pozicionin e politikanit/zyrtarit në pyetje (“rasti Limaj” dhe “rasti Hashim Rexhepi”).
Dua ta nxjerr një citat të Ukshin Hotit, të bërë më 26 maj të vitit 1990, në Krushë të Madhe:
“...Demokracia doemos do të duhej t'i ndihmonte zhvillimit shoqëror dhe ekonomik të Kosovës... Mirëpo me demokraci nuk mund të synohet konservimi i raporteve të vjetra, sepse ato në Kosovë shpesh janë të karakterit feudo-klanor...”
Dhe sidomos: “Në qoftë se me demokraci synohet demobilizimi dhe jo mobilizimi i forcave të zhvillimit; në qoftë se, ajo (demokracia), nuk do ta mundësojë (përmes zgjedhjeve të lira), shpërthimin e forcave të njëmendta kreative; në qoftë se përmes konkurrencës së lirë të ideve, mendimeve dhe mallrave nuk do të mundësohet ndërtimi i vlerave të njëmendta; në qoftë se, me fjalë të tjera, demokracia, përmes mekanizmave tanimë të njohur, do të reduktohet në formalizëm të thjeshtë për ruajtjen e privilegjeve tashmë të privilegjuara e jo për begatimin e jetës shoqërore dhe politike, ky lloj i demokracisë në Kosovë nuk do t'u duhet as bartësve seriozë të saj, të cilët në Amerikë e propaganduan si mënyrë të denjë për jetën e njeriut”.
Pra, njeriu më i spikatur i filozofisë politike shqiptare për kohën e dhënë e edhe përtej, qysh atëherë e ka vënë re tendencën e shndërrimit të demokracisë në Kosovë në një sistem që i dedikohet ruajtjes së privilegjeve, do të thotë shndërrimin e saj në një kërkesë formale që nuk e ka domosdoshmërisht zhvillimin e mirëqenien si qëllim, por ndodh, sepse kështu lypet. Ukshin Hoti pastaj konkludon se “demokracinë në Kosovë nuk e lindën të tjerët, e as nuk u lind për qejfin e tyre. Ishte e ndërlidhur me proceset demokratike të Evropës dhe me synimet e tilla të njerëzimit. Demokracia në Kosovë u vetëlind në vitin 1981, do të rritet vetë, së bashku, e barabartë dhe e ndërlidhur me të tjerat....”. Sot në Kosovë, politika vazhdimisht shantazhon me panikun se Kosova mund të humbasë gjithçka nëse nuk përfaqësohen alternativat që na jepen. Nëse procesi i privatizimit nuk bëhet siç bëhet, nëse integriteti i vendit nuk injorohet siç injorohet.
Nëse në vazhdimësi për tërë këto vite, me këtë model qeverisjeje, qytetari është bërë i varfër, pse duhet të vazhdojmë ta quajmë demokraci këtë që po ndodh? Nëse për shembull procesi i privatizimit sipas modelit të dhënë nga njerëzit e njëjtë që bazën e kanë në marrëdhënie feudo-klanore dhe të skemave të shërbimeve të informimit, ka shkaktuar degradim të ekonomisë, pse ai vazhdon të quhet privatizim?
Momenti vendimtar në refuzimin e kësaj që po ndodh është në kuptimin se duke menduar se po sulmojmë këtë lloj politike, ne jemi duke i ndihmuar asaj, besoj se mund të gjendet përgjigjja në pyetjen e ushtarit të thjesht të UçK-së, a ka mjaftë argumente për ta rrëzuar politikën, e kështuzme. Jo Qeverinë, sepse mendoj se tërë kjo nuk definohet vetëm në qeveri. Marrëdhëniet feudo-klanore bazën e kanë në diskriminim, paternalizëm, korrupsion e shpesh ky sistem vlerash kthehet edhe në mbrojtës të veprimeve çnjerëzore e imorale.
Pra, nëse ne vazhdojmë të themi se kjo qeveri është më e korruptuara në historinë e Kosovës, në fakt në adresën e faktorit që vendos mbi të ardhmen e këtij vendi, kemi thënë se kjo është qeveria më e përshtatshme për ta udhëhequr një proces eksploatimi, vendnumërimi, e degradimi. Sepse korrupsioni është shndërruar tashmë në mjet për të arritur qëllime më të mëdha sesa vetëm kontrollin ndaj politikës. Ai është shndërruar në mjet për ta mbajtur një sistem që vetëm formalisht është demokratik. Kjo më së shumti shihet në raportet e kësaj politike me ekonominë, aty ku edhe kanë interes aktorët më të rëndësishëm ndërkombëtarë në Kosovë. Për shembull, nga të njëjtit aktorë ndërkombëtarë, në njërën anë na thuhet se politika kosovare është e korruptuar dhe e përzier me krimin e organizuar, e në anën tjetër nga po të njëjtit aktorë pengohet luftimi i korrupsionit dhe i krimit të organizuar. Kjo para së gjithash se falja e pasurisë publike në njërën anë, dhe vazhdimi i pafund i negociatave për të shkoqur sa më shumë sovranitet e integritet territorial të Kosovës, është i mundur vetëm me njerëz të korruptuar e të inkriminuar, të cilëve në nivelin ultimativ u mundësohet të pretendojnë se janë përfaqësues demokratikë. Pra, me fjalët e Ukshin Hotit, demokracia në Kosovë është shndërruar në formalizëm të thjeshtë me qëllim të ruajtjes së marrëdhënieve të vjetra. Demokracia thjesht është shndërruar në një sfond mbi të cilin ruhen e zhvillohen këto marrëdhënie të vjetra.
(Autori është bashkëthemelues i organizatës çOHU!)