E Shtunë, 31 Tetor 2026

United Colors of Uniontton

Kur kompanitë botërore si ”Benetton Group” hasin në vështirësi që u ngjajnë filmave trilerë në përpjekje për të investuar në Kosovë, atëherë kush do t’ia mësyjë këtij vendi?

A E DI KUSH se çfarë ka ndodhur me objektin e ish-hotel “Unionit”? A e di kush se çfarë po ndodh me këtë objekt? Aq palë janë përfshirë dhe aq persona kanë bërë zhurmë, saqë e tëra i ngjan komunikimit të shurdhanit me të verbrin. Ajo që shihet është një gërmadhë e shëmtuar në krye të sheshit kryesor të kryeqytetit, as 100 metra larg ndërtesës së Kuvendit, Qeverisë e Teatrit Kombëtar. Mirëpo, ajo që nënkuptohet është se megjithatë në këtë vend ende jemi larg nga strategjitë e mirëfillta për zhvillim dhe krijimi i hapësirës për investime serioze nga jashtë. Me sagën e ish-Unionit po ndodh në fakt e kundërta: po shkatërrohen objektet e rralla me arkitekturë të vjetër dhe po largohen investitorët e huaj me nam.

KëTë JAVë Në Prishtinë qëndroi një delegacion i “Benetton Group”, udhëhequr nga kryedrejtori ekzekutiv, Franco Furno. Ata sollën garancitë se do të ruajnë në tërësi pamjen e jashtme të objektit dhe se në rindërtim do të investojnë deri në 10 milionë euro. “A mund t’i besojmë?”, u pyet këto ditë ndonjë zyrtar i lartë institucional në Kosovë. Dikush do të përgjigjej: “Ndoshta më tepër atyre se juve”.
Sa për rikujtim “United Colors of Benetton” është një nga brendet më të mëdha botërore. Kompania me seli në Treviso të Italisë ka rreth 6 mijë dyqane në 120 vende të botës, afro 10 mijë të punësuar dhe gjeneron më se 2 miliardë euro në vit. Ata që kanë shëtitur pak, edhe e dinë se “Benetton” njihet për objektet me vlera kryesisht të vjetra arkitektonike, ku ka të hapura dyqanet e veta. E është kjo kompani që, me partner kosovar, ka blerë në procesin e privatizimit më 2006 objektin me vlera të ish-hotel “Unionit”, me qëllim të hapjes së edhe një megadyqani, siç ka bërë në kryeqytetet e shumta të botës. Mirëpo, që nga ajo kohë, “Benetton” ia ka dalë të hapë edhe qindra dyqane të tjera përreth botës, por jo edhe atë në Prishtinë. çka s’ka ndodhur në ndërkohë.
Objekti në fjalë është parë me interes të veçantë nga shumë palë. Komuniteti i artistëve, bashkë me individë që ia duan të mirën qytetit, kanë dalë edhe në protesta rrugëve për të kërkuar që të mos rrënohej, ose të mos i ndryshohej pamja objektit, në fasadën e të cilit ishte gdhendur edhe përkrenarja e Skënderbeut. Komuna e Prishtinës, disa herë, ose nën zë, ose edhe zyrtarisht, ka lënë të kuptohet se mund të ketë plane të tjera me objektin. Ish-partneri lokal i “Benetton Group” ka vazhduar ta shfrytëzojë objektin për destinime të ndryshme (sipas zyrtarëve të “Benettonit”, pa miratimin e dijeninë e tyre). Ndërkohë, në momentin kur Komuna e Prishtinës përfundimisht ia kishte miratuar lejen “Benetton Groupit” për restaurimin e objektit, i njëjti përpihet nga flakët. As sot e kësaj dite nuk ka ndonjë shpjegim të besueshëm zyrtar se çka e shkaktoi zjarrin, ndërkohë që ka shumë të dyshuar, të cilët flakën do të mund ta shihnin si mjet për përfitime vetjake, ose të grupeve të tyre të interesit.
Së fundi, Kuvendi Komunal, me arsyetimin se gjatë restaurimit pas zjarrit është shkatërruar 80 për qind e objektit, ua ka marrë lejen restauruesve të angazhuar nga “Benetton Group”. çështja tash ka mbetur në deklaratat e pakoordinuara ndërmjet Komunës së Prishtinës dhe Ministrisë së Kulturës.
Ndërsa përfaqësuesit e “Benetton Group”, ndonëse erdhën në Kosovë dhe vunë disa billboardë me mbishkrimin “opening soon”, nuk morën një përgjigje të saktë se çfarë po ndodhë.

T’I SHIKOJMë FAKTET (dhe paragjykimet): “Benetton Group” është pronar i ligjshëm i ish-objektit të hotel “Unionit”, blerë në një proces të rregullt privatizimi.
Dikush (shumëkush) ia ka vënë syrin objektit, si njëri ndër më të çmuarit në Kosovë, dhe dikush (shumëkush) qartazi ka paraparë plane të tjera.
Dikush ia ka vënë zjarrin (qëllimisht!?) objektit.
Policia ka dështuar ta sigurojë objektin, edhe pse ndodhet vetëm disa hapa larg institucioneve më të rëndësishme të vendit.
Policia ka dështuar të zërë shkaktarët e zjarrit.
Pyetjet që mund të shtrohen në këtë rast janë: Kush po dëshiron që të vërë në pikëpyetje ekzistencën e një objekti të privatizuar? Si do të mund të bëhej kjo e mundur ligjërisht? Përse do të duhej të bëhej kjo? Dhe më e rënda: A po pret dikush që “Benetton Group” të kruajë gishtat që të ketë qasje në objektin e vet? Të gjitha këto të lidhura lëshojnë një sirenë të sigurt alarmi: investimi në Kosovë nuk është i sigurt.

TA IMAGJINOJMë  situatën kur “Benetton Group” do të humbiste për ndonjë arsye objektin e blerë. Përveç situatës së parashikueshme kur kompania do të mund edhe ta padiste shtetin e Kosovës, më tepër duhet qarë hallin se çka do të kumtonte një situatë e atillë për shtetin e ri, aq në nevojë për imazh pozitiv e njohje ndërkombëtare.
Në një pyetje drejtuar të parit të “Benetton Group”, Furno, se përse kjo kompani nuk po e shfrytëzon fuqinë punëtore me ndërtimin e ndonjë fabrike në Kosovë, ashtu siç po bën në Kroaci, Maqedoni e gjetiu, ai tha: “Ne po kemi telashe ta hapim një dyqan, e lëre më një fabrikë këtu!”. E tash, mund të paramendohet situata kur burokracia, injoranca, korrupsioni dhe krimi (që të gjitha të lidhura me ato që kanë ndodhur gjatë viteve rreth ndërtesës së ish-hotel “Unionit”) ia dalin ta largojnë një investues të huaj të kalibrit të “Benetton Group” nga vendi. Cili investitor i këtij niveli do të dëshironte t’ia mësynte Kosovës për investim?
Besoj se porosia e udhëheqëses së “Benetton Group” për investitorët potencialë do të ishte: më mirë luaj në casino!

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›