“Ta shndërrojmë këtë 100 vjetor në festën e shqiptarëve”
Kryetari i Bashkisë së Tiranës Lulzim Basha, mban një takim masiv me përfaqësues të komunitetit shqiptar në Nju Jork. “Sot, Tirana është një garanci e madhe për çdo këdo që ‘hedh sytë nga Tirana’”
Në Nju Jork, kryetari i Bashkisë, së Tiranës Lulzim Basha dhe bashkëshortja e tij, Aurela Basha, të shoqëruar nga Konsulli i Përgjithshëm i Shqipërisë në Nju Jork, Dritan Mishto, në një lokal të njohur në zemër të Nju Jorkut, u takuan me komunitetin shqiptar.
Në këtë takim, morën pjesë, qindra vetë; veprimtar dhe aktivistë, përfaqësues të organizatave dhe shoqatave të komunitetit, artistë, gazetarë, studentë, afaristë e biznesmen, shkrimtar, lider fetar, personalitete të njohura nga trojet etnike shqiptare, që jetojnë në SHBA. Gjithashtu, morën pjesë dhe grupe të ndryshme shqiptarësh që kishin udhëtuar nga Detroiti, Çikago, Uashingtoni dhe Florida.
Komuniteti shqiptar i zonës së Nju Jorkut, dhe shteteve për rreth tij, por edhe grupe shqiptarësh që thanë se kishin udhëtuar me disa qindra kilometra nga shtetet e largëta të SHBA, i kanë rezervuar mbrëmë në Nju Jork, “kryeqytetin e shqiptarëve të Amerikës”, një pritje madhështore, Kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha në vizitën mjaft të suksesshme, që ai po i bënë këto ditë në Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Kjo është hera e parë, në historinë e diasporës që një kryetar bashkie të pritet kaq ngrohtësisht dhe me një interesim kaq të madh. “Dëshiroj të falënderoj fillimisht pronarin e këtij lokali kaq të madh dhe të bukur - i madh dhe bujar ashtu si vetë pronari i saj Hasan Biberaj dhe familja e tij, i cili ka bërë thuajse të gjitha pritjet e personaliteteve të shquara shqiptare, kur vizitojnë Nju Jorkun”, vlerësoi Basha.
Kryetari i Bashkisë, së Tiranës Lulzim Basha u shpreh se asnjëherë nuk ka më bukuri, gëzim dhe fisnikëri, sesa kur mblidhen bashkë shqiptarët e Nju Jorkut. “Kam pasur gjatë këtyre ditëve një vizitë mjaft të mirë në Uashington dhe Nju Jork, dhe në momente të veçanta të vizitës kam qenë i gëzuar me atë çfarë është diskutuar në këto takime, për të arriturat në Tiranë, sa që kam thënë ‘më mirë nuk bëhet’, por ja që më e mira vjen gjithmonë në fund: pra, është ky takim që me keni rezervuar ju dhe po e ndaj këtë pritje të madhe me ju duke ju falënderuar nga zemra që keni ardhur të takohemi së bashku”, u shpreh Basha.
Kryebashkiaku foli dhe për vizitën e tij këto ditë në Shtetet e Bashkuara. “Këto ditë kam pasur një vizitë të suksesshme në SHBA, dhe ku kam takuar gjatë kësaj vizitë zyrtarë të lartë të qeverisë amerikane, zyrtarë të lartë lokal dhe afaristë e biznesmenë, duke bërë një bilanc shumë pozitiv, duke vendosur një komunikim konkret dhe mjaft pozitiv me Uashingtonin zyrtar dhe jo vetëm me Bashkinë e atjeshme, por edhe me qeverinë e SHBA, e cila është hera e parë në historinë e kryeqytetit shqiptar Tiranës që bëhet në kuadrin e bashkisë”.
Ky qytet si kryeqendra e të gjithë shqiptarëve duhet dhe do të ketë një bashkëpunim të frytshëm dhe të vazhdueshëm me SHBA, kryeqytetin e amerikanëve dhe të gjithë faktorin e rëndësishëm në këtë vend.
Gjatë fjalës së tij, Basha, përmendi faktin se shumë prej sfidave që e presin kryeqytetin tonë kanë gjetur mbështetje - duke shtuar se ajo që është më e rëndësishmja disa prej tyre, tha ai që kanë më shumë punë për mirë kuptim dhe mbështetje dhe për fonde, e kanë rrugën e hapur që nëpërmjet institucioneve financiare amerikane nëpërmjet korporatave amerikane nëpërmjet biznesit amerikan - nëpërmjet biznesit shqiptaro - amerikan, ne të fillojmë të vëmë në jetë axhendën tonë “për një Tiranë europiane për një Tiranë të shekullit të 21-të”.
Pra, ka nënvizuar kryebashkiaku i Tiranës, të kthehem në Tiranë, e ‘tu them bashkëqytetarëve të mi se kjo vizitë ishte një dritare më shumë në marrëdhëniet e shkëlqyera të SHBA me shqiptarët’. “Tu them atyre se Shtetet e Bashkuara, ashtu siç vlerësojnë progresin e Shqipërisë në këto vite në drejtimin e kryeministrit të vendit tonë Prof. Dr. Sali Berisha, po ashtu kanë të gjitha mundësitë e hapura për një bashkëpunim me qytetin e Tiranës, me qytetarët e Tiranës, për një të ardhme më të mirë. Mbasi theksoi Basha, Tirana sot është një garanci e madhe për çdo këdo që ‘hedh sytë’ nga Tirana. Ky është 100 vjetori edhe i shtetit tonë”, u shpreh Basha, një vit ky që na bën të kthejmë edhe mendjen tonë se çfarë bënë paraardhësit tanë për të fituar këtë ditë që gëzojmë ne sot.
“Çfarë bënë ata burra që të bënin një Shqipëri të pavarur , të lirë dhe sovrane në 28 Nëntor 1912 mbas 500 vjet robëri, dhe për të shtruar rrugën ë një kombi të lirë dhe të fortë në mes të Europës. Ashtu siç jemi ne Shqiptarët, sot, me një Shqipëri të lirë e demokratike, një Shqipëri në NATO, ku shqiptarët lëvizin të lirshëm dhe pa viza në Bashkimin Europian, dhe një Shqipëri, që aspiron për në familjen europiane, Kosovën e çliruar dhe të pavarur, dhe çështja shqiptare, nuk është më ajo e dekadave më parë”, tha ai.
Kryetari i Bashkisë, së Tiranës Lulzim Basha duke përmbyllur fjalën e tij ka nënvizuar edhe një herë rëndësinë që ka 100 vjetori i pavarësisë së shtetit shqiptar. “Ky një 100 vjetor, tha ai nuk është vetëm për të parë se çfarë kemi bërë në këto njëqind vjet, por për të parë se çfarë do të bëjmë në të ardhmen. Andaj, u shpreh Basha, për këtë përvjetor në festim e kësaj date një vend të veçantë në këtë festime, s’ka dyshim që një vend të veçantë zë, edhe komuniteti shqiptarë i Amerikës, për atë çfarë ka bërë ky komunitet për më shumë se 100 vjet pavarësi, që ky komunitet të luaj rolin që i takon në këtë 100 vjetor, dhe së bashku me shqiptarët në Shqipëri, Kosovë e trojet tona etnike, ta bëjmë këtë festë të madhe, që ky të jetë ‘Shekulli i Shqiptarëve në Europë’”.