E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tabelat, Bollano kërkohet në gjyq

Kryebashkiaku i Himarës Vasil Bollano duhet të paraqitet në gjykatë për të dëshmuar në lidhje me çështjen e heqjes së tabelave në gjuhën shqipe, në aksin nacional Llogara-Qeparo. 

VLORE/ QEMAL BIRAKU

Kjo ishte kërkesa e djeshme e kryeprokurorit të Vlorës, Sokol Malaj, bërë para trupit gjykues gjatë seancës së zhvilluar në gjykatën e këtij rrethi. Sipas Malajt, në seancën e radhës, Bollano duhet të paraqitet për të dhënë shpjegimet e tij për këtë çështje në cilësinë e dëshmitarit. Gjykata e Vlorës miratoi dje këtë kërkesë, nga ku mësohet se Bollanos do t’i dërgohet fletëthirrja përkatëse. Ndërkohë, në seancën e djeshme gjyqësore ishte i thirrur nga akuza, në cilësinë e dëshmitarit, kreu i Policisë Bashkiake të Himarës, Aleks Deda. Ai deklaroi para trupit gjykues se kishte zbatuar urdhrat e eprorëve të tij. “Në cilësinë e shefit të Policisë Bashkiake, kam zbatuar urdhrin e nxjerrë nga kryetari i Bashkisë së Himarës si dhe këshilli i kësaj bashkie. Ky urdhër detyronte strukturën që unë drejtoj për zbatimin e saj”, u shpreh shefi i Policisë Bashkiake të Himarës, ndërsa iu përgjigjej pyetjeve të akuzës në lidhje me çështjen e tabelave. Më pas, Deda ripërsëriti të njëjtat argumente, që kanë dhënë edhe kolegë të tij të bashkisë, duke pohuar se ata kanë zbatuar ligjin. Sipas tij, për vendosjen e tabelave në këtë aks rrugor, Drejtoria e Përgjithshme e Rrugëve nuk dispononte lejen e miratuar nga Bashkia e Himarës, sipas ligjit. “Drejtorisë së Përgjithshme të Rrugëve i takon të vendosë vetëm tabela, që kanë shenjat ku tregojnë kthesat apo gjendjen e rrugëve, si dhe shenja të tjera të qarkullimit rrugor, por jo tabela që tregojnë shenja të zonave turistike, arkeologjike dhe muzeale. Këto shenja i takojnë Bashkisë së Himarës dhe jo Drejtorisë së Përgjithshme të Rrugëve”, vijoi më tej Deda. Ai theksoi se Policia Bashkiake është e detyruar të zbatojë vendimet e kryetarit të Bashkisë dhe të Këshillit të Bashkisë së Himarës. Deda pohoi në gjykatë edhe faktin se vendosja në distancë e tabelave ishte e gabuar. Në fund të seancës gjyqësore në ngarkim të kryebashkiakut të Himarës, prokurori i çështjes, Sokol Malaj kërkoi që në seancën e ardhshme, Vasil Bollano të jetë prezent në sallë për të dëshmuar. Kërkesa e tij u miratua nga trupi gjykues. Mësohet se në ditët në vazhdim Bollanos do t’i dërgohet fletë-thirrje për t’u paraqitur në sallën e gjyqit për të dëshmuar. Ndonëse ka gjasa që ai sërish të mos paraqitet, pasi konsiderohet i pandehur dhe në bazë të ligjit ka të drejtën e përfaqësimit nga avokati i tij. Për këtë, Bollano ka hartuar edhe një prokurë ku ka bërë me dije se, në seancat gjyqësore nuk do të jetë i pranishëm, por do të përfaqësohet nga avokati i tij. Gjithsesi, prokurori Malaj e ka renditur Bollanon në cilësinë e dëshmitarit, që kërkohet të dëgjohet nga gjykata. Kryebashkiaku i Himarës akuzohet për shpërdorim detyre, pas heqjes së tabelave në shqip nga aksi rrugor nacional Llogara–Qeparo.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›