E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vidhnin solarin, 5 në pranga

 

BALLSH – Vjedhja e mallit që duhet të ruanin ka prangosur 5 punonjës në kombinatin e përpunimit të thellë të naftës në Ballsh. Burime zyrtare të policisë së Fierit bënë të ditur dje arrestimin në flagrancë të punonjësve të kësaj kompanie, tre prej të cilëve me uniformë policie, duke vjedhur gazoil nga reparti i shitjes së kësaj lënde në KPTHN. Të njëjtat burime saktësuan se të arrestuar janë Ahmet Metou, 44 vjeç nga Ballshi, Genci Mahmutaj 34 vjeç nga Fieri, Ilir Shehaj, 46 vjeç nga Fieri, të tre policë me kontratë në këtë uzinë. Gjithashtu në pranga përfunduan edhe Viron Pashaj, 33 vjeç nga Ballshi, përgjegjës turni në repartin e lëndëve djegëse të uzinës dhe Taulant Çela, 33 vjeç nga Mallakastra, punëtor. Në momentin e arrestimit, pesë personat, në bashkëpunim me njëri-tjetrin kishin mbushur rreth 1400 litra solar gazoil në 50 bidonë. Përveç bidonëve, në vendin e ngjarjes forcat policore kanë gjetur dhe sekuestruar tre automjete si dhe një karrocë transporti dore të uzinës, të cilat përdoreshin për transportimin e karburantit të vjedhur. Ndërsa policia e Mirditës arrestoi mbrëmjen e së mërkurës Fatmir Çelën, 40 vjeç nga Kamza, i cili u zbulua teksa po vidhte në botët e naftës që furnizojnë firmën “Bechtel Enka” pranë Repsit. Pas sinjalizimeve për vjedhjen e vazhdueshme të karburantit, Çela është mbajtur nën vëzhgim, deri në momentin e kapjes në flagrancë.     m.r

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›