E Shtunë, 31 Tetor 2026

Lotaria “piramidë”, shqiptarja humb 3 mijë paund, 3 anglezë në hetim

SHKRUAN: Thimi Samarxhiu 02-02-2011 13:25

Policia e Tiranës nis hetimet për një skemë mashtruese të importuar nga Anglia, pas denoncimit të një gruaje që kishte transferuar 3203 paund, për të fituar 600 mijë. Banka Britanike: S’kemi asnjë lidhje me lotarinë mashtruese

Tiranë Policia e Tiranës ka nisur gjatë ditës së djeshme procedimin penal, në gjendje të lirë, për tre shtetas anglezë, të cilët akuzohen për veprën penale të mashtrimit. Burime zyrtare nga Policia e Tiranës bëjnë të ditur se tre personat nën hetim akuzohen se, në bashkëpunim me njëri-tjetrin i kanë dërguar një sms shtetases A. Çuko, banuese në Tiranë, duke e lajmëruar atë se është fituese e lotarisë së kompanisë “Nokia”, me vlerë 600 mijë paund. Por në këmbim të çmimit të fituar, asaj i është kërkuar që t’u transferojë përmes agjencisë “Western Union” shumën prej 3203 paund. Ngjarja në fjalë mësohet se ka ndodhur në datën 20 janar 2011, kur James Roland, banues në Londër, me detyrë menaxher në Nokia Corporation; Agata Ëasik, banues në Londër, me detyrë CSO Oficer i Bankës HSBS, si dhe Stephen Green, banues në Londër, me detyrë menaxher i HSBC Bank Londër, i kanë dërguar një SMS personit në fjalë, duke e njoftuar se ishte kishte fituar 600 mijë paund. “Nokia feston përvjetorin e saj dhe numri juaj ka fituar 600 000 paund në lotarinë e Nokia-s. Për të tërhequr këtë çmim, ju lutem kontaktoni në këtë numër ose dërgoni e-mail në adresën e mëposhtme”. Ky mësohet të ketë qenë mesazhi që i ka mbërritur A.Çuko në telefonin e saj. Referuar burimeve nga policia, mësohet se ajo menjëherë ka kontaktuar me këta persona, të cilët pasi i kanë shpjeguar se gjithçka ishte e vërtetë, i kanë kërkuar që të paguajë shpenzimet bankare, të cilat arrinin në 3203 paund dhe më pas do të merrte shumën që kishte fituar. Sipas udhëzimeve të bëra nga tre personat nën hetim, asaj i është kërkuar që shumën në fjalë ta transferojë nëpërmjet shërbimit Western Union në Angli. Nga ana tjetër, mësohet se në këto momente kanë ndërhyrë dhe efektivët e policisë, në bazë të të dhënave, që personat nën hetim i kishin dhënë shtetases shqiptare, për të transferuar sasinë e parave. Pas verifikimeve të kryera, ata kanë arritur të identifikojnë tre organizatorët e këtij mashtrimi, duke dërguar njëkohësisht materialet hetimore në Angli. Ndërkohë, të kontaktuar nga gazeta “MAPO”, përfaqësuesit e njërës prej bankave më të mëdha në Perëndim, HSBC Bank, mohon kategorikisht lidhjen me këtë ngjarje, duke u distancuar nga ky veprim. Sipas tyre, informacionet nuk janë tërësisht të sakta, pasi Stephen Green, ish-kryetar i HSBC Bank, ka dal në pension qysh prej 3 dhjetorit 2010 dhe nuk është më pjesë e kësaj banke. “Kjo duket si një lotari tipike mashtruese, e cila është e zakonshme në të gjithë Europën. Si e tillë, ajo nuk ka të bëjë me HSBC, edhe pse personat në fjalë përdorin emrin e HSBC-së. Gjithashtu, referimet nuk janë të sakta, pasi Stephen Green, ish-kryetar i HSBC, ka dalë në pension qysh prej 3 dhjetor 2010 dhe nuk është më pjesë e bankës tonë”, – deklaron zëdhënësja e HSBC Bank, Brendan McNamara.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›