E Shtunë, 31 Tetor 2026

Taçi-Berisha, gazetarët "kundër" Uidhers

Ambasadori amerikan vlerëson reagimin e Berishës. Gazetarët: kryeministri i diktoi qëndrimin e tij institucioneve të drejtësisë


TIRANË- "E përshëndes reagimin e kryeministrit Berisha, ai ishte i menjëhershëm dhe i vendosur"- ka thënë ambasadori amerikan Xhon Uidhers në takimin me temë "Midis Lirisë së Dhunuar dhe Informalitetit". Por kjo deklaratë e ambasadorit amerikan ka hasur në kundërshtimin e menjëhershëm të panelit ku ndodheshin gazetarë nga mediat më prestigjioze shqiptare.


Jemi pro qëndrimit të ambasadorit amerikan, Uidhers se nuk ka justifikim për dhunën ndaj medias, por kundër deklaratës përshëndetëse të tij për reagimin, sipas z.Uidhers "të menjëhershëm dhe të vendosur të kryeministrit" për rastin Baze.


Ky ka qenë reagimi i panelit të gazetarëve dhe opinionistëve të mbledhur dje bashkë në debatin e organizuar nga Unioni i Gazetareve dhe Ambasada Amerikane ku i pranishëm ishte edhe ambasadori amerikan në Tiranë, Uidhers dhe kreu i OSBE-së, Robert Bosch.
Dy nga folësit e panelit, gazetarët Andi Bushati dhe Mustafa Nano, që morën fjalën pas ambasadorit amerikan, kundërshtuan deklaratën e tij, sipas së cilës "reagimi i kryeministrit Berisha ka qenë i menjëhershëm dhe i vendosur dhe unë e përshëndes atë për qëndrimin në rastin Baze".


Bushati tha se "nuk ishte dakord me z. Uidhers pavarësisht petkut diplomatik", duke theksuar se "shqiptarët e kuptuan mirë kush është reagimi i kryeministrit "që kur ai përdori fjalën "lëndim i lehtë" për ngjarjen dhe për këtë nxori zëdhënësen e tij. Me këto veprime, kryeministri ia dha mesazhin edhe drejtësisë se si duhet trajtuar ky rast", - tha Bushati.


Po kaq i drejtpërdrejtë dhe thuajse i ashpër ka qene edhe reagimi i Mustafa Nanos, një tjetër folës i panelit. "Z. Ambasador ne do ta përshëndesnim kryeministrin tonë vetëm nëse ai të mos kishte vite që sillet si armik i medias dhe fjalës së lirë", - tha Nano, duke përmendur edhe emisionet që ka nisur të transmetoje TVSH-ja tip "Pse Sali Berisha është lideri me i dashur i të gjitha kohërave për shqiptaret" dhe votimin e dy ditëve më parë të Kuvendit që vuri në krye të KKRT një këshilltare të kryeministrit.


Si ambasadori Uidhers ashtu edhe folësit e panelit i quajtën skandaloze qëndrimet e vëna re në emisionet e debatit televiziv në TV Klan dhe Top Channel ku disa debatues e quajtën të justifikuar dhunën, në kushtet "kur gazetari e tepron" (!)


"Jam i skandalizuar nga qëndrimi z.Frangaj dhe i disa kolegeve tuaj - tha z. Uidhers. Sipas ambasadorit nuk ka justifikim për dhunën ndaj medias dhe gazetarëve. "Ju kujtoj kane ndodhur edhe më pare incidente, - tha z. Uidhers, - një prej të cilëve, disa metra larg nga kjo salle, kur biznesmeni Tom Doshi goditi një gazetar në barin e Rognerit. Reaguan të gjithë, por asgjë nuk ndodhi. Është e pafalshme që të mos ndodhë asgjë.." - tha ambasadori.


I pyetur rreth takimit, drejtori i gazetës "Shekulli" Adrian Thano tha se "është për tu përshëndetur iniciativa e U.G për këtë takim, por është për të ardhur keq që komuniteti i gazetarëve është i përçarë edhe në këtë rast.


Ne vumë re se në këtë panel të Unionit mungonin përfaqësues të shoqatave të tjera dhe të disa medieve, ashtu siç vumë re me keqardhje të martën në mëngjes se gazetat ishin përpjekur ta mënjanonin lajmin e së hënës mbrëma për rrahjen e z. Baze dhe ai u botua vetëm në "Shekulli", "Tema" dhe "Gazeta Shqiptare"- tha z.Thano.


Shumë nga gazetat reaguan vetëm pasi u kuptua që ngjarja nuk do kalonte lehtë. Sipas tij, rasti Baze ishte edhe një rrethane e duhur për të kuptuar secili vijën ndarëse mes solidaritetit komunitar dhe interesave financiare apo konjukturave politike, duke qene se z. Taçi është jo vetëm një klient i pushtetit, por edhe një nga reklamuesit më aktivë në media.

OSBE dhe SHBA dënojnë dhunën: Gazetarët, të lirë


TIRANË- "Ne dënojmë të gjitha format e dhunës fizike, në veçanti atë drejtuar medias. Të gjithë gazetarët, pavarësisht nga ngjyrimi i tyre i perceptuar politik, duhet të lejohen që të kryejnë punën e përditshme pa pasur frikë nga hakmarrja fizike". Kështu ka deklaruar ambasadori i OSBE në vendin tonë Robert Bosch, pas dhunimit të gazetarit Mero Baze.


Sipas tij, liria e medias është një parim kyç i çdo shoqërie moderne, të lirë dhe demokratike. Ambasadori Robert Bosch mbështeti reagimet e presidentit dhe kryeministrit shqiptar, ndërsa nxit fuqishëm autoritetet përkatëse të vendit që të vënë përpara drejtësisë përgjegjësit e këtij akti të rëndë.

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›