E Shtunë, 31 Tetor 2026

MSH kërkon që gripi mos të politizohet

Ministria e Shëndetësisë (MSH) kërkon që gjendja me Gripin e Derrave, në asnjë rrethanë mos të politizohet, ka theksuar zëvendësministri i Shëndetësisë, Nemanja Vujoviq, gjatë një takimi që ka pasur sot me përfaqësuesit e Shtëpisë së Shëndetit në Graçanicë.

Sipas një njoftimi të MSH-së, Vujoviq ka biseduar me autoritetet lokale të Shtëpisë së Shëndetit, rreth situatës epidemiologjike, pas konfirmimit nga kjo shtëpi e shëndetit të tri rasteve pozitive të Gripit A H1N1, të regjistruara në vendbanimet e banuara kryesisht me serbë.

Zëvendësministri Vujoviq ka ofruar edhe një herë gatishmërinë e Ministrisë së Shëndetësisë të Republikës së Kosovës që të ofrojë ndihmën e duhur mjekësore edhe për qytetarët serbë në rastet eventuale të Gripit A H1N1, duke i furnizuar me barna dhe material mbrojtës.

Po sot, zyrtarë të Departamentit Farmaceutik të MSh-së kanë kontaktuar me drejtoreshën e Shtëpisë së Shëndetit në Graçanicë, Rada Trajkoviq, për të parë nëse do të ketë nevojë për furnizime të tjera mjekësore në këtë lokalitet. Ajo ka thënë se nuk do të hezitojë të kërkojë ndihmë nëse paraqitet nevoja, ndërkohë që ka falënderuar Ministrinë e Shëndetësisë për ofrimin e medikamentit Tamiflu, që kësaj qendre i është shpërndarë të enjten nga Ministria e Shëndetësisë, thuhet në komunikatën e MSH-së.

Ministria ka furnizuar Shtëpinë e Shëndetit në Çagllavicë me 100 kuti Tamiflu (1.000 tableta), ndërkohë që ka ofruar ndihmë sipas nevojës edhe me material shpenzues dhe mjete mbrojtëse.

Sipas njoftimit të MSH-së, situata epidemiologjikë në Kosovë mbetet e qetë dhe zyrtarët e IKSHP-së, po e monitorojnë atë për çdo ditë.

Kjo ministri i siguron qytetarët se nuk ka nevojë për panik dhe se janë duke u zbatuar të gjitha masat e rekomanduara nga OBSH-ja, për menaxhimin e pandemisë.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›