Taçi tenton lirinë sot në gjykatë
Sot pritet që Gjykata e Tiranës të verifikojë masën e arrestit për Rezart Taçin e akuzuar për goditjen e gazetarit Mero Baze
Avokatët përgatisin kërkesën për zbutjen e masës së sigurisë, ndërsa prokuroria thotë se ndryshimi mund të bëhet vetëm në Apel
TIRANË- Gjyqtarja Fahrie Buda, e cila dy ditë më parë caktoi masën e sigurisë "arrest me burg" në mungesë ndaj presidentit të kompanisë "Taçi Oil", Rezart Taçi, ka urdhëruar Policinë e Shtetit që sot në ora 12:00 të dërgojnë sërish para Gjykatës agresorin e gazetarit Mero Baze.
Në këtë seancë pritet që Gjykata të verifikojë masën e arrestit ndaj Taçit, dhënë dy ditë më parë, me burg pa afat për akuzën e goditjes për shkak të detyrës në bashkëpunim. Ky fakt konfirmohet nga burimet zyrtare pranë Gjykatës së Shkallës së Parë në kryeqytet, të cilët shtuan se pas caktimit të masës së sigurisë në mungesë, gjykata është e detyruar t'i komunikojë masën dhe akuzën të vetëdorëzuarit Taçi brenda 72 orëve nga momenti i dhënies së këtij vendimi.
Dy ditë më parë, me kërkesë të prokurorit të çështjes, Gjergji Tako, gjyqtarja e masave Fahrie Buda vendosi të caktojë masën e sigurisë "arrest me burg" ndaj të akuzuarve për goditjen e Bazes. Në listën e të akuzuarve ishte edhe presidenti i "Taçi Oil", por që mungonte në sallë e po ashtu ai nuk kishte përfaqësues ligjor të tij, apo mbrojtës në seancë.
Vetëm tri orë pas vendimit të gjykatës, i shpalluri në kërkim, Taçi, 38 vjeçar, bashkë me dy avokatët e tij mbrojtës u dorëzua pranë Drejtorisë së Policisë në kryeqytet, duke shprehur gatishmërinë për tu përballur me organet e drejtësisë. Gjithashtu, mësohet se avokatët mbrojtës, gjatë seancës së sotme gjyqësore ku do të verifikohet masa e sigurisë me personin e arrestuar dhe komunikimi i akuzës këtij të fundit, do të kërkojë nga gjykata zëvendësimin e masës së sigurisë duke kërkuar një masë më të butë në ngarkim të klientit të tyre.
Sipas avokatit Maks Haxhia, kjo kërkesë bazohet në faktin se vepra penale për të cilën dyshohet se e ka konsumuar klienti im nuk paraqet një rrezikshmëri të lartë shoqërore dhe për shkak të biznesit dhe punës që ka ai nuk paraqet rrezik për largimin nga vendi. Këto dy kritere lehtësuese të parashikuara në Kodin e Procedurës Penale, klienti ynë i ka, pa hyrë në thellësi të provave dhe akuzës, që nuk qëndron në rastin konkret",-tha avokati për "Shekullin".
Ndërkaq, sipas burimeve zyrtare nga organi i akuzës, mësohet se prokurori i çështjes, Gjergji Tako, do t'i kërkojë gjykatës lënien në fuqi të masës së sigurisë me "arrest me burg" të caktuar në mungesë ndaj Taçit. Sipas akuzës, lirimi i tij rrezikon manipulimin e dëshmitarëve e pengimin e hetimeve të mëtejshme për zbardhjen e të vërtetës së ngjarjes e mesnatës së të hënës e ndodhur në një lokal në ish-zonën e bllokut.
"Sipas Procedurës Penale, nuk mund të ndryshohet masa e sigurisë e caktuar në mungesë në seancën e verifikimit të saj, me personin dhe komunikimin e akuzës ndaj tij. Kjo e drejtë i jepet Gjykatës së Apelit, nëse mbrojtja e apelon vendimin në Shkallën e Dytë"-thuhet nga burimet e akuzës.
Të akuzuarit kallëzojnë Bazen në prokurori
TIRANË- Kallëzohet në prokurori gazetari Mero Baze për kryerjen e veprës penale të "fyerjes" dhe "dëmtimeve të tjera me dashje" ndaj Irgen Selfos. Studio ligjore..................... që mbron tre të arrestuarit Rezart Taçi, Bledar Lilo dhe Irgen Selfo që pasditen e djeshme janë paraqitur në prokurorinë e kryeqytetit duke kallëzuar penalisht gazetarin Mero Baze.
"Dorëzuam kallëzimin në prokurori ndaj gazetarit Mero Baze. Ky kallëzim ka si objekt kryerjen e veprës penale të "fyerjes" ndaj klientëve tanë, Rezart Taçi, Bledar Lilo dhe Irgen Selfo, ndërsa për këtë të fundit edhe akuza e "dëmtimeve të tjera me dashje" pasi gazetari Baze e ka qëlluar me tavëll cigaresh dhe grusht në fytyrë.
Gjithashtu, me anë të një kërkesë i kërkuam prokurorisë të kryejë akt-ekspertimin mjeko-ligjor të Irgen Selfos, pasi ka dëmtime në fytyrë e në trup për shkak të goditjeve të gazetarit Mero Baze ndaj tij.,"-tha avokat Maks Haxhia, menjëherë pasi doli nga dera kryesore e Prokurorisë së Rrethit në kryeqytet.
Gjithashtu, mësohet se avokatët mbrojtës të tre të arrestuarve kanë pasur një takim edhe me njërin prej zv\prokurorëve të institucionit të akuzës, linja e të cilit po heton dhunën e ushtruar ndaj gazetarit Baze. Nuk bëhen të ditur arsyet e këtij takimi, por, burimet e rezervuara theksuan se avokatët i kërkuan zv/prokurorit të ndryshojë qëndrimin e tyre për caktimin e masës së sigurisë ndaj biznesmenit Rezart Taçi.
Baze u godit kur ishte në shoqërinë e dy kolegëve
Sipas prokurorisë, mesnatën e së hënës, aty rreth orës 23:10 minuta në lokalin "Kapriço" në zonën e ish-bllokut, gazetari Mero Baze është goditur me mjete të forta nga tre shtetas, Rezart Taçi dhe dy shoqëruesit e tij Bledar Lilo e Irgen Selfo. Mësohet se sherrin e ka nisur i arrestuari Selfo, i cili i është afruar tavolinës së gazetarit Mero Baze që shoqërohej nga gazetarët e tjerë Andi Bushati e Arban Hasani, duke e fyer e goditur atë.
Më pas, këtyre goditjeve i janë bashkuar edhe Bledar Selfo e Rezart Taçi. Pasi e kanë qëlluar gazetarin Baze, tre të dyshuarit janë larguar nga lokali, për tu dorëzuar rreth 2 orë e 30 minuta më pas dy shoqëruesit Selfo e Lili, ndaj të cilëve gjykata ka caktuar tashmë masën e sigurisë "arrest me burg". Ndërsa, sherrin para togave të zeza e ka pranuar i arrestuari Selfo, duke pretenduar se Baze e kishte fyer dhe shtyrë me qëllim pasi kishte shkuar për një sqarim të vogël.
Zëdhënësi i Taçit
Sulm ndaj bizneseve të grupit
Zëdhënësi i grupit "Taçi Oil", Milton Nushi, gjatë një konference për shtyp të dhënë gjatë ditës së djeshme, i ka quajtur akuzat ndaj biznesmenit Rezart Taci si të pabaza, në lidhje me dhunimin e gazetarit Mero Baze. Zëdhënësi i i kompanisë së karburanteve deklaroi se drejtësia do të merrte vendimin e duhur për rastin në fjalë duke kërkuar prej organeve përkatëse, shmangien e ndikimit nga grupet që sipas tij, përbaltën Rezart Taçin për interesa të ulëta.
Sipas Nushit, mbi figurën e Taçit, po hidhet baltë në mënyrë të qëllimshme për të sulmuar biznesin e tij. "Presidenti i "Taçi Oli", Rezart Taçi, u vetëdorëzua pasditen e djeshme në polici pas dhënies së masës së arrestit në mungesë "Burg pa afat" nga Gjykata e Tiranës për konsumim të veprës penale të "goditjes për shkak të detyrës e kryer në bashkëpunim". Sipas tij, Taçi u vetëdorëzua për t'u vënë në dispozicion të organeve të drejtësisë.