Gjyqi; Vetëvarja e studentit Karaj, familja dëmshpërblehet me 10 mijë USD
Vetëvarja e një studenti në qeli i ka kushtuar paraburgimit 313-të 10 mijë USD, të cilat do të duhet t’ia dëmshpërblejë familjes së të vetëvarurit. Vendimi është dhënë nga gjykata e Tiranës, pas padisë së ngritur në këtë gjykatë nga babai i viktimës, Petro Karaj, i cili kërkonte 25 mijë USD si dëmshpërblim. Padia është depozituar pak kohë më parë në Gjykatën e Tiranës, ndërkohë që familja është asistuar në gjykatë nga avokati Genci Tërpo, i Grupit Shqiptar për të Drejtat e Njeriut. Familja Karaj nga Përmeti kërkoi dëmshpërblimin nga burgu, pasi sipas tyre, faji për humbjen e jetës në qeli të djalit të tyre është pikërisht institucioni i burgut, që nuk i garantoi jetën të paraburgosurit. Studenti i Stomatologjisë vrau veten rreth orës 02:00 të mesnatës pas 3 marsit 2006 në qelitë e paraburgimit 313 në kryeqytet. Studenti Mihallaq Karaj ishte dërguar në këtë paraburgim vetëm pak orë më parë dhe sipas Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, shkak për kryerjen e aktit ekstrem ndaj vetvetes ishte mospërshtatja e tij me jetën e re pas hekurave të qelisë dhe ngarkesa e rëndë psikologjike. Ai akuzohej për vjedhjen në bashkëpunim të një kompjuteri në një lokal në Qytetin Studenti. Pas kësaj, gjykata, me kërkesë të prokurorisë, vendosi masën e sigurisë “burg pa afat”, ndërsa menjëherë pas masës ai u dërgua në paraburgim. Në kërkesëpadi, avokati Tërpo theksonte se me këtë proces ndodhemi përpara një çështjeje të një natyre krejt të veçantë, ku paditësi Petro Karaj ka pësuar një dëm të pallogaritshëm si rezultat i humbjes së jetës së të birit, Mihallaq Karaj. Avokati pohoi para gjykatës se studenti nuk kishte probleme ekonomike, familja e tij ia kishte siguruar të gjitha të ardhurat e nevojshme për të vazhduar shkollën dhe për të jetuar në standarde tejet të pranueshme. Viktima u vendos në një qeli së bashku me një person tjetër, ndërsa karakterizohej nga një situatë tejet e rënduar, pasi nuk kishte qenë asnjëherë në burg.