Arrestohen tre mjekë, merrnin ryshfet për pensionin e invaliditetit
Tre mjekë, anëtarë të Komisionit Mjeko-Ligjor për dhënien e invaliditetit në punë, janë vënë në pranga për akuzën e korrupsionit, pasi akuzohen se në mënyrë abuzive u nxirrnin pengesa qytetarëve të ndryshëm që përfitonin pension invaliditeti, me qëllim që t’u zhvatnin para. Dje, nga strukturat e hetimit të krimit të Drejtorisë Kundër Krimit Financiar në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Elbasan, u arrestuan në flagrancë shtetasit Ervedin Pudre, 49 vjeç, lindur në Dibër dhe banues në Elbasan, mjek i përgjithshëm në Spitalin e Elbasanit; Adrian Palloshi, 43 vjeç, lindur në Tiranë dhe banues në Elbasan, mjek urolog në spitalin e Elbasanit, si dhe Astrit Leka, 62 vjeç, lindur në Bërzeshtë, Librazhd dhe banues në Librazhd, mjek kardiolog në spitalin e Librazhdit. Tre mjekët, sipas burimeve zyrtare policore, anëtarë të Komisionit Mjeko-Ligjor për dhënien e invaliditetit në punë, janë kapur në flagrancë në një nga zyrat e Agjencisë të Sigurimeve Shoqërore Gramsh, pas një hetimi disamujor, duke u marrë para qytetarëve, banorë të rrethit Gramsh, në këmbim të dhënies së pensionit të parakohshëm si invalid me aftësi të kufizuara. Nga hetimet e kryera rezulton se këta shtetas duke qenë anëtarë të këtij komisioni, në bashkëpunim gjatë vlerësimit dhe përcaktimit të grupit të invaliditetit, u nxirrnin qytetarëve pengesa pa shkaqe ligjore në lidhje me dokumentet e paraqitura, kategorinë e sëmundjes dhe grupit të invaliditetit. Këto veprime të kundërligjshme i kanë kryer me qëllime presioni, që ata të paguanin para në shuma të ndryshme në këmbim të nënshkrimit të raportit mjeko-ligjor, për grupin e invaliditetit të kërkuar. Në momentin e kapjes në flagrancë të mjekëve, të cilët tentuan të fshehin provat materiale, iu gjetën dhe iu sekuestruan 65.000 lekë të reja, që ua kishin marrë 9 qytetarëve, të cilëve do t’iu vlerësohej nga ky komision dokumentacioni i paraqitur për përcaktimin e grupit të invaliditetit dhe përfitimin e pensionit të invaliditetit. Nga strukturat e policisë janë kapur dhe shoqëruar për kryerjen e veprimeve procedurale edhe qytetarë, të cilët kanë paguar para për përfitimin e grupit të invaliditetit. Materialet në ngarkim të shtetasve Edvin Pudre, Adrian Palloshi dhe Astrit Leka i kanë kaluar Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Elbasan, për veprën penale të “korrupsionit pasiv nga persona që ushtrojnë funksione publike, të kryer në bashkëpunim”, parashikuar nga nenet 259 dhe 25 i Kodit Penal. Ndërkohë, strukturat e policisë vazhdojnë punën për dokumentimin e plotë të të gjitha rasteve dhe personave të implikuar.