Taçi "çmend" Evropën, kërkon të mbajë Kakànë te Milani
Kakà mund të qëndrojë te Milani dhe këtë mund ta mundësojë pikërisht një shqiptar. Rezart Taçi, presidenti i kompanisë "Taçi Oil" ka vendosur që të sponsorizojë zyrtarisht yllin brazilian, me qëllim që ai të mos largohet nga kuqezinjtë. Ai është një tifoz i zjarrtë i skuadrës së Milanit dhe nuk dëshiron që ta shohë sezonin e ardhshëm ekipin e tij, pa numrin 22 të kuqezinjve. Kompania "Taçi Oil" i ka bërë një ofertë zyrtare dje klubit të Milanit, ku i ka kërkuar që të sponsorizojë futbollistin Kakà', me qëllim që ai të mos largohet nga Milani. Ende nuk është bërë e ditur shuma konkrete që vë në dispozicion pala shqiptare, por padyshim që ka për qëllim që të ndihmojë Milanin në arritjen e një akordi financiar me lojtarin dhe ta bindë atë që të mos largohet nga klubi italian. Kakà', gjatë ditëve të fundit ka marrë oferta marramendëse nga Reali i Madridit e Çelsi dhe drejtuesit e skuadrës kuqezi janë lëkundur jo vetëm nga shuma e parave për kartonin e lojtarit (rreth 70 milionë euro), por edhe për faktin që nuk mund të kënaqin financiarisht lojtarin. Nëse arrihet një akord mes Milanit dhe "Taçi Oilit", atëherë Kakà do të jetë imazhi i kompanisë shqiptare të karburanteve. Këtë e kanë pohuar burime konfidenciale pranë drejtuesve të kësaj kompanie. Gjatë ditës së sotme priten të tjera kontakte zyrtare mes përfaqësuesve të klubit të Milanit dhe drejtuesve të "Taçi Oil". Diferenca e taksave në Spanjë me Italinë ka ndikuar së tepërmi në merkaton e klubeve italiane. Milani i paguan Kakàsë një rrogë afërisht 9 milionë euro në sezon, por nga e gjithë kjo shumë, lojtarit i mbahen 39 për qind taksa. Nga ana tjetër, Reali i Madridit i ofron nëntë milionë euro neto në sezon, por ndërkohë klubi spanjoll përfiton edhe nga standardet e taksave, që janë shumë të ulëta se në Itali. Ndërhyrja e kompanisë "Taçi Oil" për ta mbajtur Kakànë te Milani, pritet të ketë një efekt të jashtëzakonshëm edhe në arenën ndërkombëtare. Padyshim që drejtuesit e klubit madrilen apo "bosi" i Çelsit, Roman Abramoviç, do të shokohen sot kur të marrin vesh se një biznesmen shqiptar i sfidon, duke iu prishur planet për blerjen e fantazistit brazilian.
Jetmir Halilaj