Vetëvritet pas terrorit me armë
SHKODER/ RIDVAN DIBRA
Qëllon me armë nëpër qytet duke rrezikuar e terrorizuar dhjetëra kalimtarë, më pas vetëvritet kur u gjend i rrethuar nga policia. Ahmet Hetemi, 50 vjeç, nga lagjja "Kiras" Shkodër i dha fund jetës me një pistoletë në kushtet e një depresioni të rëndë nervor. Policia e Shkodrës bëri të ditur se ngjarja ndodhi dje rreth orës 14:30, pranë një kryqëzimi në rrugën "Bujar Bishanaku". Pas hetimeve të kryera rezultoi se viktima ishte ndaluar fillimisht në një rrugë dytësore për të blerë fruta. Ai i është afruar duke kërkuar që të blinte një kg mollë. Por gjatë kohës që shitësi do të peshonte frutat, ai ka parë se klienti i tij mbante dorën nën këmishë. Kjo ka shtuar kureshtjen e tij duke ndjekur me sy të gjitha gjestet e 50-vjetarit, i cili dukej i shqetësuar. Më pas, shitësi, emri i të cilit nuk bëhet i ditur, ka mundur të dallojë tytën e pistoletës që klienti e kishte të fshehur në trup. Nga frika, shitësi është detyruar të lërë mallin e t'ia mbathë vrapit duke u fshehur në rrugicat e lagjes. Por duket se veprimi i tij ka trembur edhe Hetemajn. Ai ka nxjerrë nga brezi armën dhe ka nisur të shtijë në ajër pa pasur një synim konkret. Qytetarët, që në këto momente janë ndodhur në rrugë, janë larguar me shpejtësi të tmerruar ndërsa personi me armë në dorë vijonte të qëllonte kuturu. Më pas ai doli në rrugën kryesore duke shtuar kërcënimin për qytetarët që mund të gjendeshin në rrugë. Sipas dëshmitarëve, ai qëlloi në ajër edhe dy herë të tjera, ndërsa zona u spastrua nga njerëzit të cilët u fshehën ku mundën. Gjatë këtyre veprimeve të pakontrolluara të 50-vjeçarit, në vend mbërritën dy punonjës të policisë të cilët ishin ndodhur më afër ngjarjes dhe kishin marrë sinjalizimin nga kolegët e tyre në radio. Por prania e policisë ka rënduar më shumë gjendjen psikologjike të të armatosurit. Ai i është drejtuar një dyqani tjetër në vendin ku ndodhej, me qëllim që të fshihej në të. Pronari i dyqanit sapo ka parë se Hetemaj u nis i armatosur drejt tij është detyruar të largohet me vrap në të njëjtën formë si shitësi i parë. Në vendin e ngjarjes mbërritën shumë shpejt përforcime të policisë të cilët rrethuan zonën për të evituar ndonjë tragjedi të mundshme. Kur Hetemaj ka parë që vendi përreth dyqanit ishte mbushur me policë, ka telefonuar familjen e tij. "Ma bëni hallall se po i jap fund jetës". Më pas ai iu ka mbyllur telefonin pa u dhënë sqarime. Policia dëgjoi sërish një krismë, e pas disa minutash gjithçka ra në qetësi. Kur ata depërtuan në dyqan, gjetën trupin e tij përdhe, pa jetë. Ai ishte vetëvrarë me pistoletën që mbante me vete. Nga hetimet paraprake rezultoi se viktima prej kohësh kishte shfaqur shenja depresive, gjë për të cilën ai merrte edhe mjekimet e duhura.