E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vangjeli për Ronaldon: Nuk e ndal dot i vetëm

 

JORGIS MEMO

Kristi Vangjeli është gati të mbulojë një nga lojtarët më të mirë në botë, si Kristiano Ronaldo. Ashtu siç arriti t'ia dalë mbanë në përballjen kundër tij, në barazimin historik me Portugalinë, më 15 tetor të vitit 2008, në Bragë, mbrojtësi kërkon tashmë të surprizojë për herë të dytë yllin e luzitanëve. Megjithatë, duke qëndruar me këmbë në tokë, 24-vjeçari u shpreh ndër të tjera, në konferencën e djeshme për shtyp, se për të ndalur Ronaldon, i gjithë ekipi duhet të tregohet i kujdesshëm. "Është kënaqësi e madhe të përballesh me lojtarë të këtij niveli, e sidomos në ekipin kombëtar. Në rastet kur kemi kundërshtarë futbollistë të famshëm, unë motivohem më shumë dhe jap gjithmonë më të mirën", - pohoi fillimisht Vangjeli, të cilit nuk i bën fare përshtypje dueli me "yjet". Duke folur për Ronaldon, ai mundohet të sjellë në kujtesë edhe ndeshjen e parë që u mbyll në barazim pa gola. "Që të jem i sinqertë, përballë këtyre lojtarëve nuk emocionohem. Bëj gjithmonë të njëjtën gjë, si me ekipin tim, ashtu edhe me Kombëtaren. Pra, në futboll nuk më frikëson kush, pavarësisht emrit që ka. Në ndeshjen e parë me Portugalinë, mendimi i vetëm që më vinte në kokë, ishte që t'i qëndroja sa më afër Ronaldos, që të mos i jepja shumë mundësi për të më dribluar. Ronaldo nuk di vetëm të stimulojë. Ai është një futbollist i shkëlqyer, që mund të bëjë veprime të papritura, prandaj kërkon vëmendje të veçantë për t'u markuar. Është i aftë të bëjë gjithçka, për rrjedhojë nuk mund ta ndal vetëm unë. I gjithë ekipi duhet të tregohet i kujdesshëm për ta ndalur këtë futbollist. Për mua kjo është hera e tretë që do luaj kundër tij dhe nuk mendoj se do ta kem shumë problem. E rëndësishme është që të bëjmë një lojë të mirë dhe të mos u trembemi kualiteteve të kundërshtarëve", - tha mbrojtësi.
"Mos u çudisni,
nëse fitojmë"
"Më pëlqen gjithmonë të jem optimist. Nuk dua ta teproj, por parashikoj një rezultat pozitiv me Portugalinë. Le të themi më mirë barazim, se ndryshe do të dukej sikur e kam tepruar, por nuk do të çuditesha edhe po të fitonim". Kështu është shprehur korçari i përfaqësueses, duke befasuar me parashikimin e tij. "Është e vërtetë që Portugalisë nuk i duhet asnjë rezultat tjetër, veç fitores. Shpresojmë të japim maksimumin dhe që të mos gabojmë si ekip, sepse jemi para tifozëve tanë dhe ata presin shumë nga ne. Pa harruar pastaj që në dy ndeshjet e fundit kemi zhgënjyer", - shtoi ai. Vangjeli foli edhe për veten, duke theksuar se nuk e ka problem të luajë në të dy krahët e mbrojtjes. "Unë luaj në të dy krahët dhe gjithmonë kam biseduar me trajnerët para ndeshjes për rolin tim. Në fakt jam i djathtë, por kur ekipi ka nevojë që të aktivizohem në të majtë, nuk kam pse ta diskutoj. Është diçka e mirë për një futbollist kur luan në disa role. Gjithmonë aktivizimi varet nga nevojat që ka ekipi. Unë mundohem të jap maksimumin kudo që luaj", - pohoi 24-vjeçari, që sezonin e fundit pati një aktivizim jo konstant tek Arisi i Selanikut. "Në fazën e dytë kam luajtur më shpesh, që do të thotë se kam ardhur në ngritje. Tani kanë mbetur edhe dy ndeshjet e Kombëtares, që do të më ndihmojnë të tregoj se kush jam".

Menaxherët
Të shtunën në "Qemal Stafa" do të jenë të pranishëm një numër i madh menaxherësh, të cilët punojnë për llogari të klubeve më të njohura në Evropë. Shumica e lojtarëve të Kombëtares janë pa skuadër dhe ndeshja me Portugalinë është një mundësi e shkëlqyer për ta, duke pasur parasysh se përballë është një ekip i njohur..

Precedenti portugez
Një nga ndeshjet e pakta mes Shqipërisë dhe Portugalisë ka qenë e dyshuar si e trukuar. Bëhet fjalë për takimin e luajtur më 9 tetor të vitit 1996 në "Qemal Stafa", që u fitua nga luzitanët me rezultatin 3-0. Ndeshje që mbart kujtime të hidhura për ish-teknikun e Kombëtares, Neptun Bajko, i cili dha dorëheqjen.

Gjyqtari
Florian Mejer do të drejtojë ndeshjen e nesërme mes Shqipërisë dhe Portugalisë. Arbitri gjerman, i përzgjedhur nga FIFA, do të drejtojë ndeshjen e parë për kroatin Josip Kuzhe në stolin e përfaqësueses sonë. Asistentë të Mejerit do të jenë Karsten Kadash dhe Senke Glindeman. Gjyqtar i katërt është Babak Rafati.

Ndeshja
Shqipëria sfidon Portugalinë nesër në "Qemal Stafa". Takimi do të fillojë në orën 20:45 dhe është i vlefshëm për eliminatoret e Botërorit "Afrika e Jugut 2010". Ndeshja transmetohet nga TVSH dhe "Supersport". Një biletë në tribunat (A) dhe (B) kushton 5000 lekë, në tribunat (D1) e (D3) kushton 1000 lekë, në tribunën (D2) 2000 lekë, në tribunat (C) e (E) 300 lekë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›