E Diel, 1 Nëntor 2026

Taçi dorëzohet pas vendimit të gjykatës, policia nuk kishte lëshuar fletëthirrje për tëNga Tema Rezart Taçi u shfaq dje në kamerat e televizioneve për të lajmëruar se po shkonte në polici. Duke lexuar një deklaratë, që dukej qartë se ishte

Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.

Taçi dorëzohet pas vendimit të gjykatës, policia nuk kishte lëshuar fletëthirrje për tëNga Tema

Rezart Taçi u shfaq dje në kamerat e televizioneve për të lajmëruar se po shkonte në polici. Duke lexuar një deklaratë, që dukej qartë se ishte e radhitur në një prompter televiziv, Taçi tha se po dorëzohej, pasi kishte marrë vesh për vendimin e Gjykatës së Tiranës që shpalli për të masën e sigurisë “Burg pa afat”.

Shfaqja ka rënë në sy të të gjithëve, që shihnin njeriun që kërkohej tek fliste para mediave. BBC raportonte: Shfaqja e tij në këtë mënyrë përballë publikut përbën një rast të pazakontë në statusin e njeriut të kërkuar nga policia, që jep deklaratë para kamerave.

Gjithë kjo ka rritur më shume dyshimet tek reagimi i policisë për të kapur Taçin.

Por ka qenë avokati i këtij të fundit që ka pranuar se nuk ka pasur një fletë thirrje për klientin e tij, që në këtë mënyrë duket se nuk është shqetësuar shumë nga blutë.

Kjo implikon rëndë policinë dhe vetë ministrin e Brendshëm, Lulzim Basha, që e kishte shpallur në kërkim.

Vendimi i gjykatës

Dukej se Taçi do të vazhdonte “arratinë”, po të mos ishte një vendim i Gjykatës së Faktit. Ajo vendosi dje në mesditë masën e sigurinë “Burg pa afat” për Taçin. E njëjta masë sigurie u dha sot edhe për dy truprojat e tij, Bledar Lilo dhe Irgen Selfo, të cilët u ndaluan një ditë pas dhunës ndaj Bazes.

Organi i akuzës përfaqësohej nga prokurori Gjergji Tako, ndërsa gjyqtarja, që vendosi të lërë në burg Taçin, është Fahrie Budo. Ndaj tre të dyshuarve është ngritur akuza e “Goditjes për shkak të detyrës” të parashikuar nga Neni 237 i Kodit Penal, që, nëse rezultojnë fajtorë, të dyshuarit rrezikojnë të dënohen me gjobë ose me burgim deri në tre vjet.

Por avokati mbrojtës i Taçit, Maksim Haxhia, e kundërshtoi akuzën duke thënë se zyrtarisht nuk është njoftuar nga gjykata për vendimin e dhënë kundrejt klientit të tij. “Ne nuk kemi komunikim zyrtar që është dhënë ky vendim, sepse nuk jemi thirrur në gjykatë. Por, sipas procedurës penale, do të dëgjohet edhe ai”, - ka pohuar Haxhia. Ai ka deklaruar gjithashtu se klienti i tij nuk ka qenë jashtë shtetit gjatë këtyre dy ditëve.

Mediet kishin ngritur dyshime për “paaftësinë” e policisë për të arrestuar Taçin, ndërsa ky i fundit e sfidonte hapur atë duke lëshuar deklarata për shtyp dhe duke thënë se do të ballafaqohej me drejtësinë. Gazetarët vunë 10 mijë euro në dispozicion për atë që ofronte informacion se ku ndodhej Taçi.

Keqpërdorimi i policisë për interesa klienteliste

Gazeta boton editorialin e emisionit “Faktori Plus”, transmetuar ditën kur ndodhi sulmi, pasi trajton shqetësimin e përdorimit të policisë nga njerëzit pranë Familjes Berisha

Policia e shtetit shqiptar po kthehet në një grup të gatshëm të njerëzve të lidhur me Familjen e kryeministrit. Një javë më parë policë lokalë në Ballsh penguan Policinë Tatimore të ushtronte detyrën duke kontrolluar evazionin fiskal të Rezart Taçit, njeriut të lidhur me familjen e kryeministrit. Për shkak të kësaj lidhjeje, ai përdori Policinë e Rendit për të ripushtuar uzinën e bllokuar nga tatimorët dhe sot e kësaj dite vazhdon punën pa u kontrolluar prej tyre. Policia po ashtu u vu në lëvizje në Orikum, për shkak të interesit që ka familja e kryeministrit për pronën e Rrahman Selmanllarit, krahut të djathtë të djalit të kryeministrit Sali Berisha. Dëshmitarët thanë se policia erdhi nga Tirana dhe se ishte tërësisht e instruktuar kundër banorëve. Rasti më i freskët dhe më flagrant po ashtu mbetet sheshi “Skënderbej”, ku policë të rendit rrethuan sheshin dhe arrestuan policë bashkiake vetëm pse këta të fundit mbronin pronën e qytetarëve në mes të Tiranës. Arsyeja ishte se kryeministri, Sali Berisha, kishte urdhëruar gojarisht t’i shkatërrohej prona një qytetari, i cili kishte lidhur marrëveshje partneriteti me dy biznesmenë, që Berisha i konsideron armiq të tij. Kjo histori skandaloze e përdorimit të policisë zë fill që vitin e kaluar, kur forca speciale të rendit nga Tirana shkuan në Kakome gjatë natës dhe arrestuan drejtorin e Policisë Ndërtimore të Kakomesë në Lukovë, vetëm pse kundërshtonte pushtimin e paligjshëm të Kakomesë nga njerëz të lidhur me familjen Berisha. Dhe policia, në vend që të ishte në krah të inspektorit të Policisë Ndërtimore, u rreshtua në anën e zaptuesve të tokës, të cilët, megjithëse pa leje, kanë rrethuar rreth 100 hektarë pyll në buzë të detit dhe kanë filluar shpyllëzimin e tij. Në gjithë këto ngjarje të frikshme, të keqpërdorimit të policisë, fenomeni i parë negativ që po institucionalizohet është pasiguria për të investuar në një vend ku nuk ke marrëdhënie të mira me familjen e kryeministrit. Ky leksion barbar mbi këdo që guxon të investojë pa lejen e familjarëve të tij, e kthen shtetin shqiptar në një bandë të organizuar të pushtetit politik, dhe rrit ndjeshëm ndjenjën e frikës te çdo investitor apo qytetar që ka ndërmend të jetojë i pavarur nga familja e kryeministrit. Kjo ndjenjë pasigurie që po krijohet duke përdorur Policinë e Shtetit për halle private të kryeministrit apo njerëzve të tij, rrënon çdo investim të bërë nga shoqëria jonë dhe Bashkimi Evropian apo partnerë të tjerë perëndimorë, për të depolitizuar policinë, dhe për ta ndarë atë nga keqpërdorimi politik. Një shef police që përdoret për të rrethuar pronat e Rrahmanit apo për të mbrojtur paratë e Rezart Taçit, nesër mund të ripërdoret për vjedhje të votave apo për persekutim politik të çdo zëri kritik me qeverinë. Dhe po të mendosh që në krye të kësaj vale të re revanshi të keqpërdorimit politik është Lulzim Basha, një ministër që është peng te ligji dhe mosgjykimi i tij për një vepër penale, atëherë perspektiva duket dhe më dëshpëruese.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›